E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, me rolin tragjikomik të Miçurinit

14-12-2010 / Nga Kostaq Xoxa

Episodi komik: Kapter Maksuti, me tri viza prej m…

Dështimet më të mëdha të shekujve kanë qenë të shoqëruara me veprimtari sharlatanësh shkencorë, për të mbuluar dështimet katastrofike. Të gjithë njerëzit tanë, që në kohën e diktaturës kanë qenë në njëfarë moshe, të themi mbi 20 vjeç, e kanë dëgjuar emrin e Miçurinit, të shoqëruar me superlativa: Miçurini gjenial, Miçurini çudibërës, shkencëtari që do të habiste dynjanë me shpikjet e tij në lëmën bujqësore e të tjera e të tjera. Ishte koha kur kolektivizimi sovjetik kishte marrë të tatëpjetën, kishte rënë në kolaps. Polaku Rikard Kapuçinski, gazetari më i bujshëm që kishte bredhur të gjithë BS-në për të bërë reportazhet e tij mahnitëse, kishte thënë disa gjëra që tronditën njerëzimin. Pas veprës së tij “Imperium” (Perandoria), ai u bë i krahasueshëm me Markuezin për reportazhin politik. Kishte përcaktuar 10 milion viktima nga uria vetëm në Ukrainë. Kishte thënë edhe disa gjëra thuajse të pabesueshme: Se familjet shkëmbenin fëmijët për t’i bërë burim ushqimi! Kanibalizëm! Koha i dha të drejtë, sepse ky përçudnim kishte bërë vaki edhe në Kinën e Mao Ce Dunit, sipas historianëve të mirinformuar, si Bollck-u dhe si Montefiore. Publicistika antikomuniste, me kryevepër “Imperium-in”, kishte ngritur në qiell thirrjen e lemerishme, në kupë të qiellit: “Ja ç’është komunizmi!”. Njëri ndër dëshpërimet më të mëdha të gruas së Stalinit, Nadiezhda Alilluievës, qé se i kishte thënë të shoqit në intimitet, se në kolkozet ukrainase ishte bërë kërdia. Stalini kërkoi me ngulm t’i thoshte se nga i kishte marrë vesh këto gënjeshtra. E kishte marrë me të mirë, e kishte dehur, dhe gruaja në mirëbesim i kishte treguar disa emra. (Ajo punonte në ministrinë e Orxhonikixes, në të cilën shumë titullarë kishin besim te  zemërmirësia e Nadiezhdës dhe i kishin thënë diçka, në mirëbesim. Stalini kishte marrë hak te të gjithë ata që kishin pasur besim dhe ishin treguar të pakujdesshëm në të folur me Nadën. Kjo kuptohet se ç’kuptim ka: të gjithë folësit në mirëbesim, u ekzekutuan fët e fët! Gruaja e shkretë kishte rënë në krizë nervore. Dihet si përfundoi...
Ishte, pra, më e përshtatshme kur “shkencëtari” Miçurin ishte në zenitin e tij të lavdisë.  Në ndonjë plenum, kishte paraqitur projektet e tij “shkencore” sesi prodhimtaria në kolkozet dhe në sovkozet do të dyfishohej, apo do të trefishohej, madjé! Ishte duartrokitur në mënyrë triumfale. Kolegët e tij nuk mund të bënin ndryshe. Veçse, në pësh-pëshet e tyre me miqtë te të cilët kishin besim absolut, ishin treguar thellësisht skeptikë ndonëse, për sy e faqe, tregoheshin “entuziastë” me elozhet e shfrenuara të gazetave sovjetike, të cilat përçonin humorin  e Stalinit, që kishte nevojë për levën e Arkimedit! Ama, në rrethet e ngushta,  nuk pushonin sarkazmat e shkencëtarëve të vërtetë, që e dinin se Miçurini nuk ishte në shkencë as sa çereku i tyre. Por kishte një dallim, në krahasim me ta: se dinte të hipnotizonte të tjerët, - veçoria e muzhikut Grigori Rasputin që u bë i përkëdheluri i oborrit të Nikollës II, -  e do t’i bënte të tjerët të besonin se edhe gjelat në kolkoze do të pillnin vezë. Madje vezë të arta!
