Pa viza dhe epikriza e Edi Ramës
Politika shqiptare e këtij fund viti është kthyer në një mister të padeshifrueshëm, në një enigmë të pa zgjidhshme që mbështetet, si për teatër, në dy të vërteta të kundërta: nga njëra anë qëndron suksesi dhe në anën tjetër suprem është ulur këmbëkryq dështimi. Janë këto dy elemente që përkufizojnë një vit politik, i cili po mbyllet, domethënë, me një sukses historik të së djathtës me liberalizimin e vizave dhe me një dështim të kauzës së kutive, majtas. Suksesi është cilësuar si historik sepse nga dita e nesërme qytetarët shqiptarë do të lëvizin të lirë në zonën Schengen, pas izolimi gjysmë shekullor shqiptarët biometrikë marrin frymëmarrje europiane.
Në kundërshtim me suksesin gjendet dështimi kapilar i kauzës së kutisë, si një histori totalisht papërgjegjshmërie jo vetëm politike po edhe morale. Pa dyshim të habit papërgjegjshmëria e Edi Ramës, që për të ndenjur në karrigen e PS-së krijoi alibinë e kutive duke futi në krizë dhe de-legjitimoi të gjithë sistemin politik pas një procesi elektoral, që padyshim ishte më i miri i pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Ky lider politik atipik, jo vetëm që nuk mori asnjë përgjegjësi për humbjen e PS-së në zgjedhje, por edhe u rizgjodh në krye të PS-së, duke akuzuar një proces dhe një kod elektoral që në pjesën më të madhe e projektoi me duart e veta. Ndaj për të kuptuar burimin e fjalëve të djeshme në konferencë për shtyp të Ramës se “po krijohen alibi që procesi politik të tërhiqet zvarrë dhe pushteti të vazhdojë të plaçkisë vendin”, duhet që më parë të gjejmë burimin e papërgjegjshmërisë.
Asaj alibie “kutiste” që krijoi posaçërisht për t’u ri-konfirmuar si njeriu i dytë më i pushtetshëm i vendit, Edvin Rama tash i beson me kokëfortësi, përderisa, denoncon të tjerët se po shpikin alibi. Nëse deri më sot gënjeshtrat ka pasur këmbët e shkurtra me Edi Ramën ka ndryshuar valencë. Deri më sot ai nuk ka dëftyer një ide të shoqërisë, nuk ka një vizion sistematik të botës, dhe për këtë ndryshon nga e kaluara e hershme e partisë soc-komuniste. Atij i mjafton të jetë njeriu më i sofistikuar i provincës, me ekstravaganti i kasolles, mbreti i stallës. Është një figurë politike atipike, sepse propozon jetën e tij personale si program politik dhe jo stil ndryshe jetese. Të gjithë e dimë se politikanët gënjejnë. Por ajo që bie në sy më shumë në gënjeshtrat e tij është serioziteti më të cilën i thotë: ai vetë i beson. Është mahnitëse ky fenomen narcizistik sepse është një instrument i fortë politik. Të gjithë, ne, kemi besim në një njeri që na sheh në sy dhe na thotë: “ke vjedhur votat: hap kutitë”. Thirrje të tilla të shpërqendrojnë, thua më veten nëse të dhënat e tua janë ligjore dhe serioze. Pastaj kur sheh lidhjet e tij me kartelin e ndërtimit ose me tan leprin konstaton se gënjen shumë pasi është peng i një loje që ushqehet me Pushtet.
Sidoqoftë epikriza e të gjitha krizave morale dhe institucionale që pati ky vend që prej më shumë se një viti kalendarik është alergjia e lidershipit socialist ndaj demokracisë. Pse është gjë e bukur të thuash se kauza për votën e lirë është demokratike, por, kur bëhet fjalë për të respektuar institucionin e Parlamentit demokracia e kësisoj njerëzve kthehet në një obsesion. Kriza tek e majta i ka kaluar caqet normale të etiketimit të fenomenit me këtë term burimor nga fusha e mjekësisë. Gjithçka ka ndodhur në gjirin e Partisë Socialiste deri në 28 qershor të vitit 2009, i kishte të gjitha elementët e një krize të mirëfilltë, të funksionimit të çrregullt të një organizmi njerëzor. Strabizmi i politikës së re përtej të majtës dhe së djathtës , me një shikimin sa në të majtë aq edhe në të djathtë udhëhoqi autobusin e PS-së drejt humnerës elektorale.
Sot pas 18 muajsh nga dita e krijimit të alibisë së kutisë partia socialiste është një kufomë politike e parfumosur me kolonjë ushtrie.