Lajme kontradiktore për mbylljen e bojkotit. Harasani thotë se Edvini s’bën opozitë, por po kërkon rrogat
Falë presionit të ndërkombëtarëve dhe vetë deputetëve socialistë, kryesocialisti Rama ka vendosur që në seancën e së enjtes 25 shkurt të dërgojë grupin parlamentar në sallën e Kuvendit për të bërë të vlefshëm mandatin e fituar në 28 shkurt, njoftoi sot rrjeti televiziv kombëtar tvKlan. Lajmi edhe pse jo zyrtar është konfirmuar nga përfaqësues të grupit parlamentar socialist. Por, skenari i Ramës është që pas këtij hapi, që do të mundësojë që mandatet e socialistëve të mos digjen, të vijohet sërish me bojkotin. Deputeti Andis Harasani në një intervistë për këtë rrjet televiziv komenton këtë lëvizje të planifikuar të Ramës. Harasani shpreh keqardhje, që kryetari i tyre pas 7 muajsh që në njëfarë mënyre luftoi për të gjetur armiq të brendshëm në parti, po shfaq qendrime të njejta me këta armiq të hamendësuar. “është një nga rastet e pakëta kur të vjen keq që debatet për 7 muaj rresht, të cilat na shkaktuan kosto dhe pas 6 muajsh dhe rezolutës së OSBE-së vijmë në të njëjtin qendrim, në të njëjtin qendrim të ndërkomëbtarëve se PS duhet të ndërpresë bojkotin. Por Edi Rama edhe me tentativën e 25 shkurtin, s’po shkon në parlament për të bërë opozitë, por për të ruajtur privilegjet e rrogat”, thotë Harasani. Ai deklaron se do të luftojnë për të qendruar në Parlament, për të bërë një opozitë reale dhe për të mundësuar fitoren në zgjedhjet lokale. “PS duhet të kthehet aty ku i takon. Të mos përgatitet për zgjedhje të parakohshme, të cilat janë të pamundura me ndryshimet e fundit kushtetuese, por për zgjedhjet e afërme vendore” thotë ai.
...