E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pavarësia dhe integrimi i Kosovës, kontribut për sigurinë në rajon”

11-04-2013 / Gazeta 55

Presidenti Nishani në Samitin e 16-të Ekonomik Euroaziatik në Stamboll
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani ndodhet në Turqi, në kuadër të Samitit të 16-të Euroaziatik të Ekonomisë, i cili po mbahet në qytetin e Stambollit në datat 9-11 prill.
Në çelje të samitit, Presidenti Nishani mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi ndër të tjera se Shqipëria mbetet një faktor gjeopolitik thelbësor për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria mbetet partizane e forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
Më pas Presidenti Nishani u shpreh se pavarësia e Kosovës u provua si një faktor stabiliteti në rajon, ndërsa tha se njohja sa më shpejt e Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur dhe integrimi euroatlantik i saj janë kontribut për sigurinë në rajon e më gjerë. Sipas Kreut të Shtetit angazhimi i përbashkët i vendeve të rajonit dhe Euroazisë do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik dhe ndryshimit të imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota. “Projekte madhore rajonale dhe më gjerë për ndërtimin e tubacioneve të gazit dhe të naftës janë, ‘Trans Adriatic Pipeline’ (Projekti TAP) është rruga më e shkurtër e Korridorit Jugor të Gazit, që lidh Evropën me burimet e reja të gazit në rajonet e Kaspikut dhe Lindjes së Mesme. ‘Korridori 8-të’ është nismë e filluar nga viti 1996 nga Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton. Sipas iniciatorit, ky korridor do të kalojë nga Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria për të kaluar në Bari/Brindisi ose siç u quajt më vonë Korridori Lindje-Perëndim dhe anasjelltas. Projekti Jonian Adriatic Gas Pipeline – (Projekti IAP) është një projekt i propozuar për ndërtimin e tubacionit të gazit natyral nga Fieri, Shqipëri përmes Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës deri në Split, Kroaci. Terminali LNG, në bregdetin e zonës së Fierit është një terminal që do t`i shërbente transportimit të gazit natyror drejt Evropës përmes Italisë. Vullneti ynë i përbashkët për të vepruar dhe vizioni i qartë janë garanci për një të ardhme të sigurt në një botë plot sfida dhe rreziqe”, theksoi Nishani.
Në këtë samit marrin pjesë presidentë, kryeministra, ish-presidentë, ministra, diplomatë, deputetë e zyrtarë të nivelit të lartë, nga vende të ndryshme të rajonit të Euroazisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›