Sa për një krahasim, budallai merr mendt e budallait. Edhe stalinisti ynë, Enver Hoxha, kishte shpresë të prodhonte grurë me bollëk, në kodrinat gurore, në kuota tepër të larta nga niveli i detit, aq sa gruri të eksportohej në vend të importimit! Rasputinët tanë nuk mungonin edhe në enveristët fanatikë, që ia përkëdhelnin veshin tiranit tonë, me budallallëqe! Përfundimi ishte se fshatarët tanë vinin në qytet dhe u bënin rixha të tjerëve për të blerë bukën për ta, duke iu  lutur me ngashërim të tretëve, meqë  dyqanxheshat e bukës kishin urdhër të prerë që të mos u jepnin bukë fshatarëve! (Kjo hyn në dukurinë e komunizmit tonë të “bollëkut” – paçka se merrnin kurora lavdie nga budallenjtë e Amerikës latine!).
***
Tani i vjen radha kapter Maksutit, që ka edhe ai vëllanë e tij siamez, kapter Mahmutin.
Ta fillojmë nga ky i dyti. Tregojnë se kur Beqir Balluku kishte bërë ushtrinë e tij, në kohën e rinisë,  kishte skuadërkomandant kapter Mahmutin nga Tirana. Meqë  ky i fundit s’kishte shumë shkollë dhe ishte kritikuar për disa evidenca me kaligrafinë e këmbëve si të pulës, ia besoi disa nga skedat rekrutit vendalí, B. Ballukut. Shkurt, kapter Mahumuti u miqësua me rekrut Beqirin. Gjatë Luftës, Mahmuti kishte vajtur partizan. Por, si i pashkollë, kishte mbetur sërish kapter. Në inspektim të disa reparteve, Beqiri, tashmë gjeneral,  do të merrte forcën e një reparti të rojës nga kapter Mahmuti, i cili kishte bërë me mend që ta takonte vetë, se mos e bënte aspirant. Por nuk i ishte dhënë rasti. Tani i erdhi për mbarë t’ia paraqiste forcën në këtë mënyrë:
Shoku gjeneral,
Ju paraqitet kapter Mahmuti,
Me tri viza prej m.....
Kapter vjet, kapter sivjet,
Kapter ka njëzet e tre vjet!
Barcaleta vazhdon me përqafimin, pas ceremonisë, të të dy të njohurve të hershëm. Gjenerali mësoi se kishte qenë partizan, por kapter se kapter kishte mbetur, për shkak të mungesës së shkollës. Thuhet se kapteri ishte bërë aspirant!
Së fundi, duke ardhur te kapter Maksuti i ditëve të tanishme, ky i pashkollë si paraardhës Mahmuti kishte hall tjetër: në kriteret e reja: duhet të linte vendin e punës. U përkiste reparteve të policisë rrugore. Në segmentin e rrugës nga ish-Hotel Dajti gjer te semafori pranë Sahatit ish-qorr të kryeqytetit, ishin thyer mjaft fenerë makinash, për shkak të ngushtices së përftuar para ministrive, nga punimet me rastin e zgjedhjeve te pragu i derës, që kishin fillim por s’kishin mbarim. Punimet ecnin me hapat e breshkës: Ashtu siç ecnin edhe makinat. Kur binte shi, makinat rrinin në vendnumëro, me orë të tëra. Grahësit e automjeteve ishin pikë e vrer. Por kishin edhe një element zbavitës; kapter Maksutin. Ky bridhte nga një trotuar ministrie në tjetrin, me pallaskën në dorë, të cilën e nginte dhe e ulte, e çonte majtas e  djathtas, e më t’i binte bilbilit shurdhues, sa çmendte dynjanë. Paçka se makinat nuk bënin asnjë hap përpara! Veç të bëheshin helikopterë, që të fluturonin mbi makinat që ishin bërë gardh. Më saktësisht, kapicë.  Nuk ecnin dot as prapa, se kishin kolonë makinash, në radhë për katër! Më të lënduarit në shpirt ishin ata drejtues makinash që kishin të sëmurë për spital. E pamundur të bëhej asnjë hap përpara. As majtas, as djathtas, as të tërhiqeshe prapa, me marshin “indietro”, për të gjetur ndonjë rrugicë, kudo që të ishte. Qoftë edhe me tabelën e ndalimit të hyrjes.
