E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video Prifti-Beqiraj, dosja në Gjykatë

Share

Në limitin e afatit ligjor apo 24 orë përpara se të skadonte edhe kjo zgjatje e afateve hetimore, Prokuroria e Përgjithshme ka depozituar  në Gjykatën e Lartë kërkesën për gjykim për ish-Ministrin e  Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësin e tij, Leonard Beqiraj.

Ata u shfaqën në një video duke ndarë një sasi parash prej 70 mijë eurosh.  Ndaj dy ish-zyrtarëve u ngrit akuza për korrupsion pasiv dhe si provë është administruar një video e regjistruar prej vetë Priftit.

Një muaj më parë, avokati mbrojtës i  Zotit Prifti kishin kërkuar shtyrjen e dorëzimit të dosjes për gjykim me pretendimin se do të paraqisnin disa prova shtesë rreth kësaj çështjeje dhe që sipas tyre do të ndikonin në drejtimin e hetimeve.

Dhe pas një dileme që zgjati edhe një muaj tjetër në një kohë që pritej të zbardhej edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, për ish zv-kryeministrin, Ilir Meta ku argumentohej se Meta shpallet i pafajshëm sepse fakti nuk ekziston, dy prokurorët e çështjes, Anila Leka dhe Bujar Sheshi dërguan si të pandehur Priftin me provën e vetme që me sa duket ata kanë, materialin filmik.

Video-regjistrimi mban datën 10 mars 2010 dhe është bërë publik në një televizion nga Spartak Braho, ish-deputet i LSI-së dhe këshilltar i zotit Ilir Meta në çështjen gjyqësore, duke deklaruar se video është regjistruar nga vetë Dritan Prifti, 10 ditë pas filmimit të videos Meta- Prifti, me të njëjtat mjete filmimi.

Ndërkohë, kohë më parë, vetë personazhet e videos së re kanë deklaruar se video e transmetuar është e cunguar dhe spekulative.

Menjëherë pas publikimit të videos, vetë Prifti tha se paratë që po ndante me zëvendësin e tij ishin pjesë e punës në një biznes privat.

Pas vendimit ndaj Ilir Metës, të cilin e shpalli të pafajshëm, Gjykata e Lartë do të jetë përballë një tjetër procesi për akuzat për korrupsion. Prokuroria bazohet në video-përgjimet e realizuara nga ish-ministri, Dritan Prifti.

Gjatë procesit ndaj Ilir Metës me një vendim të ndërmjetëm, gjykata e refuzoi ekspertizën amerikane për videon ndaj tij, por edhe atë Prifti-Beqiraj, duke e konsideruar të paligjshme.

Nuk dihet nëse Gjykata e Lartë do ti qëndrojë vendimit të marrë po nga kjo gjykatë në rastin Meta, për shkak të një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë në çështje Meta-Prifti, ku për nga shkelja e rregullave për dërgimin me letër-porosi të ekspertizave, Kolegji Penal urdhëroi riekspertimin.

Po kështu, nëse Gjykata e Lartë do vendosë që pas kërkesave paraprake të palëve ta kalojë çështjen në shqyrtim gjyqësor, një pikë e debatueshme në fushën juridike do të jetë sërish një fragment i mëparshëm i vendimit të gjykatës për çështjen Meta, në të cilin shpallet pafajësia e tij me argumentin sepse fakti nuk ekziston./TCH


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›