“Edi Rama lidership pa vizion, e ka kthyer PS-në në ditë të hallit”
LSI dënon qëndrimin e PS për të penguar hapjen e Shqipërisë drejt perëndimit
Lëvizja Socialiste për Integrim vijon të mbajë rolin e protagonistes në zhvillimet e së majtës shqiptare. Luan Rama, Sekretari për Marrëdhëniet Publike në LSI, në një konferencë për shtyp të ditës së djeshme, ka tërhequr vëmendjen për gjendjen e mjerueshme politike që mbizotëron tek PS-ja, interesat e së cilës po përqendrohen tek bllokimi i reformave që e afrojnë vendin me BE-në.
“Dëshiroj të nënvizoj faktin se e gjithë vijë sjellja politike e kryetarit jo socialist të Partisë Socialiste rezulton të jetë fund e krye një demagogji e shndërruar në një parodi tallëse e fyese, në radhë të parë për vetë socialistët, të cilët nuk i bashkon asgjë me interesat e ngushta që mbron dhe përfaqëson kryetari dhe enturazhi i tij jo socialist që ka uzurpuar Partinë Socialiste. Në mënyrë djallëzore dhe të qëllimtë Kryetari jo socialist i PS-së po e paraqet problemin si një çështje kutish. Jo, nuk është çështje kutish, është çështje Kushtetute, është çështje parimesh themelore mbi të cilat ngrihet dhe funksionon një shtet demokratik. Edi Rama synon të shembë kushtetutshmërinë e vendit dhe të institucioneve që zbatojnë kushtetutën, synon të institucionalizojë praktikën antidemokratike të mos njohjes së autoritetit të pavarur të gjykatave, duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm që do të përhapej si një virus kundër demokracisë dhe institucioneve kushtetuese edhe në vendet e tjera të Ballkanit e deri në republikat e Kaukazit”, u shpreh zyrtari i lartë i LSI.
Sekretari për Marrëdhëniet Publike, Luan Rama deklaroi se “kur ne socialistët e bëmë vendin me Kushtetutë përmes një kalvari sakrificash e përpjekjesh që dinë t’i përballojnë të gjithë ata që duan dhe mbrojnë interesat e vendit, nuk kishim nga ata që dinim se në një natë okulte kryetari jo socialist i Partisë Socialiste do ta ndryshonte Kushtetutën me të njëjtën papërgjegjshmëri që po trajton edhe vetë Partinë Socialiste, interesat e votuesve dhe mbështetësve të saj që janë po aq edhe interesat europiane të të gjithë qytetarëve shqiptare që po shohin se si nën pretendimin absurd për hapjen e kutive në fakt po synon të pengojë hapjen e kufijve dhe lëvizjen pa viza të shqiptarëve në BE”, u shpreh Rama.
Duke u ndalur në këtë pikë, Luan Rama nënvizoi se, “kryetari i PS-së në vend që të dëgjojë e të reflektojë në përputhje me interesat e vendit, na thotë se do të thërras popullin në rrugë për të interpretuar kushtetutën, kur po ky njeri, as një vit më parë kur ndryshoi kushtetutën dhe kur ne kërkonin Referendum për ndryshimet Kushtetuese thoshte se populli nuk është i aftë të interpretojë Kushtetutën, Partia Socialiste është sot në pikë të hallit; pa lidership vizionar, pa institucione dhe forume që të shprehin dhe mbrojnë demokracinë e brendshme në parti, pa përfaqësim parlamentar, pa alternative tjetër përveç bojkotit e rrugës, pa miq dhe aleate ndërkombëtare te cilët i ka patur më të shumtë edhe kur sapo që krijuar më 1991. Prandaj, i ftoj kolegët e bashkëluftëtarët e kohëve të vështira kur krijuar, forcuam e modernizuam Partinë Socialiste dhe e bëmë atë forcë qeverisëse të vendit që të mos pranojnë që dikush të tallet me ta e ti dërgojë të bëjnë roje në pallate klientësh, por të shkojnë në Kuvend e të bëhen roje e interesave të vendit e të dëshmojnë se nuk janë peng i atyre interesave që kanë marrë peng kryetarin e tyre jo socialist”, konkludoi zyrtari i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.