E Shtunë, 31 Tetor 2026

Louise BourgeoisPërjetimet surreale

PARIS-Louise Bourgeois (25 dhjetor 1911 – 31 maj 2010), artistja francezo- amerikane, e njohur për skulpturën abstrakte dhe figurative, vdiq
në Nju Jork në moshën 98 vjeçare. E kanë dalluar si artiste të fuqishme bashkëkohore dhe si një nga emrat e shquar të historisë së artit botëror të shekullit XX. Për një publik që lëviz në atmosferat e ekspozimeve muzeore, Louise është autorja e merimangave befasuese. Ndërsa në nekrologji të ndryshme u shkruajt se risitë e artit të saj janë përdorimi i materialeve dhe formave të artit. Por kjo është shumë pak pasi specialistët thanë se ajo çfarë e bën të njohur Bourgeois, është personaliteti i zgjuar dhe i mprehtë që shprehen si devocioni i paepur i artit të kryer prej saj. Bourgeois është një nga skulptorët më të njohur të shekullit XX. Simbolika e lartë, veprat e saj të akuzuara për seksualitet, veprat thellësisht autobiografike dhe të frymëzuara kryesisht nga emocionet e shkaktuara prej marrëdhënieve të ndërsjellta të vetëdijes së saj fëminore me prindërit e saj janë të përfshira në koleksionet e përherëshme të muzeve më të mëdhenj të botës. Ajo para se të vinte në Nju Jork u edukua intensivisht me artin në Francë nën udhëheqjen e Fernand Leger. Në Nju Jork ndoqi vetëm artin e saj unik dhe karakteristik. Ai është në gjendje të marr frymë në një prani të pasur dhe plot jetë ku jetojnë bashkë format surrealiste abstrakte me ato të përfaqësimit real. Thelbi i krijimtarisë së Bourgeois nis me frikën e rënies, më tej u bë arti i rënies dhe së fundmi u bë arti i qëndrimit pezull dhe kjo ishte shumë e vështirë. Ajo punoi shumë instalime, të cilat eksploronin terrenin e fëmijërisë me përjetime surreale, që hyjnë si shikues në terrenin e gjysmë sekreteve. Shpesh Bourgeois thoshte se: “Arti është garancia e një mendje të shëndoshë dhe kam nevojë për kujtimet e mia, që janë dokumentet e mia.”
E vendosur në Nju Jork që nga 1938 u bë e njohur si një grua artiste në kohën kur skena artistike dominohej nga klubi i burrave abstraksionist-ekspresivist të kryesuar nga Jackson Pollock e Willem de Kooning. Ndërsa artistë të tjerë përlesheshin me pikturën për të krijuar vorbullën abstrakte të ngjyrave, Bourgeois prodhoi skulpturën figurative të frymëzuar nga format primitive, duke kanalizuar si rrjedhë burimi të gjithë mënyrën e dëshprimit të saj të zymtë, që e ruante nga kohët e vështira të fëmijërisë. Në të shumtën e jetës së saj ishte e margjinalizuar në mënyrë profesionale. Në fakt u bë e famshme vetëm pas të gjashtëdhjetave dhe në vitin 1992 ishte femra e parë skulptore që hapi një ekspozitë vetjake të tipit retrospektivë në MOMA/Museu i Artit Modern në Nju Jork. Më pas ajo hapi ekspozita në TATE Londër, në muzetë Guggenheim të Barcelonës dhe të Nju Jorkut. Në të gjitha ekspozitat në grup, ku mori pjesë, ishte një zë i forte dhe i përkushtuar. Një herë u tregoi gazetarëve se kishte lindur ditën e Nataleve në vitin 1911, duke shkatërruar festën e të gjithëve. Ndërsa ata po shijonin molusqe deti dhe shampanjë ajo arriti në këtë jetë dhe ata e hodhën poshtë. Iu tha se po e tregonte në formë humori dhe se nuk donte të akuzonte askënd. Dëshironte të dinin se ndjenja e humbjes ishte motivimi i punës së saj dhe jo për t‘iu shmangur frikës, por traumës që shkaktonte braktisja. Burimi i tyre ishin emocionet, kujtesa dhe rikthimi në qenien e fëminisë. Në Guggenheim, Louise Bourgeois shpalli famën e saj të merimangave. Ato e rritën, e bënë të njohur. Ajo prodhoi shumë të tilla, në sajë të porosive të jashtëzakonshme për tu vendosur në natyrë, në sheshe të muzeve të mëdha të artit botëror dhe koleksioneve private. Merimangat nuk mund të mohohen. Ato janë monolite, të frikshme dhe në fund të fundit kanë imazhe të mënyrave interesante. Në deklaratën saj të vitit 1954 ajo shkruan se: “…Pamja e figurave të mia është abstrakte. Dhe për spektatorin mund të mos duken si figura të plota. Ato janë shprehje në terma abstrakte të emocioneve dhe të gjendjeve të vetëdijes. Për veprat e piktorëve të shekullit XVIII, për këtë gjendje, mund të thuhet se bënin “bisedë me pjesën (një pjesë)” ndërsa skulpturat e mia mund të thuhet se bëjnë “bisedë midis pjesëve (disa pjesëve)”....

(d.b/MILOSAO/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›