E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portreti i filozofit të neverisë Levinas


Emmanuel Levinas, lindur më 1906, është një filozof francez me origjinë lituane, ku dhe ka lindur (Kaunas), por i natyralizuar si francez më 1931. Qysh në fëmijërinë e hershme, ai merr një edukim çifut tradicional, të boshtëzuar kryesisht mbi Torah. Më vonë, ka qenë udhëzuar drejt Talmudit nga enigmatiku “Zotëri Chouchani”. Torah e dhënë mësim nga Levinas rrjedh drejtpërdrejt nga mësimet e Zotëri Chouchani.
Ka qenë ndikuar thellësisht nga Edmund Husserl dhe Martin Heidegger, të cilët i ka takuar në universitetin e Fribourg-en-Brisgau dhe që veprën e të cilëve e ka futur ndër të parët në Francë, veçanërisht “Meditime karteziane” të Husserl, si përkthyes i veprës. Puna e tij filozofike ka qenë shënuar gjithashtu nga tradita çifute, dhe nga vetë kushti çifut, ngaqë ai ka qenë i internuar në një kamp robërish lufte çifutë gjatë Luftës së Dytë botërore.
Mësimet filozofike të Emmanuel Levinas janë të përcjella sot në gjirin e Institutit të studimeve levinassiane, themeluar në vitin 2000 nga Benny Lévy, Alain Finkielkraut dhe Bernard-Henri Lévy. I biri i Jehiel Levyne (Levinas) dhe i Déborah Gurvic, Emmanueli është i madhi i një familje prej tre fëmijësh: Boris (lindur më 1909) dhe Aminadab (lindur më 1913). I ati është librar dhe familja flet rusisht. Një profesor i veçantë u mëson të tre fëmijëve hebraishten, duke e nisur nga leximi i Biblës.
Lufta e 1914 e shtyn familjen të ikë në Rusi, në Kharkov (Ukrainë) deri më 1920. Aty, Emmanueli hyn në lice, megjithëse numerus clausus (kufizimi diskriminues) nuk lejonte më tepër se pesë fëmijë çifutë. Aty lexon shkrimtarët e mëdhenj rusë, veçanërisht Pushkinin, Lermontovin, Tolstoin dhe Dostoievskin.
Gjatë viteve ‘20, Levinas shkon në Francë në Strasbourg për të ndjekur studime filozofie (1923-1927). Takon Maurice Blanchot me të cilin do të lidhë një miqësi të thellë.
1928-1929, ai është nxënës, në Fribourg-en-Brisgau (Gjermani) i Edmund Husserl (dy simestra), pastaj i Martin Heidegger (një simestër). Pasi ka mbrojtur tezën e doktoratës – Teoria e intuitës në fenomenologjinë e Husserl (1930), kthehet në Paris. Më 1931, merr nënshtetësinë franceze. Martuar me Raissa (Marguerite) Lévi (1932), ai hyn në Aleancën Izraelite Universale (A.I.U.) nga 1933 deri 1939. çifti Levinas do të ketë tre fëmijë, Elianën, vdekur në moshë të vogël, Simone Hansel (lindur Levinas), mjeke-pediatër, dhe pianistin-kompozitor Michael Levinas.
Mobilizohet më 1939 dhe kapet rob në Rennes; pastaj dërgohet në Gjermani, pranë Hanovre. Mbahet rob në një Arbeitskommando (komando pune) për pesë vjet, ku ishin grumbulluar robërit çifutë të luftës si dhe ca priftërinj katolikë. Megjithatë, aty harton pjesën më të madhe të “Nga ekzistenca tek ekzistuesi”. Pas luftës, jep komente talmudike në Kolokiumet e Intelektualëve çifutë të Francës, të mbledhura në Lexime talmudike dhe Lexime të Reja talmudike. Megjithë parapëlqimin e tij për këtë fushë, ai nuk do ta quajë kurrë veten “talmudist”, domethënë mjeshtër i Talmudit, por “amator, me tërë ngjyresën dashurore të fjalës”. Nga 1964 deri 1975, Levinas do të bëjë një karrierë universitare. Kjo do ta çojë në Universitetin e Poitiers, në Paris-Nanterre, dhe në Sorbonne.
Në vitet 1970 dhe 1980, me ftesën e bashkësisë çifute të Fribourg (Zvicër), Levinas jep ca kurse në Universitetin e Fribourgut (mendim çifut, Husserl, shpjegime dhe hulumtime të Torah).
Emmanuel Levinas vdes në Paris më 25 dhjetor 1995, gjatë festës së Hanukkah.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›