Ndërkaq në një mikrobus ku gjendeshin disa agronomë, këta po thoshin se  i varfri Maksut (se u bë i njohur me lëvizjet e tij të pafrytshme dhe me bilbilin që e kishte gjetur me anë miku, kaq shumë shungullonte!), kishte dinakërinë e Miçurinit që u bë më kot i bujshëm, sa u mashtrua edhe Stalini se do të dilte nga qorrsokaku ku e kishte shpurë veten me atë kolektivizimin e tij marroq! Sa për Maksutin, ai u hoq se u hoq më vonë, se të tjerët ishin më me shkollë se ai, dhe kjo ishte e pamjaftueshme. I shkoi mundi huq, të shkretit.
Në këtë bllokadë ku policia rrugore s’kishte ç’të vbënte, në një autobus, disa intelektualë flisnin për mizën e La Fontenit.  Në sh. XVII, udhëtimet bëheshin me karoca me kuaj. Në një të përpjetë, karoca mezi ecte dhe miza kujtonte se do t’i nxirrte nga halli. Pickonte brenda bishtit herë njërin kalë herë tjetrin, apo s’ishin gjashtë kuaj! U këput së lodhuri miza e shkretë. Kur karroca mbërriti në majë të kodrës dhe karrocieri u bë i hareshëm, se vinte e tatëpjeta, miza u drejtohej udhëtarëve: “Maintenant payez-mois, monsieurs” (dhe tani, hakun e punës, zotërinj!). Intelektualët qeshnin nga marazi, se kishin mbetur në vend!
***
Dhe tani të vijmë sërish te Maksuti. Nga të tetë të hequrit nga puna në atë sektor, Maksuti shpëtoi. Ishte më i zellshmi, më punëtori, më i djersituri, paçka se rezultati ishte zero, si në rastin e mizës që kërkonte shpërblim. Apo si në rastin e Miçurinit zellmadh, që i la kolkozet më ibret se më parë! Ose si ata hipokritët e Enverit, që donin të nxirrnin mjaltë nga mushkonjat... Madje edhe si Edi Rama, që kujton se policët e kanë në dorë lirimin e trafikut, kur ai është marrë nëpër gojë, që në fillim të punimeve për  reklamë zgjedhore, me ato punimet që dihet kur filluan, por nuk dihet se kur mbarojnë! Që të mos përmendim liqenet në mes të bulevardit dhe në  nahijen e “Komunës së Parisit”, me kumbarë personalisht Edi Ramën dhe me  varkat që mungojnë sa herë bie shi! Natyrisht për shkak të mungesës së   llagëmeve të qarkullimit të ujërave, për kursim, me tubacionet ujore, por shkel e shko! Se paratë e taksapaguesve i duhen  për të bërë projekte të  tharjes së inondacioneve për hir të prapësive të natyrës, një herë në 250 vjet të përmasave apokaliptike!
Rasputinët nuk mungojnë edhe te ne, pas 94 vitesh prej vdekjes së admiruesit të damave budallaqe të oborrit të Aleksandra Feodorovnës dhe të Nikollës II! Le të festojë Edvini 100-vjetorin e Rasputinit pas 6 vjetësh, kur do të jetë sërish në opozitë, ose do të jetë katandisur  sërish për mërgim, prej njerëzve dritëgjatë të partisë së vet, të cilët po shtohen dita-ditës!
Me motivacionin: “Mjaft na hodhe hi syve për perpetum mobile-n e paarritshme!”. Ose: “Mjaft e kërkove kuadraturën e rrethit”, që është vërtetuar matematikisht se është e pamundshme...Apo shqip: Mjaft kërkove qiqra në hell!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›