“Edi Rama mashtrues, na sakrifikoi për 2013, të cilën paraprakisht e ka të humbur”
Aleatët, Milo, Dule e Ndoka, të tradhtuar nga Rama, paralajmërojnë shkëputjen nga koalicioni me PS
Partitë e vogla të opozitës ndihen të tradhtuara e të zhgënjyera nga qëndrimi që Partia Socialiste mbajti për reformën zgjedhore dhe mbi të gjitha për faktin se braktisi kërkesën e tyre për korrektim të sistemit zgjedhor. Krerët e partive opozitare theksojnë se partia më e madhe në opozitë përmes këtij qëndrimi vulosi fatin e saj për të qëndruar në opozitë edhe pas zgjedhjeve të 2013.
Në deklaratat e tyre, drejtuesit e forcave politike, pjesë e Opozitës së Bashkuar, theksojnë se tashmë do të shohin alternativa të tjera bashkëpunimi politik, duke iu shkëputur njëherë e mirë aleancës me socialistët.
Një ditë pasi komisioni për reformën zgjedhore mbylli punimet pa marrë në shqyrtim kërkesën e partive të vogla për korrektim të sistemit elektoral, kreu i PDS-së, Paskal Milo tha se me këtë reformë po planifikohet një komplot tjetër ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Ai paralajmëroi se aleatët do të ulen edhe një herë në tavolinë me kreun e PS-së Edi Rama dhe nëse kërkesa e tyre nuk pranohet, atëherë do të shihen alternativa të tjera brenda së majtës.
“Ne e cilësojmë kompromisin PD-PS si një zgjidhje të dëmshme për procesin e ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare, si një reformë të ngutshme e cila deformon zbatimin e kushtetutës për sa i përket barazisë së votës. Është një reformë që nuk arriti në substancë të realizoj kërkesa legjitime të partive për të garantuar zgjidhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Milo.
I ashpër në reagimin e tij ishte kreu i Demokristianëve, Nard Ndoka i cili u shpreh se Edi Rama firmosi me dorën e tij humbjen e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.
“PS në një farë mënyre është fajtore për sa i takon kodit zgjedhor. Faji i saj i parë është që në mënyrë të njëanshme në vitin 2008 e morri ajo iniciativën për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe për fatin e keq po të njëjtët njerëz që përsëritën këto gabime sërish, vazhdojnë të prodhojnë demokraci duke u përpjekur që të jenë të pafajshëm në sytë e partive të tjera politike apo dhe të opinionit. PS vulosi fatin e saj për të qëndruar në opozitë edhe pas zgjedhjeve të 2013”, u shpreh Nard Ndoka, kreu i PDK.
Edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule lëshoi kritika ndaj draftit përfundimtar të reformës, që sipas tij nuk arriti të mundësonte një KQZ jo militante, nuk ndryshoi sistemin dhe nuk mori në konsideratë propozimin e kësaj partie për numërimin e votave të emigrantëve.
“Ne ishim dhe insistojmë se një strukturë e administrimit zgjedhor që nga KQZ e deri te komisionet e nivelit të dytë dhe të tretë do të ishte më e përshtatshme që të mos bëheshin nga militantë partiakë, po nga pjesëtarë të shoqërisë civile apo sektorëve të caktuar të administratës të cilët me më shumë devotshmëri do i shërbenin procesit, duke u krahasuar me militantët partiakë”, tha Dule.
Pas arritjes së konsensusit mes partive të mëdha komisioni arriti të mbyllte reformën duke zgjedhur dakordësi për tri çështje delikate, mënyra e përdorimit të teknologjive në zgjedhje, mënyra e marrjes së provave në kutitë e materialeve zgjedhore dhe riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.