Edi Rama, kumbari i kumbarëve dhe ndrikullave të bandave
Lidhjet e Partisë Socialiste me individë me precedentë penalë apo/dhe kontingjent të bandave me prejardhje nga viti i mbrapshtë 1997 nuk janë as të reja dhe as të vjetra, por ato janë simbiotike dhe gjenetike. Andaj nuk është një risi zbulimi i forcare policore të eksponentëve të krimit që janë të rekrutuar në politikë. E kundërta do të ishte një lajm. Arrestimi dy dite më parë i Skerdjan Bajramit, i cili identifikohet si një nga anëtarët kryesorë të bandës së Zani çaushit, por edhe si një nga drejtuesit e protestave socialiste dhe bllokimeve të akseve të rrugëve në Tiranë. Drejtësia vonon, por nuk harron, nuk harrojnë dot as qindra biznesmenë vlonjatë, të cilëve u janë vënë “gjoba” nga njerëzit e “bandës së çoles”, as të tjerët që janë vrarë nga njerëzit e tyre për bindje politike, apo për “biznes-droge”.
Sidoqoftë nuk është hera e parë që dalin në media fakte të pakundërshtueshme të lidhjeve “mafio-puniste” me PS, vetëm para do kohësh jemi mësuar me kredencialet që një tjetër organizatë kriminale ka me opozitën, bëhet fjalë për famëkeqin Aldo Bare, kreu i Bandës së Lushnjes, si dhe vëllezërit Shyti të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi, ku lidhje janë ndrikulla Arta Dade, dhe djali i saj Alban Dabulla. Qarku i shkurtër i krimit shqiptar me eksponentë të Partisë Socialiste është diçka e frikshme, amorale, e dënueshme politikisht. Bile përbën një rrezik permanent për demokracinë shqiptare
Kuptohet vetiu se Nuni Rama duhet t’i japë fund kumbarizimit të PS-së me elementët kriminalë, ngase mbrojtja e bandës “Hakmarrja për Drejtësi”, bandës së Aldo Bares apo bandës së Rrugës së Durrësit, nuk është qëllimi kryesor i një force politike. Lidhjet e tyre me grupet mafioze italiane datojnë që nga koha e sundimit të Hoxhës, por fuqizimi i tyre erdhi pas rebelimit “komunisto-mafioz” të vitit ’97, dhe rikthimit në pushtet të të majtëve, kur ish-eksponentët dhe anëtarët e sigurimit të shtetit përdorën njohjet e tyre të vjetra për t’u integruar në trafiqet ndërkombëtare të drogës, armëve, qënieve njerëzore dhe pastrimit të parave. Mafia në Shqipëri ekziston. Dhe mbi të gjitha ekzistojnë mafiozë të kuq, ose beretat e kuqe me filiale të deklaruara në Evropë, që janë të lidhura me Ndragheta-n kalabreze, “Cosa Nostra”-n siçiliane dhe Kamorra-n napoletane, qysh në kohën e kontrabandës së cigareve nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës dhe e pinjollëve të tij mbas vitit 1985. Hapësirat që ka lënë mos-pasja e shtetit ligjor në Shqipëri, si dhe riciklimi i nomenklaturës, ka bërë që mafia “punisto-mafioze” të hapë tentakulat e veta dhe të mbërthejë si një pjesë të politikës, ashtu edhe një pjesë të bizneseve vendase.
Mafia u krijoi mundësinë e përfitimit mjaft socialistëve, mjeshtra të spekulimit në tregjet publike, në të cilat bashkëpunojnë masivisht, sidomos në sektorin e ndërtimit. Kapja e hapur e Partisë Socialiste nga bota e krimit, legjitimimi i sjelljes kriminale, pranimi nga ana e shoqërisë e kësaj sjelljeje kriminale si normale, dhe kriminalizimi fund e krye dhe i padiskutueshëm i parisë soc-komuniste janë prova të pakundërshtueshme.
Qarku i shkurtër PS - “mafie, banda, banditë, komunistë sade sigurimsa, xhelatë, killera të tipit Dajti, kriminelë të çdo lloj tipi” është një nga të vërtetat e këtij vendi që më shumë se çdo gjë tjetër na bën me turp. Njerëzit që janë rekrutuar nga “punisto-mafia” qysh në fillimet e para të karrierës kriminale shumë shpejt u rritën si zdapa, dhe me t’u rritur, si ekonomikisht, ashtu edhe gjeografikisht, tentuan të bëhen autonomë në veprimtarinë e tyre derisa arritën nga skllevër të shndërrohen në skllavopronarë të politikës së socialistëve shqiptarë. është rasti i Aldo Bares, që nga pazaret e drogës së të vëllait Ramadan Shkurti del e bëhet një nga kapobandat më të egra në Shqipëri, aq sa dega e Partisë Socialiste të Lushnjes t’i kërkojë me forcë e kërcënime Ministrit të rendit (të atëhershëm) Spartak Poçi lirimin e disa individëve që ishin “ushtarë” të bandës.
Fakti tjetër që paratë e punisto-mafias riciklohen në ndërtimet e kryeqytetit nuk është një risi si metodë, pasi në Itali dhe Spanjë janë procedura gati të zakonshme që ndjek mafia. Më e keqja është se në Tiranë ata kontrollojnë politikën, bashkinë e Tiranës, të Durrësit, të Vlorës (nuk është çudi që qeverisen nga socialistët për shumë vite me radhë?!) i tërheqin për hunde, duke u marrë hapësirat e gjelbra. Në Tiranë është bërë gati barcaletë implikimi i njerëzve më të afërt të kryebashkiakut Edi Rama.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe njëherësh i PS-së, Rama është njëri prej kumbarëve që ruan lidhje me botën e paligjshme në Shqipëri. Përfshirja e drejtpërdrejtë e disa eksponentëve të lartë socialistë në afera kriminale si edhe mbështetja që ka marrë nga klanet mafioze, shpjegon edhe ngjitjen e tij të shpejtë në karrierën politike. Qëkurse ka marrë drejtimin e Partisë Socialiste dhe timonin e drejtimit politik të koalicionit të majtë, Edi Rama është prezantuar si armiku numër një i të gjitha nismave dhe përpjekjeve progresive e të vazhdueshme të qeverisë për të prerë lidhjet e krimit me politikën, për të goditur krimin e organizuar, korrupsionin dhe informalitetin, si plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare, që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të vendit.