Edi Rama me 3 mijë dollarë, pagoi edhe pushimet në Sardenjë, e s’harxhoi thuajse asnjë lek

Sa shumë janë 3 mijë dollarë. Ose…, ose…, duhet të jesh nikoqir si Edi Rama, që me 3 mijë dollarë, të bësh një dasmë, që edhe asaj të Malos së Fierit t’ia kalosh, të kalosh një “honey moon”-i, për forcë zakoni mbresëlënës dhe më pas të kalosh edhe pushime verore luksoze në Sardenjë… Dhe më e forta, pas gjithë këtyre “opsioneve” të konsumuara, megjithëse i papunë (sepse nuk është më kryetar bashkie), të kthehet sërish në atdhe me të paktën 3 mijë dollarë në xhep.
Mendja kështu e do të na e rrokë, se ende i ka në xhep 3 mijë dollarët…, sepse…, sepse, në të kundërt, dje, do ta kishim parë Edi Ramën, në radhën e qytetarëve që takonin kryebashkiakun e Tiranës, për ti kërkuar atij një punë.
Larg dozave të cinizmit, çështja e 3 mijë dollarëve të Edi Ramës, e shndërruar tashmë në proverbiale, në fakt, dozat e cinizmit i ka në të kundërtën e nevojës së Edi Ramës “për të kërkuar punë”.
E thënë më ndryshe…
Që Edi Rama ka vetëm 3 mijë dollarë, këtë nuk ka rob zoti ta besojë. Sepse në rast se do të guxonim e të besonim këtë, atëherë të paktën, Edi Ramën, duhet ta shihnim gjithë kohën, lakuriq, sikurse ato fotot e botuara vite më parë edhe në gazetën e këshilltarit të tij më të afërt mediatik sot. Kjo, për një arsye të thjeshtë, se ato 3 mijë dollarë, nuk do ti dilnin Edi Ramës, për të ushqyer, e ndërsa për të besuar se mund ti dalin e teprojnë, edhe për të ndërruar, kostumet, këmishët, kollaret, këpucët… për ditë, atëherë, Edi Rama do të duhet të na tregojë “boutiquen”, ku gjithë këto të mira materiale, i siguron, me sa duket me një çmim simbolik, nën kufijtë e qesharakes.
Edi Rama, nën “argumentin” që ka gati, sipas të cilit “nuk ka bir kurve të kërkojë paret e tij në xhepat e mi”, mund të na servirë ndonjë “boutique”, që konkurron tregun “Çam” dhe tregun e “Medresesë” dhe ku Edi Rama e ka për zemër për të bërë “shoping”. Por, përpos këtyre, Edi Rama, të paktën nuk duhet të vazhdojë të gënjej veten dhe pastaj të gjithë ne të tjerëve, përfshi edhe institucionet përgjegjëse shtetërore, për verifikimin dhe kontrollin e pasurisë së tij, e të na hiqet si “i varfër” i veshur firmato, që bën dasma të shtrenjta, kalon “honey moon” mbresëlënës dhe pushon në vende luksoze…