E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama, mediokër dhe fëminor - në perceptimin publik e ka humbur betejën”

27-08-2012 / Gazeta 55

Deputeti Kastriot Islami bën epikrizën e lidershipit socialist, duke u ndalur edhe tek parashikimet për betejat e ardhshme politike

“Edi Rama është sjellë në mënyrë mediokre dhe fëminore për heqjen e imunitetit. Në perceptimin publik, PS-ja e ka humbur këtë betejë, qoftë për përmbushjen e kushteve qoftë për humbjen e statusit. Opozita nuk e do heqjen e imunitetit sepse është mediokre dhe paranojake, pse një grup njerëzish brenda PS-së, mund të kenë frikë”. Kështu është shprehur dje midis të tjerave në një intervistë për TV “ABC News”, deputeti Kastriot Islami. Sipas tij, ka një zgjidhje për heqjen e imunitetit brenda muajit shtator dhe plotësimin e njërit prej kushteve për marrjen e statusit. Zgjidhja sipas Kastriot Islamit është tërheqja e opozitës dhe mazhorancës nga pozicionet e tyre, respektive, kushtëzimi i imunitetit me ndryshimet e tjera kushtetuese nga opozita dhe tërheqja nga ideja e referendumit nga ana e mazhorancës. Midis të tjerave, në intervistën e tij Kastriot Islami është ndalur edhe te një analizë e gjendjes së brendshme ët PS-së, duke saktësuar se sjellja e opozitës në këto tri vitet e fundit ka qenë radikale dhe se shkaku i mosfitimit të asnjë palë zgjedhjeve nga ana e saj që prej vitit 2001, ka qenë lufta e brendshme brenda PS-së, ku Edi Rama ka qenë më shumë i interesuar për forcimin e pozitave të veta.
Midis të tjerave, Kastriot Islami ka komentuar edhe ndryshimet më të fundit të krerëve të institucioneve të ndryshme kushtetuese apo ekzekutive.

Heqja e imunitetit
“Linja kushtëzuese e Edi Ramës, për sa i përket debatit për heqjen e imunitetit, politikisht ka qenë mediokre”, ka komentuar Kastirot Islami. Sipas tij, “ndërsa Kryeministri Sali Berisha, ka qenë më i qartë, duke e rikthyer dhe futur në rendin e ditës çështjen e imunitetit, bashkë edhe me tërheqjen e PS-së në këtë debat, Berisha e kapi dhe e futi në rendin e ditës, duke e tërhequr edhe PS-në në debat. PS-ja ka qenë e paqartë për rrugën se ku do të shkonte”.
Duke sjellë edhe një herë në vëmendje zhvillimet e fundit, debatet për imunitetin, dakordësinë e Kryeministrit Sali Berisha me draftin e propozuar nga PS-ja, më pas miratimin e ndryshimeve kushtetuese parimisht, por mosmiratimin në tërësi, për shkak të kushtëzimit nga ana e PS-së, me ndryshime të tjera në Kushtetutë, Kastriot Islami e cilësoi sjelljen e Edi Ramës si mediokre dhe fëminore, duke shtuar se PS-ja në perceptimin publik e ka humbur këtë debat. “Edi Rama është sjellë në mënyrë mediokër dhe fëminore për heqjen e imunitetit. Në perceptimin publik, PS-ja e ka humbur këtë betejë, qoftë për përmbushjen e kushteve qoftë për humbjen e statusit”, u shpreh Kastriot Islami.
Për Kastriot Islamit, shqetësimi i opozitës, se në qoftë se miratohet heqja e imunitetit, mund të arrestohen kotë deputetë të saj, nuk qëndron dhe se në një rast të tillë, opozita mund ta shndërronte këtë (arrestim të kotë) në një betejë politike.
Duke e cilësuar paradoksale sjelljen dhe shqetësimin e opozitës, pse mazhoranca mund të çojë një ministër të vetin pra drejtësisë, Kastriot Islami ka shtuar se “opozita nuk e do heqjen e imunitetit sepse është mediokre dhe paranojake, pse një grup njerëzish brenda PS-së, mund të kenë frikë”.
Në një analizë të mëtejshme të mos-votimit të heqjes së imunitetit, Kastriot Islami thotë se edhe për ndërkombëtarët është e pakuptimtë si mund të ngatërrohet lufta për pushtet me përpjekjen për integrimin e vendit. Duke renditur në historinë pluraliste të Shqipërisë se tre çështjet madhore kanë qenë Integrimi në NATO, integrimi në BE dhe çështja e Kosovës, Islami shton se “në këto çështje madhore, ka dominuar lufta politike”.
Megjithatë, për Kastriot Islamin ka një zgjidhje për heqjen e imunitetit brenda muajit shtator dhe plotësimin e njërit prej kushteve për marrjen e statusit. Zgjidhja sipas Kastriot Islamit është që “opozita të tërhiqet nga kushtëzimi i heqjes së imunitetit me ndryshimet e tjera kushtetuese, ndërsa mazhoranca të tërhiqet nga ideja për referendumin”.

