“Edi Rama la pa asfaltuar 250 km rrugë në Tiranë, për atë ekzistonte vetëm qendra”
Kryeministri Sali Berisha bashkëbisedon me fermerët e qarkut të Beratit Kryeministri Sali Berisha theksoi dje, në një bashkëbisedim me fermerët në ambientet e pikës së grumbullimit Mystehak, në fshatin Goriçan të Beratit, se suksesi në rritje i tyre është një nga qëllimet më madhore të Qeverisë. "Ne jemi të bindur se Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar, pa një fshat të zhvilluar në shkallën e fshatrave të vendeve të zhvilluara. Në 2005 ne përcaktuam këtë objektiv, që në pamje të parë dukej utopik, aspak realist. Ne përcaktuam detyrën tonë që kudo në Shqipërinë rurale të ndërtohej e njëjta infrastrukturë me lagjet e qyteteve. Të ndërtonim rrugë, kanale vaditjeje, shkolla, kanalizime me të njëjtat standarde me lagjet e qytetit", tha Berisha. Ne, vijoi Kreu i Qeverisë, "i jemi përmbajtur këtij realiteti kur ishte e paimagjinueshme. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1100 shkolla në fshatrat e vendit. Këta që na thoshin se nuk ekzistonin aq kilometra rrugë në Shqipëri, këta harrojnë relievin e Shqipërisë, që është një nga relievet më të vështira. Sot kemi arritur 8 mijë kilometra rrugë, do të shkojmë në 10 mijë kilometra. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, aty ku fëmijët në fshat do ulen në banka si fëmijët e qytetit". Sipas Kryeministrit Berisha, "kreu i PS, që u përzu me votë nga Bashkia e Tiranës, ka lënë pa asfaltuar në qytetin e Tiranës 250 kilometra rrugë dhe rrugica sepse për ta ishte qendra, dhe unë ndjehesha jo mirë. Kur shkoja në komuna të Durrësit, Krujës ishin të asfaltuara, ndërsa në Tiranë nuk ishin. Kemi një politikë përkushtimi të plotë dhe bëjmë gjithçka për përkushtimin tuaj. Megjithatë më të shumtën e bëni ju vetë. Ne synojmë përfundimin e infrastrukturës rrugore që të keni rrugë si fermerët europianë", tha Berisha. Në Berat, shtoi kreu i qeverisë, "janë subvencionuar mbi 2600 hektarë, ne do ta trefishojmë këtë. Hapja e Shqipërisë ndaj turizmit ka sjellë në Shqipëri 4.7 milionë turistë, një treg më të madh për prodhimet tuaja. Hapja ka sjellë eksportet që janë trefishuar. Kjo është një rrugë e mundimshme. Nëse vendoset tani taksa progresive, taksa e lartë, pse do vihet, s’ka asnjë motiv. Jam i bindur se keni mençurinë, praktikën për të bërë zgjedhjen dhe zgjidhjen që ju nevojitet më shumë", tha Berisha. Kryeministri Berisha përuroi dje gjithashtu përfundimin e rikonstruksionit të rrugës Kutalli-Goriçan-Hinke, financim i BERZH dhe BEI dhe qeverisë shqiptare me vlerë 175, 353, 748 lekë, me gjatësi 8.2 kilometra, gjerësi asfalti prej 5.75 m, me bankina anësore 0.5 m në të dy anët e rrugës. Kryeministri zhvilloi dje edhe një vizitë në kompleksin e serave të firmës Toana në Gorican. Zoti Sula, i cili është edhe pronari i kësaj sere, ka filluar aktivitetin në vitin 2006, duke importuar një serë posaçërisht për prodhim fidanësh e perimesh. Ky është një investim privat, me vlerë 87.3 milion lekë. Sera shtrihet në një sipërfaqe prej 6,000 m2, nga të cilat 1,500 për prodhim të fidanëve të perimeve për serat dhe 4,500 m2 për prodhim perime. Prodhimi vjetor i saj është 2 milion rrënje fidanë perimesh, 100 ton perime në vit. Në të janë 8 punonjës të përhershëm dhe si sezonalë punësohen 35 familje të fshatit Goriçan.
...