Kujtojnë shembjen e diktaturës hoxhisto-ruçiane, përmes lëvizjes studentore
Lëvizja “Dhjetor ‘90” dhe protagonistët e 20 shkurtit 1991 mblidhen në “Qytetin Studenti”
Përfaqësues të lëvizjes së dhjetor ’90-ës dhe protagonistët e 20 shkurtit të ’91-shit, aso kohe studentë, një pjesë e të cilëve aktualisht janë deputetë dhe funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, u mblodhën dje në sheshin “Demokracia” të Qytetit Studenti, për të përkujtuar triumfin e lirisë mbi diktaturën më të egër që ka njohur njerëzimi. Lëvizja studentore e dhjetorit të ftohtë të vitit 1990, arriti kulmin kur afro 700 studentë u ngujuan në një nga godinat e qytezës, duke kërkuar largimin e makinerisë shtetërore komuniste, e cila veç përndjekjeve, burgosjeve, varjeve e pushkatimeve, nuk sillte kurrfarë zhvillimi tjetër në dobi të qytetarëve, në dobi të fëmijëve, të të rinjve, të moshuarve etj.
Makina shtetërore komuniste e plakur së tepërmi nga gjaku i shqiptarëve, u sos nga kryengritja e studentëve nga të gjitha trevat e Shqipërisë, të cilat mbeten edhe emblema e demokracisë.
Këtë ditë të shënuar, 20 shkurtin e rënies së bustit të diktatorit gjakatar Hoxha në qendër të Tiranës, e përshëndetën deputetët e PD, ish studentë të lëvizjes dhjetoriste, Rajmonda Bulku dhe Tritan Shehu, të cilët shprehën ndjenjën më të lartë të respektit për të gjithë studentët dhe të rinjtë që shënuan fundin e diktaturës hoxhiste dhe ruçiane.
Më 20 shkurt, pas thyerjes së gardhimit të policisë, turma e njerëzve iu ngjit shtatores së diktatorit Hoxha, e cila brenda pak minutash ra dhe u zhduk mes turmës, për tu zvarritur më pas drejt “Qytetit Studenti”, si shenjë e fitores mbi të keqen më të madhe që ka njohur njerëzimi.