E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthim në utopi?

19-05-2012 / Nga Guy Sorman

Si Hollande, ashtu edhe Sarkozy paraqesin shtresën e popullatës që ka adoptuar globalizimin, ndërsa i shohin të tjerët si votues rezervë që do të duhej joshur, e jo si një nënklasë e re. Ky botëkuptim sipërfaqësor i populizmit i bën zgjedhjet presidenciale të Francës simptomë kërcënuese për lidershipin e verbër të Evropës

Franca nuk e zë më vëmendjen qendrore në historinë botërore, por megjithatë mbetet një fuqi me ndikim edhe përtej kufijve të saj kombëtarë. Që nga shekulli i tetëmbëdhjetë e tutje – përfshirë rolin epik të Charles de Gaulles në Luftën e Dytë Botërore, dekolonizimin e Afrikës dhe revoltën studentore të majit të vitit 1968 – Franca ishte një prijës i shpeshtë i ndryshimeve të thella shoqërore përreth Evropës.
A do ta vazhdojnë këtë traditë edhe zgjedhjet e fundit presidenciale? François Hollande, njeri i sjellshëm dhe burokratik, bëri fushatë me premtimin të jetë një president “normal”, për dallim nga paraardhësi i tij kolorit, Nicolas Sarkozy – dhe, në të vërtetë, të gjithë paraardhësit e tjerë të tij që nga thellimi i Republikës së Pestë më 1959. Prandaj fitorja e Hollandes mund të jetë një shenjë se shtetet demokratike po bëhen ngurruese, kur bëhet fjalë për udhëheqjen nga presidentët apo kryeministrat pompozë dhe karizmatikë.
Në të vërtetë, kudo nëpër Evropë, asnjë demokraci nuk udhëhiqet më nga një personalitet i fuqishëm apo karizmatik. Italia mbetet nën një administratë të përkohshme, por edhe aty, votuesit duket tua kenë kthyer shpinën sunduesit të stilit rokoko. Evropa nuk e ka më Sarkozyn apo Silvio Berlusconin, por as Margaret Theçerin, Hemlut Kolin ose Hoze Maria Aznarin. Në kohën e krizës ekonomike dhe asaj institucionale në Evropë, të gjithë liderët evropianë duket të jenë jashtëzakonisht normalë. Për shumicën, triumfi i normales karshi karizmatikes duhet të jetë shkas për festë. Demokraci është kur qytetarët normalë zgjedhin një burrë apo grua normale për t’i udhëhequr për një periudhë të caktuar kohore, varësisht nga rregullat e parapara në shtetet e caktuara.
Mirëpo trendi drejt normalitetit në mesin e liderëve evropianë koincidon me një mungesë të jashtëzakonshme vizioni dhe strategjie. Edhe nëse ndonjëri prej këtyre liderëve normalë ka një strategji afatgjate për Evropën (a mund ndokush ta imagjinojë një gjë të tillë nga kryetari i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy apo supremes së politikave të jashtme të BE-së, Catherine Ashton?), ata janë jashtëzakonisht të paaftë për ta përçuar atë.
Në rastin e Hollandes, jehonat e rralla të një vizioni gjithëpërfshirës kujtojnë demokracinë e suksesshme sociale të Francës në vitet 60: një shtet i fuqishëm në aspektin e mirëqenies, bashkë me investimet e bollshme publike për të ringjallur rimëkëmbjen ekonomike dhe krijuar vende të reja pune. Pika e referencës e Hollandes duket të jetë një idili post-luftë e rinisë së tij, e një kohe të rritjes së shpejtë, rimëkëmbjes demografike, emigrimit të paktë dhe konkurrencës së vogël globale. Me fjalë të tjera, Hollande do të tentojë të joshë liderët e tjerë evropianë me vizionin e një bote që nuk ekziston më. Kjo politikë e nostalgjisë është problematike, jo vetëm për shkak se Franca dhe Evropa konfrontohen ashpër për ndryshimet ekonomike, por po ashtu edhe pse Franca dhe demokracitë e tjera janë të konfrontuara me sfidat e vërteta të legjitimitetit të tyre. Në përgjithësi, zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në Francë mund të mbahen më së miri mend jo aq shumë për fitoren e Hollandes dhe triumfit të normalitetit, por si një hap i vendosur në marshin e gjatë të partive populliste drejt pushtetit. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, e majta ekstreme, një koleksion i larmishëm i antikapitalistëve dhe ambientalistëve radikalë gjeneroi 14 për qind të votave. Në të djathtën ekstreme, Fronti Nacional i Marine Le Pen, trashëgimtarja politike e fashizmit francez, fitoi 18 për qind të votave, duke shënuar rezultatin më të mirë ndonjëherë të partisë.
Me fjalë të tjerë, një e treta e votuesve francezë tash tërhiqen nga kandidatë me ideologji ekstreme që ndajnë një kundërshtim antiliberal për euron, kapitalizmin dhe globalizimin. Të dyja palët i gjejnë rrënjët e tyre në një të kaluar të idealizuar: Revolucionin francez dhe premtimin egalitar të tij për një të majtë ekstreme, dhe Perandorinë franceze e dominimin e saj në mesin e njerëzve jo të bardhë të botës për një të djathtë ekstreme. Për më tepër, të dyja ekstremet janë fuqimisht nacionaliste. Me bindjet që kanë se Franca duhet të veprojë e vetme, ata do ta mbyllnin ekonominë ndaj konkurrencës së huaj, do të shtypnin tregjet financiare dhe do t’i dërgonin emigrantët prapa në vendlindjet e tyre. Kjo konvergjencë shkon përtej paarsyeshmërisë së përbashkët të agjendave të tyre. Si e majta ekstreme ashtu edhe e djathta ekstreme bazën e mbështetjes së tyre e gjejnë në mesin e numrit të madh të francezëve që ndihen ekonomikisht të pasigurt dhe politikisht të mangët – në esencë, të gjithë ata që e perceptojnë veten si pa mundësi në një shoqëri të hapur.
Lloji i mortalitetit të Hollandes nuk duket se u përshtatet këtyre votuesve popullistë. Mirëpo përjashtimi i tyre nuk do të ishte një gjë e mençur, për shkak se aspiratat e tyre utopiane bazohen në shqetësime të vërteta dhe legjitime. Rritja e ngadaltë dhe globalizimi kanë ndarë të gjitha shoqëritë evropiane – dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – në dy klasë: në ata që për shkak të arsimimit dhe kapitalit social nuk janë në gjendje që të përballen me ekonominë e globalizuar të së sotmes dhe në ata që i përkasin shtresës së paguar dobët, shpesh nëpër vende të përkohshme pune (dhe këta më së shpeshti preken nga konkurrenca që vjen nga emigrantët legalë dhe ata ilegalë).
Asnjë lider i ri evropian, përfshirë edhe Hollanden, as që e përmend këtë ndarje të re. Në të vërtetë, si Hollande ashtu edhe Sarkozy paraqisnin atë shtresën që kishte adoptuar globalizimin dhe i shihnin të tjerët si votues rezervë që do duhej joshur, e jo si një nënklasë e re. Ky botëkuptim sipërfaqësor i populizmit i bën zgjedhjet presidenciale të Francës simptomë kërcënuese për lidershipin e verbër të Evropës. E fasada e normalitetit nuk mund t’u bëjë ballë rreziqeve të vërteta, që kërcënojnë themelet e shoqërive evropiane.

Guy Sorman, filozof dhe ekonomist francez, është autor i librit: “Ekonomia nuk gënjen”. Shkrimi është botuar së pari në “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›