E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, një betejë e fituar

14-12-2010 / Gazeta 55

Asnjë humbje njerëzore në ditët e emergjencës, ndërkohë që garantohet nisja e zhdëmtimeve, sapo të përfundojë llogaritja e dëmeve nga Emergjencat Civile. Berisha njofton se janë miratuar 5 projektet që mbrojnë Shkodrën nga vrulli i reshjeve; rregullimi i sistemit të ujërave, rehabilitimi i stacioneve të pompimit të ujësjellësve, thellimi i lumit Buna, riparimi i argjinaturave si dhe ndërtimi i bypass-it të kryeqendrës së veriut

Kryeministri Sali Berisha vizitoi sërish dje Shkodrën ku u njoh më nga afër me situatën e krijuar pas përmbytjes në këtë qark, si dhe me planin e shpërndarjes së ndihmave për banorët në vështirësi.
Kreu i ekzekutivit garantoi banorët e prekur nga përmbytjet se qeveria do dëmshpërblejë me përpikëri të gjitha dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore. Për këtë, kryeministri tha se çdo vend i lirë ka një ligj për digat dhe ligji është universal, ky ligj detyron autoritetet të zhdëmtojnë gjithçka që lidhet me praninë e digave.
“Duhet t’i garantoj qytetarët e zonave të përmbytura se sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve dhe se ata do të zhdëmtohen plotësisht në përputhje me ligjin e digave. Çdo vend i lirë ka një ligj për digat dhe ligji është universal. Ky ligj detyron autoritetet të zhdëmtojnë gjithçka që lidhet me praninë e digave. Mbi këtë bazë është bërë përllogaritja dhe zhdëmtimi një vit më parë, po mbi këtë bazë do të bëhet edhe këtë vit. Unë kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve, sepse kjo bëhet me një procedurë serioze vlerësimi dhe aty ku ka ende ujë nuk mund të bëhet asnjë vlerësim. Pas largimit të ujit ne do të qëndrojmë plotësisht mbi bazën e këtij ligji, i cili i detyron autoritetet dhe përcakton qartë rrugën që ndiqet për zhdëmtimin. Nga qytetarët kërkojmë vetëm që të kenë durim sa të largohet uji, në mënyrë që përllogaritja e dëmeve të jetë e saktë, e besueshme, konkrete. Gjithashtu, ju ftoj të bëjmë çdo gjë, me përkujdesin më maksimal, që të mos kemi pasoja në shëndetin e njerëzve. Në këto kushte, unë ju përgëzoj për të gjitha masat që keni marrë në çdo gjë. Ministria e Bujqësisë dhe ministria e Brendshme, në bashkëpunim me autoritetet vendore të komunave të vendit, duhet të identifikojnë të gjitha rezervat që ekzistojnë në mënyrë që blegtoria e këtyre zonave të mbahet në kushtet normale. Situata është e tëra nën kontroll”, u shpreh kryeministri.
Duke u fokusuar në një bilanc paraprak të pasojave të përmbytjeve, Berisha tha se ka një dëmtim në blegtori dhe deri tani, konkretizuar, është me 1500 kokë.
“Kryesisht janë lopë, më shumë derra, të imta, kuaj, mushka dhe janë groposur. Derrave dhe kafshëve të tjera i janë bërë vaksina për t’i mbrojtur nga sëmundjet dhe parandalimi i epidemive në to. Po bëhen përpjekje të mëdha për të furnizuar me ushqim dhe për të vënë në kontroll sanitar të gjitha stallat e tyre”, tha kreu i qeverisë.
Lidhur me operacionet e furnizimit të banorëve me ndihma në ushqime dhe koncentratet për bagëtitë, Berisha tha se kanë qenë të suksesshme dhe se do të vazhdohet më të njëjtin ritëm. “Ju vërtetë merreni me operacionet e shpëtimit, me operacionet e ndihmave, të shpërndarjeve të ushqimeve dhe deri më tani janë shpërndarë mbi 1100 ton ushqime, janë shpërndarë 460 ton ushqim për blegtorinë. Të mos harrojmë se të gjitha këto janë bërë në kushtet më të vështira dhe këto operacione vazhdojnë”, tha kryeministri në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në Shkodër.

