E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama mashtrues, qytetarët e Tiranës do ta refuzojnë modelin e tij të dështuar qeverisës edhe më 23 qershor”

02-05-2013 / Gazeta 55

Reagon kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 4 në Tiranë, Hysen Xhura

“Qytetarët e Tiranës do ta refuzojnë modelin e dështuar qeverisës të Edi Ramës edhe në 23 qershor”. Ky ka qenë dje reagimi i Kryetarit të Njësisë Bashkiake nr. 4 në Tiranë, Hysen Xhura, i cili e ka etiketuar mashtrim, pretendimin e kreut të PS-së, në takimin e djeshëm me banor të kësaj njësie, për bllokimin e ndihmës ekonomike. “Rama mashtroi publikisht, duke thënë se nuk është mbledhur këshilli bashkiak. Në mbledhjen e datës 17 prill këshilltarët e majtë bllokuan ndihmën ekonomike. Rama t’u kërkojë ndjesë 500 familjeve dhe të lejojë këshilltarët e majtë të miratojnë ndihmën ekonomike”, reagoi dje kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 4 në Tiranë, Hysen Xhura.
Duke sjellë në vëmendje, qeverisjen e Tiranës, për 11 vjet nga Edi Rama, Xhura, shtoi se për 11 vjet ai nuk bëri asgjë dhe se modeli i dështuar qeverisës i Edi Ramës, do të refuzohet me votën e 23 qershorit. “Për 11 vjet Edi Rama zgjodhi të mos bëjë asgjë për Njësinë Bashkiake Nr. 4 në Tiranë. Banorët e Bllokut 61/1, i rikualifikuar nga bashkia, refuzuan dje Edi Ramën. Qytetarët e Tiranës do ta refuzojnë modelin e tij të dështuar qeverisës edhe në 23 qershor”, përfundoi reagimin e tij Hysen Xhura. Më se dy javë më parë, këshilltarët e majtë të Njësisë bashkiake nr. 4 në Tiranë, bllokuan vendimmarrjen, për dhënien e ndihmës ekonomike rreth 500 familjeve të kësaj njësie. Ky vendim i këshilltarëve të majtë, u pasua me një protestë të banorëve të kësaj njësie bashkiake, para selisë së PS-së në Tiranë. Nëpërmjet kësaj proteste, banorët, kërkuan që PS të mos bllokojë më ndihmën ekonomike në Njësinë Bashkiake nr. 4.

 

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›