E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zhvillimi i turizmit e zhdërvjelltëson tregun artizanal”

02-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha viziton një biznes të vogël artizanal

Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij dje në Korçë, u ndal edhe në një biznes të vogël artizanal, të drejtuar nga një grua, në qytetin e Korçës, për të inkurajuar dhe përgëzuar guximin e grave shqiptare sipërmarrëse, drejtuese e menaxhere, të cilat me shumë kurajë e vendosmëri ia kanë dalë të jenë të suksesshme në sipërmarrjet e tyre. Në këtë biznes janë të punësuara 70 gra dhe vajza, shumica prej të cilave punojnë nga shtëpitë e tyre. Kreu i qeverisë, dëgjoi me interesim kërkesën për zgjerimin e tregut të shitjes së këtyre prodhimeve edhe në kryeqytet dhe premtoi se në bashkëpunim  me kryetarin e bashkisë së Tiranës do të gjenden format më të përshtatshme të investimit për tregje artizanale apo lokale të ndryshme. “Ju shtroni një çështje shumë të drejtë dhe për sa i përket tregut të Tiranës unë do ti kërkoj kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili ka bërë disa hapa në këtë drejtim, si psh lehtësimi fiskal për bizneset artizanale, por unë e gjej të drejtë kërkesën tuaj. Tirana është jo vetëm e atyre që banojnë aty. Në Tiranë janë aksionerë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Kështu që unë do i kërkoj atij që ofertat për prodhime artizanale ai tua bëjë edhe rretheve të tjera. Do i kërkoj atij që në të investojmë aty, qoftë edhe për një treg artizanal ose për lokale, sikundër do të bëjmë gjithçka që qytetet me frekuentim të madh turistik të ofrojnë lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje”, deklaroi Berisha. Kryeministri tha se turizmi e zhdërvjelltëson tregun artizanal, duke e shumëfishuar atë dhe duke i dhënë një dimension të ri. Në këtë kontekst, ai propozoi që në qytet me frekuentimin më të lartë turistik, të ofrohen lokale gjatë sezonit turistik, në mënyrë që punimet të kenë përparësi në shitje.

   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›