Baza operacionale e ushtrisë në Gjadër
Fillimisht, kryeministri Berisha u ndal në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, në Gjadër, prej nga 4 helikopterë po niseshin me ndihma për banorët e zonave në nevojë dhe në një urgjencë mjekësore. Berisha u takua me pilotët, të cilët i përgëzoi dhe i falënderoi për gatishmërinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në këto ditë të vështira për banorët e zonave të përmbytura. “Ju me 450 fluturimet që keni realizuar, u shpreh kryeministri, ia keni dalë të ndihmoni dhe të shpëtoni mijëra qytetarë në vështirësi të mëdha”.
Kryeministri Berisha i falënderoi pilotët edhe për ndihmën që dhanë në transportimin e 21 vjeçares Violeta Marku nga Velipoja në Lezhë, e cila ndodhej në kushte të vështira për lindjen e fëmijës.
“Unë po vij nga Lezha dhe atje vizitova Violetën, nënën e re që ju e transportuat nga Velipoja për në Lezhës. Shpëtimi i asaj nëne, në këtë problematikë jo të vogël, është një mrekulli e vërtetë. Ju përgëzoj dhe ju falënderoj për punën e shkëlqyer që keni bërë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri shprehu mirënjohje shumë të veçantë për vendet mike, të cilat iu përgjigjën me shumë bujari dhe shumë ndjeshmëri përmbytjes së madhe që u krijua në Shkodër dhe nën Shkodër.
“Ata kanë dërguar forca të armatosura, helikopterë. Unë po vij nga Gjadri dhe helikopterët e vendeve mike, Turqisë dhe Greqisë, kishin kryer nga 16 operacione ditën e sotme. Këto ditë 450 operacione ka kryer njësia shqiptare e forcave të armatosura. Me mijëra operacione janë kryer edhe me varka. Njësitë e ardhura nga Kosova, Maqedonia dhe disa rajone të Italisë po punojnë ditë e natë me forcat tona të emergjencës, ekipet e dërguara nga NATO, nga vendet mike si Rumania dhe Hungaria, të cilat po merren me problemin delikat të argjinaturave. Vende të tjera kanë kontribuar në financiarisht, ilaçe dhe mjete të tjera”, theksoi kryeministri Berisha.

Janë rikthyer në shtëpitë e tyre 3335 banorë
Shefi i ekzekutivit informoi në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në Shkodër, se situata po shkon drejt normalizimit dhe se ka filluar procesi i rikthimit të banorëve të evakuuar.
Duke e konsideruar situatën e përmbytjeve që prekën zonën veri-perëndimore të vendit si më të rëndën në 150 vitet e fundit, kryeministri Berisha tha se kuraja dhe guximi i qytetarëve të rrethinave të Shkodrës, bënë që katastrofa e natyrës të linte pasoja sa më të vogla. Në këtë sens, kreu i qeverisë vlerësoi maksimalisht operacionet e Shtabit të Emergjencave, të cilat evituan në kohë rekord kaosin dhe humbjen e jetëve njerëzore. “Kjo fatkeqësi e madhe natyrore mori përmasa të papara, përmbyti mbi 14 mijë hektarë, një përqindje të madhe të qytetit të Shkodrës, shpërnguli mbi 14 mijë qytetarë nga vatrat e tyre familjare, përmbyti mijëra e mijëra shtëpi, por kjo fatkeqësi e madhe natyrore, deri më sot, nuk mori dot as edhe një viktimë të lidhur direkt me të. Kjo përbën një arritje shumë të madhe, sepse në një sipërfaqe të tillë, disa metër nën ujë, nuk ka asgjë më të vështirë se të ndihmosh atë që është në nevojë dhe të evakuosh me urgjencë. Por kjo ka ndodhur. Një nga specialistët e huaj në këto përmbytje është shprehur, te kryetari i bashkisë dhe prefekti i qytetit, se ju keni bërë një kryevepër në këto operacione të jashtëzakonshme dhe se thelbi i saj është se çdo gjë e keni bazuar në ndjenjat njerëzore. Kjo është e vërteta. Së çfarë do që të bëje, po të mos ishin ato, gjërat mbeteshin rrugës. Ky përkushtim bëri realisht një operacion të paimagjinueshëm, për çka keni përgëzime shumë të mëdha ju dhe të gjithë punonjësit e ushtrisë, policisë, emergjencës civile, shëndetësisë, pushtetit vendor, qeveritarëve lokalë, këshillave, rezervave të shtetit, të cilët morën pjesë në këto operacione në një vështirësi të paparë më parë. Ju të gjithë ia keni dalë të qëndroni në lartësisë më të madhe të detyrës”, tha Berisha.
Falë punës kolosale të forcave të ushtrisë dhe shtabit të Emergjencave që prej ditësh të tëra ndodhet i dislokuar në veri-perëndim të vendit, por edhe nisur nga kushtet e favorshme klimaterike, ka nisur rikthimi në shtëpitë e tyre, i banorëve të evakuuar. “Situata është në lehtësim dhe përmirësim. Pozitive është se sot janë mbi 3335 qytetarë që janë kthyer në shtëpitë e tyre, se uji është tërhequr dhe sot janë 10900 e jo më 14 mijë hektarë tokë nën ujë, se qyteti është i kalueshëm në aksin e tij kryesor, se numri i shtëpive të rrethuara nga uji apo nën ujë është pakësuar me 1200. Pra situata është optimiste dhe në përmirësim të qartë”, tha Berisha.

