Përballë Bashkisë së “Politikës së Re”
Përballë Bashkisë shurdhe, të një Tirane të zhurmshme dhe plot kaos, në pozicionin e Prefektit erdhi Keltis Kruja, një djalë i ri në moshë, por që i dha një dimension të ri konceptimit të Prefekturës në raport me qytetarin dhe institucionet.
Prefektura që ai drejton, u zhvendos nga një soditëse për problemet e shumta të Tiranës në një denoncuese të hapur të tyre. Nga një institucion për të cilin pak flitej dhe pak dëgjohej, në një institucion i cili pret, ndihmon dhe jep zgjidhje për qindra qytetarë të saj. Në fakt ky institucion, po bën vetëm detyrën e cila për shumë kohë i ishte mohuar qytetarëve të Tiranës.
Por analiza bëhet më e qartë, kur kujtojmë se prefekti i Ri qëndron përballë një Bashkie që me anë të Kryetarit të saj ka propaganduar “politikën e re”. Por denoncimet e vazhdueshme të Prefektit na kanë sjellë në vëmendje shumë të drejta e detyrime, ne si qytetarë dhe Bashkisë së Tiranës kundrejt nesh.
Prefekti i Ri nuk premtoi politikën e re, por menjëherë pas zyrtarizimit, ia ktheu Prefekturën e Tiranës, qytetarëve të saj, duke u bërë zëdhënësi kryesor i tyre.
Me deklarata të hapura, qytetare dhe publike, Keltis Kruja denoncoi detyrimin për daljen e administratës së Bashkisë së Tiranës në mitingjet dhe aktivitetet politike të Partisë Socialiste, gjë që çoi në uljen e mëtejshme të shërbimit për qytetarët e Tiranës, të cilët nuk kishin pse të vuanin aventurat politike të një Kryetari Bashkie, të zgjedhur prej tyre për t’ju shërbyer. Ai disa ditë më vonë denoncoi akoma më fort kaosin që iu shkaktua trafikut në Tiranë nga bllokimi i bulevardit kryesor, çka shkaktoi shumë probleme, jo vetëm kalimtarëve, por dhe bizneseve rreth e rrotull.
Ajo që ishte më shqetësuese ishte pjesëmarrja në këto aktivitete e Policisë Bashkiake e cila ne kundërshtim me ligjin dhe e paguar nga taksat e qytetarëve të Tiranës, mbushte dhe ruante aktivitetet e Partisë Socialiste. Shumë qytetarë e kanë pranuar detyrimin që u vjen atyre për një parkim të gabuar. Shumë të tjerë kanë pranuar edhe stresin që u vjen nga bllokimi i rrotës së makinës nga policët bashkiakë dhe do të ishte e papranueshme që pikërisht nga këta policë bashkiakë, që në emër të trafikut të Tiranës, kanë bllokuar dhe gjobitur qindra makina, të bëheshin bashkëpunëtorë në bllokimin e akseve të Tiranës, rrjedhimisht në shtimin e problemeve për qytetarët e saj. Ajo çfarë me të drejtë u denoncua prej tij dhe u ngrit si një shqetësim madhor ishte pjesëmarrja e Policisë Bashkiake në Kongresin e Partisë Socialiste. Kjo pjesëmarrje është e papranueshme sepse nuk mund të besohet dhe të pranohet që ajo ka ndonjë lidhje ideologjike me Ushtrinë e Kuqe që garantonte dhe mbronte mbarëvajtjen e Kongreseve të Stalinit.
Me mënyrën e tij të drejtuarit të Prefekturës, Prefekti i ri me deklarata publike ka kërkuar që Institucionet përgjegjëse të kthejnë sytë nga qytetarët e Tiranës, pavarësisht emocioneve politike të momentit. Qytetarët e Tiranës sot nuk kanë nevojë për demagogji të politikave të reja, por për politika vepruese ne interes të tyre dhe të qytetit të tyre. Tirana sot nuk ka nevojë për njerëz apo shembuj të një “politike të pashkruar të re”, por për njerëz të cilët sjellin mënyra të reja të drejtuari dhe që bëjnë që institucionet të jenë më afër tyre, të jenë më efektive në shërbimin ndaj qytetarëve.
Pra përballë Bashkisë së “Politikës së re”, fati solli të riun me ide dhe iniciativa të reja, pro qytetare, për të cilat ka nevojë ky qytet, pavarësisht pikëpamjeve politike. Për qytetarët e Tiranës nuk ka rëndësi emri dhe përkatësia politike e individëve, por puna e tyre, sepse do të ishte një mënyrë efektive për të mbyllur pak nga pak plagët e shumta të Tiranës.