E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria, hapa të rëndësishëm drejt integrimit”

13-07-2012 / Gazeta 55

Përkujtohet në Tiranë dita e festës kombëtare, Pavarësisë së Francës

Përkujtimi i 14 korrikut 1789, ditës së Pavarësisë së Francës mblodhi ne ambientet e ish-shtëpisë qendrore të ushtrisë personalitete të rëndësishme të shtetit shqiptar dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme.  I pranishëm në këtë festë ishte dhe kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeverisës.
Në fjalën e saj ambasadorja franceze Moro, falënderoi të pranishmit “për pjesëmarrjen në ambient të veshur me ngjyrat e Francës, në ditën e festës kombëtare. Jemi mbledhur në një festë që i tejkalon kufijtë tanë. Më 14 korrik 1789 është nisja e një aventure të madhe, një prej atyre datave historike që ndan kufijtë e së shkuarës me të ardhmen, edhe pse vetë ngjarjet kishin kohë që po përgatiteshin. Revolucioni francez që filloi me 14 korrik është lindja dhe organizimi i vlerave që u frymëzuan nga revolucioni filozofik, të lindura gjatë të rilindjes dhe pjekur gjatë iluministëve”.
Më pas, ambasadorja franceze, u ndal edhe në përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në struktura Euro-Atlantike, ndërsa konfirmoi ndihmën dhe mbështetjen për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Që nga viti 1912 ju keni përshkruar një rrugë të gjatë, plot sprova. Para 20 vitesh ju hoqët barrierat fizike që ndanin shqiptarët nga Europa, dhe filluat punë për t’ju bashkuar botës perëndimore, të cilës ju i përkisni. Kur erdhi anëtarësimi në NATO dhe liberalizmi i vizave ne i pamë me shumë gëzim. Gëzim të thellë provuam kur pamë Kosovën të fitonte pavarësinë pas shumë dhimbjesh. Ne presim të miratoni reformat e kërkuara dhe të merrni statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Hapa të rëndësishëm janë duke u hedhur... Franca është pranë jush”, përfundoi ajo.
L.Lita

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›