E Diel, 1 Nëntor 2026

Presin dy vjet Gjykatën e Lartë, 3 të dënuar hyjnë në grevë urie

 

FUSHË KRUJË - Disa të dënuar në burgun e Fushë-Krujës kanë hequr dorë nga ushqimi që prej shtatë ditësh, duke pretenduar se dënimi me burg ndaj tyre është i padrejtë. Tre persona të izoluar në burg, që po e vuajnë dënimin e tyre në qelitë e Fushë Krujës janë futur në grevë urie prej disa ditësh. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, si edhe nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas këtyre burimeve, mësohet se mungesa e ushqimit u ka shkaktuar jo pak probleme shëndetësore të dënuarve, ndërkohë që autoritetet e burgut kanë caktuar pranë tyre një staf mjekësor, për të ndjekur gjendjen e tre personave. Sipas burimeve nga burgu, të dënuarit e përfshirë në grevë janë Tonin Carku dhe vëllezërit Anton e Agron Markaj. Të njëjtat burime thanë se shkak i grevës është pretendimi i të dënuarve se vendimet e gjykatës, në të cilat është caktuar koha dhe vitet e tyre të dënimit me burg, janë të padrejta. Referuar burimeve zyrtare pranë burgut të Fushë Krujës, mësohet se dita e parë e grevës së urisë për Carkun dhe dy vëllezërit Markaj është shënuar të mërkurën e javës së kaluar. "Greva është njohur zyrtarisht nga autoritetet e burgut. Grevistët janë akomoduar në një ambient të veçantë", sqaroi dje një zyrtar i burgut. Mësohet se deri ditën e djeshme, përkeqësimi i shëndetit nuk paraqiste rrezik për jetën e tyre. "Për shkak të mungesës së ushqimit, ata kanë pasur luhatje të tensionit, por për çdo rast pranë tyre ndodhet një staf i përgatitur mjekësh", u shpreh ai. Bëhet e ditur se nga autoritetet e burgut është hartuar një plan masash që pranë grevistëve të ketë shërbim shëndetësor, si edhe social dhe juridik. Në dijeni për grevën e urisë në burgun e Fushë Krujës është vënë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Gjatë këtyre ditëve nga ky institucion janë dërguar tre herë përfaqësues që kanë "inspektuar" të dënuarit e përfshirë ne grevë. Ndërkohë që bëhet e ditur se dosjet në ngarkim të tyre janë dërguar për rishikim në Gjykatën e Lartë në vitin 2007, ndërsa ende nuk janë marrë në shqyrtim në këtë institucion.                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›