This is a Gabim of Doktori
Në diktaturë jo të gjithë shkonin në plazh e në stadium, jo të gjithë fejoheshin e martoheshin, jo të gjithë hanin dreka e darka e këmbenin qoka. Kishte edhe si unë e im’ vëlla, për shembull, që gjithë kohën pështynim gjak mbi surratin e shtetit të halabakëve. Dhe, pavarësisht se s’ia arritëm, deshëm edhe të arratiseshim. Aq e madhe ishte neveritja, pështirosja, krrupa për kohën e zezë të kopilave të stepave, sa, prej shumë e shumë të tjerëve që provuan të arratiseshin me të cilët kam folur para dhe pas ‘90-ës, nuk ka ndodhur kurrë, me asnjërin dhe asnjëherë të vetme, të llogariste pasojat tragjike që do vuanin të afërmit. Sado e çuditshme dhe i pabesueshëm të duket ky pohim, as mendja na vajti tek vuajtjet e të afërmve që do mbeteshin. Hiç mos i zgurdullo sytë o lexues; Ajo që po dua të them është pikërisht ajo që thashë; Arratisja nuk kishte brenda asgjë antihumane. Përkundrazi, ishte një akt sublim. Akt i panegociueshëm. "Pika" e vetme e referimit të të cilit akt ishte 360 gradë, i gjithë horizonti i urrejtjes së pafundme ndaj fëlliqësirave të kohës.
Shporruni frikacakë të neveritshëm, materialistë të ndyrë, moralistë të pështirë, që në vend që ta neverisni diktaturën përgojoni heronjtë që sfiduan skëterrën; Për guximtarin që provonte sfidën dhe rreziqet, veprimi për tu arratisur ishte diçka e natyrshme, e vetvetishme, e padiskutueshme, Urdhër i Zotit.
Tabloja e sotme e përndjekjes shqiptare, tablo krejtësisht materiale bërë nga "ustallarët", më të përndjekur që luten e presin me gjak të ngrirë me sytë mbërthyer mbi listat emërore të dëmshpërblimit me shifra dhe afate dhe këste, duke mos pasur asnjë lidhje me të vërtetën, është pafundësisht ofenduese.
Shembulli i mësipërm, me të arratisur që s’pyesnin, dhe as mendja u shkonte, për nënë e babë e burgje e internime, është besoj prova më e mirë ilustruese se thelbi, palca, qeliza, ADN-ja e përndjekjes shqiptare nuk ka qenë kurrë sasiore/materialiste, por vetëm cilësore/idealiste.
Pjesë e kësaj tabloje të përçudnuar, pohimi absurd dhe kriminal që po thuhet apo po nënkuptohet sot aq shpesh, sipas të cilit veglat e zellshme të dhunës; oficera, hetuesa, gjykatësa, prokurorë, dhe turlilloj burokratësh, kanë bërë detyrën, dhe, si të pafajshëm, tani e tutje s’kanë ç’bëjnë tjetër veçse të japin intervista nëpër gazeta, ndërsa të gjithë të përndjekurit atëhere kanë qenë ca spiunë, ndërsa sot janë ca zgjebo të leckosur lypsarë pa asnjë ideal të mirëfilltë që s’flasin për gjë tjetër veçse për pak lekë, këste dhe afate dëmshpërblimi, është tejet revoltues. Revoltues dhe llahtarisës sepse nuk ka, nuk bën, nuk paraqet, nuk shpreh, absolutisht asnjë ndryshim, asnjë dallim, asnjë ndryshim, asnjë distancë, mes pakicës së persekutuar dhe shumicës persekutonjëse të atëhershme, me të njëjtën pakicë të persekutuar dhe shumicë persekutonjëse e sotme.
Të ndreqet ky gabim.
U bë si u bë nga dashamirësia dhe mëshira në atë fillim, duke mos e njohur sa duhet përndjekjen, tani duhet ndrequr.
