Protesta e Durrësit, që të ndali tragetet me shqiptarë pa viza
Pas dështimit me grevat e urisë e dërgatat me kërcënime drejt Europës, Edi Rama po u drejtohet mjeteve rrethanore për të ndalur lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Sot në Durrës, ai mban një protestë diskredituese kundër trageteve të ankoruara në portin më të madh të vendit, duke shpresuar se do përçohet mesazhi se shqiptarët s’e meritojnë ta vizitojnë Europën e se ata duhet të mbeten peng i izolimit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe ndjekësit e politikës së tij vulgare, kryesisht të pa-votuarit dhe sigurisht ata që s’përfaqësojnë asgjë si Spartak Ngjela, Erjon Veliaj apo dhe ish-sigurimsa, militantë dhe punonjës të administratës së bashkisë socialiste, do të tentojnë sot të bëjnë heroin e situatave negative, teksa në momentin kur shqiptarët presin hyrjen në fuqi të vendimit për vizat, qëllimi është të sabotohet lëvizja pa regjim vizash drejt vendeve të BE-së. Protesta që mendohet të zhvillohet në Durrës me elementë kriminalë ose jo, të pabindur si dhe të fortë lagje, të mbledhur në rrethinat e këtij qyteti, apo të nxitur edhe nga afërsia gjeografike si p.sh nga Kavaja, Marikaj, Sukthi apo edhe Golemi, ka brenda sakrilegjin e tendencës së Ramës dhe aleancës së tij, për të dëmtuar imazhin e vendit dhe qytetarëve, të cilët prej mesnatës së sotme, udhëtojnë të lirë dhe pa asnjë barrierë penguese në të gjithë hapësirën “Schengen”. Guximi dhe kurajoja e nëpërkëmbur e të vetëquajturit si lideri i të majtës politike shqiptare, Edvin Rama, do të shprehë dëshpërimin e papërmbajtshëm, si pasojë e humbjes së kapitalit dhe ndikimit politik në skenën politike shqiptare.
Siç edhe theksuam, pseudo-protesta e sotme ka në brendi anti-simbolikën e datës 15 dhjetor, ditës së hyrjes në fuqi të vendimit të kancelarive perëndimore për udhëtimin pa viza të shqiptarëve në zonën “Schengen”. Pasi s’ia doli të pengojë vullnetin e hekurt të përfaqësuesve të Brukselit, me protesta në çdo cep të rrugicave të qyteteve dhe lagjeve të ngushta, grevë urie si dhe përmes bojkotit të parlamentit, duke i shpallur reprezalje të pajustifikueshme ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian, Edi Rama do përdorë metodat më rrethanore të mundshme në tentativë për t’i thënë BE-së se “nga këtu, qyteti i Durrësit, do nisen drejt jush në mënyrë të rrufeshme 1 milion shqiptarë, të cilët do të kaplojë tragetet dhe çdo mjet tjetër lundrues” apo se “shqiptarët janë ende të pa-civilizuar dhe se s’njohin rregullat dhe ligjet e “Schengen”-it...
Të gjitha këto do të jenë drafti i tezës së sotme apo alternativa me të cilën Edi Rama do “konsolidojë” aksionin e tij të dështuar politik. Aksionin e asaj opozite që lidh vetë ekzistencën e saj politike me aksione apatride, demagoge, përmes mercenarëve dhe legjioneve të rekrutuara anembanë vendit, por që s’kanë kurrsesi një qëllim të përbashkët pasi të ftuarit, paguarit dhe të dhunuarit për në miting, sigurisht që ndajnë qëndrime in-koherente me atë të njeriut të Pezës. S’do mend që rezultati i kësaj sfide dashakeqe është një “hiç” i theksuar, por kurrsesi s’mund t’i zihet besë një tërheqje të mundshme të Edvinit dhe servilëve të tij nga plani ogurzi, për të dëmtuar imazhin e vendit si dhe përbaltur shqiptarët dhe arritjen e tyre historike. E gjithë kjo do t’i vijë si ndëshkim pas koke pasi të gjithë qytetarët e këtij vendi e kanë kuptuar tashmë logon, moton dhe aksionin e anti-politikanit Rama, i cili errësirën e natës, kërkon ta kthejë në errësirë të të ardhmes së shqiptarëve.