Zhvillimet në PS
Pjesë e intervistës së djeshme të deputetit Kastriot Islami, ka qenë edhe një analizë e situatës së brendshme të PS-së, deputet i së cilës ai ka qenë deri pra disa muajve.
Duke e lidhur këtë analizë me prag fushatën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kastriot Islami e ka cilësuar sjelljen e deritanishme të opozitës, si radikale. “Fushata elektorale ka kohë që formalisht ka filluar. Vitet 2009, 2010, 2011, kanë qenë të mbushura me veprime radikale të opozitës. Janari do të jetë një fillim i një fushate të vërtetë elektorale”, u shpreh Islami. Sipas tij, “beteja këtë radhë do të jetë e fuqishme, sepse është një amazhorancë që ka dy mandate dhe një opozitë që nuk fiton asnjë betejë elektorale që nga viti 2001, ndryshe nga mazhoranca që i ka fituar këto beteja”.
Sipas Kastriot Islamit, shkaku i mosfitimit të asnjë palë zgjedhjeve për një kohë kaq të gjatë, lidhet luftën e brendshme brenda PS-së, dhe me moszgjidhjen e problemeve të kësaj partie me aleatët. “Që nga 2005, PS është në opozitë dhe që nga 2001, nuk ka fituar asnjë zgjedhje. PS synon më shuam të fitojë betejat brenda saj, se sa betejat politike ndaj mazhorancës. Edi Rama po mundohet të konsolidojë betejat brenda PS-së, duke e penguar të fitojë betejat elektorale, ndryshe nga kundërshtari i tij. PD-ja, mazhoranca ka ditur të fitojë, sepse ka ditur të veprojë më mirë në aleancat elektorale, duke përfshirë këtu edhe aleancën me LSI-në”, u shpreh Kastriot Islami.
Duke ripërsëritur se PS-ja ka një problem që nuk fiton që nga viti 2001, Islami e lidhi këtë edhe mos krijimin e ndonjë elite brenda kësaj partie.
“Kjo vjen sepse nuk është krijuar asnjë elitë, e cila natyrshëm lind gjatë ballafaqimit dhe fitimit të betejave elektorale. Edi Rama e ka zëvendësuar elitën e PS-së, në funksion të konsolidimit të pozitave të tij. Ky është problemi i Edi Ramës”.
Duke sjellë si shembull sjelljen e ndryshme të Sali Berishës, i cili bashkoi gjithë faktorët politikë dhe me eksperiencë, brenda dhe në një koalicion me PD-në, Kastriot Islami duke ju referuar edhe shembullit të Edi Ramës, bëri ët ditur se “Nuk është normale ta zhbësh një elitë të tillë të një partie. Në PS, themeluesi i saj, Fatos Nano, ish-kryeministri Fatos Nano, ish-kryeministri Ilir Meta, ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryeministri Ylli Bufi, ish-kryeministri Pandeli Majko, janë margjinalizuar. Megjithëse sjellja ndaj Pandeli Majkos është një taktikë e Edi Ramës për të kamufluar goditjen e elitës brenda PS-së. Të gjitha figurat që kanë përbërë PS-në, që nga themelimi i saj, nuk janë më. PS-ja vuan nga mosrespektimi i vlerave e eksperiencës së figurave të saj. Kjo, ndodhe edhe në nivel vendi, qarku, rrethi, e njësie vendore”, u shpreh më tej Islami.
Ndërsa sipas Kastriot Islamit, kjo sjellje e Edi Ramës është kthyer në diçka normale, njëherazi sipas tij, “ky normalitet si pjesë e filozofisë së tij (Edi Ramës) nuk e lë të ndajë pushtetin me të gjithë faktorët brenda PS-së. Në PS të gjithë janë të pasigurt. Nuk ka frymë sigurie brenda saj. Kështu nuk motivohet as PS-ja as aleatët. Duhen afruar dhe motivuar aleatët. Aleancat nuk bëhen me takime”, apeloi Kastriot Islami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›