Meqenëse, si e thamë në krye, "çudia" më e madhe, ajo e braktisjes së të afërmve nëpër burgje dhe baltra internimesh për hir të arratisjes, ka ndodhur, që të mos u prishet terezia delikatëve dhe rehatlinjve e të mos nisin e bërtasin, të bëjmë një "çudi" më të vogël;
Ta abrogojmë Ligjin mbi dëmshpërblimin material për të përndjekurit politikë të diktaturës.
Do shfryjë shumica e shqiptarëve; Uhhhhh, ramë rehat.
Do jetë e para dhe e fundit ofshamë keqardhëse hipokrite e shqiptarëve për shqiptarët.
Do ketë vetëm të mira po u abrogua ai ligj.
Do shtrembërojnë turinjtë dhe do bëjnë për pak kohë mjau-mjau nëpër kafenera një numër ish-të përndjekurish që nuk kanë pasur as nuk kanë asnjë lidhje me Idealin e lartë dhe të shenjtë të Lirisë.
Por do lehtësohen shumica e të përndjekurve. Ata që nuk sakrifikuan, dhe as mendja kurrën e kurrës nuk u vajti të sakrifikonin për lekë, por vetëm për Liri.
Po nuk u bë ky pastrim, plaga do mbetet e hapur dhe do rrjedhi qelb gjithë kohën, dhe koka, dhe kockat, dhe mishrat e të gjithëve, do na dhembin përgjithmonë.
Një nga të dyja;
Merr ca lek të qelbura duke zgjatur dorën si lypës materialist/egocentrist duke pritur pafund për këste dhe afate të neveritshme rrethuar nga të katër anët me epitete dhe dyshime, dhe sidomos turp,
Ose asnjë lek, dhe rrjedhimisht asnjë turp.
Të përndjekurit nuk kanë impakt elektoral. Po të kishin të përndjekurit impakt elektoral, deri tani do kishin bërë Partinë e tyre dhe askush nuk do merrej me këste dhe afate. Fakti që i gjithë komuniteti i të përndjekurve, pavarësisht nga tektonikat e opinionit, nuk ka rënë në sy për asnjë variacion preferencial, e provon.
Megjithatë, për të qetësuar një pakicë të zhurmshme, të cilën pakicë, me gjasa argumentet e mësipërm nuk e bindin, pa hequr dorë kurrsesi nga abrogimi i ligjit, një zgjidhje rehatuese mund të jetë kjo;
Pas abrogimit të ligjit, dokumentet mbi masën e deritanishme të dëmshpërblimit të ruhen. Të hapet një llogari bankare. Të ftohen shqiptarët e Shqipërisë dhe të botës të hedhin në atë llogari secili sa mundet për një çështje të cilën, të paktën në dukje, ata e konsiderojnë unanimisht të rëndësishme; Për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë të diktaturës.
Duket e arsyeshme. Dhe shifra që në këtë eventualitet do mblidhej, mund të ishte bajagi e madhe. Por nuk është zgjidhje e aplikueshme. Sepse unë që shqiptarin e njoh me nofull e me qellëz, me kockë e me mish, me qelizë e me ind, ja ku po ua them; Shuma që të gjithë shqiptarët e planetit do depozitojnë për ata që vuajtën llahtaritë e diktaturës, do jetë Zero. Po doli ndryshe merrmani kokën, pritmani mbi trungun e kasapit.
Prandaj, veç asaj të abrogimit të ligjit, s’ka asnjë zgjidhje tjetër.
Të marri fund kjo komedi. Se komedi ishte. Që s’është e para në botë. Se si kjo, ka pasur, ka, dhe do të ketë.
Nuk durohet ndotja e Idealizmit me materialitet. Është ofendimi më i madh. Është përdhosja më e padenjë. Është poshtërimi më i pamerituar.
Të ndreqet ky gabim me abrogimin e Ligjit për dëmshpërblimin e përndjekjes.
Ç’keni që hidheni përpjetë o legena?
Unë, pasi të abrogohet ligji i turpshëm, do humb një gjë të paçmuar, aureolën e Atij që vuan zullumet e të tjerëve. S’ka problem. Jam mësuar të vuaj.
...