E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Soares paralajmëroi Ramën për djegien e mandateve pas 6 marsit

Aldo Bumçi në emër të PD-së përshëndet qëndrimin e OSBE-së

Partia Demokratike ka reaguar dje zyrtarisht lidhur me deklarimin e presidentit të Asamblesë së OSBE-së. Përmes një deklarate për shtyp të deputetit Aldo Bumçi, përfaqësues i parlamentit shqiptar pranë OSBE-së, PD i apelon kryesocialistit Edi Rama që t’i lexojë drejt këto reagime të ndërkombëtarëve.
Gjithashtu, Bumçi përgënjeshtron keqpërdorimin e deklaratës së Soares, prej kryesocialistit Edi Rama. “Jam para jush për të përshëndetur edhe një herë deklaratën e Presidentit Joao Soares të cilën ai jua lexoi personalisht shqiptarëve nëpërmjet mediave të tyre. Deklarata e datës 18 Shkurt u bë pas takimeve që Presidenti Soares pati me Jozefina Topallin dhe Edi Ramën, në të cilën ai deklaronte pas këtij takimi, mbështetjen dhe vlerësimin e OSBE-së për zgjedhjet e 28 Qershorit. Në këtë mënyrë Presidenti Soares i është përgjigjur të gjithë atyre që duan të injorojnë vlerësimin e OSBE-së për zgjedhjet. Së dyti, në vlerësimin e OSBE-s për zgjedhjet hidhet poshtë çdo lloj akuze për manipulime pasi raporti konfirmon se,“nuk ka pasur asnjë provë asnjë evidencë se zgjedhjet janë manipuluar ose votimi ka qenë i parregullt. Së treti, Presidenti Soares thekson se ndonëse këto zgjedhje shënuan një përparim të qenësishëm të vendit një numër çështjesh të rëndësishme për procesin zgjedhor duhet të përmirësohen, si dhe pretendimet e opozitës për mashtrime duhet të shqyrtohen”, u shpreh Bumçi.
Ai deklaroi se Partia Demokratike garanton Presidentin Soares dhe Asamblenë Parlamentare të OSBE-së se është e gatshme të përmirësojë së bashku me opozitën të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR si dhe të shqyrtojë të gjitha pretendimet e opozitës të bazuara në fakte dhe prova dhe jo në shpifje.
“Më duhet të theksoj se deri më sot Edi Rama nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme për të faktuar akuzat e tij. Presidenti Soares ju bën thirrje të përsëritura deputetëve që të zënë vendet e tyre në parlament dhe të pranojnë mandatin e tyre parlamentar. Në fjalën e tij në seancën e hapjes së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Presidenti Soares deklaroi se 6 Marsi është dita e fundit e skadimit të mandateve. I bëj thirrje Edi Ramës të lexojë me korrektësi deklaratën e Presidentit Soares lidhur me komisionet hetimore (po citoj): ‘Unë mirëpres gatishmërinë e dy palëve për të marrë pjesë në komisionin parlamentar i cili do të kryejë një hetim të plotë të zgjedhjeve duke respektuar kushtetutën dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese’”, tha Bumçi, duke shtuar se për çdo njeri që e lexon këtë deklaratë duket e qartë se presidenti Soares mirëpret vullnetin e palëve për të marrë pjesë në komisionin hetimor pasi siç dihet që pjesëmarrja në komision nuk është e detyruar, por Partia Demokratike ka deklaruar se do të marrë pjesë.
“Presidenti Soares nuk mbështet kërkesën e Edi Ramës për të pasur shumicën në komisionin hetimor pasi këtë nuk mund ta kërkojë askush, ndërkohë që PD-ja ka ofruar këtë koncesion PS”, tha ai.
Deputeti demokrat vërejti se Presidenti Soares flet për hetim të plotë në respekt të plotë të ndarjes së pushteteve dhe shtetit ligjor.
“çka duhet të theksoj se përputhet plotësisht me vendimin e PD-së për të hetuar çdo gjë përveç çështjeve që kanë trajtuar gjykatat. E mbyll këtë deklaratë duke informuar qytetarët shqiptarë se parlamentarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga të gjithë vendet e Europës plus SHBA dhe Kanada të cilët kanë marrë pjesë direkt në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri kërkuan në shumë deklarata të tyre ndalimin e bojkotit dhe kthimin e opozitës në kuvend”, deklaroi më tej, deputeti i PD, Aldo Bumçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›