Agjencitë ndërkombëtare Moody’s dhe Standard & Poor’s: Shqipëria nuk u prek nga kriza ekonomike

Agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të kreditit në analizën e fundit kanë dhënë opinion pozitiv për Shqipërinë. Sipas dy agjencive më të mëdha Moody-s dhe Standard & Poor’s, gjykohet se borxhi publik dhe deficiti buxhetor shqiptar, janë në nivel të pandryshuar dhe të mbajtura nën kontroll nga Ministria e Financave.
Të dy kompanitë kanë raportuar në analizën e fundit, mbi ekonominë dhe financat tona, se ecuria është pozitive, ndërkohë që kanë konfirmuar nivelin aktual të kredisë në B1 dhe B+, që do të thotë një gjykim stabël. Vlerësimi i kompanive ndërkombëtare shpreh besimin e analistëve botërorë të riskut, për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare.
Argumentet kryesore të të dy agjencive mbi nivelin stabël të ekonomisë, lidhen kryesisht me gjendjen e shëndoshë të ekonomisë shqiptare, potencialin e saj në periudha afatmesme dhe afatgjata, perspektiva për integrimin në Bashkimin Evropian dhe kuadrin ligjor që mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave.
Standard & Poor’s thekson se ekonomia shqiptare ishte nga të vetmet ekonomi Evropiane që nuk pësoi rënie ekonomike dhe recension, por përkundrazi u rrit në mënyrë të qëndrueshme në sajë të politikave të efektshme makro-ekonomike të qeverisë.
Standard & Poor’s, gjithashtu vlerëson se mbajtja nën kontroll e inflacionit, ishte një faktor i rëndësishëm i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit, gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare. Vlerësimi i borxhit, u hap rrugën investitorëve.
Agjencitë e mëdha të vlerësimit kategorizojnë nivelin e rriskut që paraqesin titujt e borxhit, jo vetëm të emetuesve tregtarë siç janë firmat, por edhe të shteteve.