Qeveria, 5 projekte për të shpëtuar Shkodrën
Shumë shpejt Shkodra nuk do jetë më një zonë e ekspozuar ndaj përmbytjeve, falë projekteve të qeverisë, të cilat ecin pa ndërprerje drejt finalizimit të tyre. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha, ndërsa theksoi se zotimi i qeverisë është që t’i jepet përgjigja e merituar sistemit të ujërave, stacioneve të pompimit të ujësjellësve, thellimi i lumit Buna (për të cilën po punojnë ekspertët më të mirë në Europë dhe Botë), riparimi i argjinaturave dhe ndërtimi i bypass-it.
Sipas kryeministrit Berisha këto projekte janë në realizim e sipër dhe se po punohet për procedimin e shpejtë të tyre. “Kam kënaqësinë të informoj qytetarët e Shkodrës se janë miratuar pesë projekte të ndërhyrjeve, të cila u japin përgjigjen më të merituar sistemeve të ujërave të zeza, stacioneve të pompimit të ujësjellësve, sistemeve të ujërave të bardha, bypass-i dhe pjesa shtesë e tij. Pra janë një seri projektesh që disponohen dhe do të ecin pa ndërprerë drejt finalizimit të tyre. Një punë intensive është bërë për të arritur në konkluzione përfundimtare për të Bunën dhe shumë shpejt do të ketë një qëndrim të bazuar në mendimin e ekspertëve, ndër më të mirët në Evropë dhe në botë. Në shqyrtimin e problemit të Bunës janë angazhuar gjatë këtij viti specialistët më të shquar të Italisë, Britanisë së Madhe, etj. Ne presim finalizimin e një koncepti tërësorë të qëndrimit ndaj Bunës për të filluar ndërhyrjet. Sikundër, me përparësi, do të vazhdojë përfundimi i argjinaturave së Kirit, një lum me potencial agresiv të veçantë ndaj qytetit. Pra ka një përballje shumëplanëshe në këtë periudhë”, deklaroi kryeministri.

Rama, propagandë me fatkeqësinë,
Kreu i qeverisë dënoi politikën keq-ndjellëse të Edi Ramës, apo propagandën e fatkeqësisë teksa dy ditët e fundit ka mbushur mediat e kontrolluara prej tij me sms, të tilla si, qeveria ka urdhëruar t’u mbahet një pjesë e rrogës punonjësve të administratës, arsimtarëve dhe mjekëve.
Në mënyrë kategorike kryeministri Berisha e mohoi këtë, ndërsa i cilësoi si shpifje dhe mashtrime titujt e mediave të majta, teksa theksoi se Edi Rama herë nxjerr gjarpërinj dhe gjoba dhe herë zgjedh hunj dhe karrige për të zgjedhur Ketin në krye të degës lokale të PS-së në Shkodër, atëherë kur qyteti ndodhej nën ujë.
“Asnjë qytetari, punonjësi apo pensionisti nuk do t’i preket asnjë qindarkë e vetme, me urdhër administrativ, për zonën e përmbytur. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti apo morali. Unë e di që nuk ka, por sot pash përsëri tituj. Ai vazhdon prapë me mesazhe, sepse ka një mani të çmendur pas mesazheve. Një ditë nxjerr gjarpërinj, një ditë nxjerr gjoba, një ditë vjen këtu dhe zgjedh me hunj dhe karrige Ketin kryetare. Asnjë punonjësi të këtij vendi nuk do t’i mbahet asnjë qindarkë e vetme, as në rroga e as në pensione. Ne vlerësojmë plotësisht atë çfarë mund të japin me dëshirë të tyre. Ne kemi potenciale për t’ju përgjigjur në çdo gjë kësaj përmbytje. Natyrisht, solidariteti është shumë i mirëpritur. Ne jemi mirënjohës për çdo lloj ndihme që secili qytetar mund të japë në gjestin e një njerëzie dhe vëllazërie ndaj atij që është në fatkeqësi. Pra, edhe një herë sms-të kthejani se është bërë i papërmbajtur”, theksoi kryeministri Sali Berisha, duke garantuar banorët se qeveria ka të gjitha potencialet e saj, për t’iu përgjigjur fatkeqësisë natyrore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›