Edi Rama s’do i shpëtojë dot hetimit për 21 janarin

Zëdhënësja e Kryeministrit ka kujtuar dje tmerrin që ka mbërthyer kryetarin e opozitës nga thirrja për nisjen e hetimeve për 21 janarin. Mazhoranca e ka ftuar dje opozitën t’i bashkohet nismës për mbajtjen e referendumit, si e vetmja mënyrë që e çliron atë nga frika e heqjes së imunitetit
Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e Kryeministrit Sali Berisha, Erla Mëhilli u shpreh se Rama ka frikë nga heqja e imunitetit dhe se pavarësisht se është shprehur për heqjen e tij, ai tha se nuk do e votojë atë.
Zëdhënësja e Kryeministrit tha dje në deklaratën për shtyp, se “Edi Rama, pasi bllokoi më 6 gusht heqjen e imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, i tmerruar nga referendumi popullor për heqjen e imunitetit, sot (dje) bëri përpjekjen e radhës për të mashtruar shqiptarët mbi pasojat e aktit të tij të papërgjegjshëm”. “Përsëri ai sot (dje) deklaroi se nuk është kundër heqjes së imunitetit, por nuk e voton atë, sepse, sipas tij, heqja e imunitetit nuk paskërka lidhje me luftën kundër korrupsionit, madje zoti Rama deklaroi se referendum popullor, pra verdikti i qytetarëve për heqjen e tij dhe zhbllokimin e statusit të vendit kandidat, është ‘një lojë pa top e Sali Berishës’”, thuhet në deklaratë.
Lidhur me këto deklarata, zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli, theksoi se, “kushtëzimi që i bën zoti Rama votimit për heqjen e imunitetit me instalimin e Kushtetutës së sundimit të pakicës, është ëndrra e tij e keqe, që s’do realizohet kurrë ndonjëherë”.
Ajo tha se për një votim konsensual për heqjen e imunitetit zotit Rama ju bënë të gjitha lëshimet dhe fatkeqësisht më datë 6 gusht ai bllokoi votimin e draftit të PS, ndaj dhe sot zgjidhja e vetme është referendumi popullor.
“Për një votim konsensual për heqjen e imunitetit zotit Rama ju bën të gjitha lëshimet dhe fatkeqësisht më datë 6 gusht ai bllokoi votimin e draftit të PS, ndaj dhe sot zgjidhja e vetme është referendumi popullor”.
Në vijim ai bëri thirrje që kreu i opozitës të mos pengojë deputetët në firmosjen e referendumit për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me imunitetin.
“Në rast se zoti Rama është penduar për bllokimin që i bëri më 6 gusht votimit të heqjes së imunitetit dhe statusit të vendit kandidat, le të mos i pengojë deputetët e tij për të firmosur kërkesën për referendum popullor për heqjen e imunitetit”, tha zëdhënësja e Kryeministrit.
Sipas saj, pretendimi i zotit Rama se bllokimi i heqjes se imunitetit nuk është pengesë për luftën kundër korrupsionit është qesharak dhe fund e krye një mashtrim.
“Pretendimi i zotit Rama se bllokimi i heqjes se imunitetit nuk është pengesë për luftën kundër korrupsionit është qesharak dhe fund e krye një mashtrim. Ai përdor këtë argument, sepse për të është fatale pyetja e qytetarëve të thjeshtë socialistë, por edhe e atyre pa parti. Çfarë e detyron këtë opozitë të mbrojë imunitetin e qeveritarëve dhe zyrtarëve në pushtet? E vërteta është se ai mbron me imunitet pasuritë e paligjshme të klubit miliarder të Partisë Socialiste”, tha Mëhilli.
Zëdhënësja e Kryeministrit i cilësoi qesharake deklaratat e kryesocialistit për imunitetin, ndërsa i kujtoi Edi Ramës, se shamia e përplasur në fytyrë nga një prej familjarëve të viktimave të 21 janarit do e ndjekë gjithmonë, ndaj nuk duhet të pengojë heqjen e imunitetit për të mbrojtur pasurinë dhe grupin e miliarderëve në partinë e tij.
Zëdhënësja theksoi se “i tronditur nga vendosmëria për hetimin e 21 janarit, zoti Rama mori përsipër të bëjë Ramën tjetër. Me këtë rast i rikujtojmë se shamia e përplasur në fytyrën e tij nga familjarët e njërit prej viktimave do ta ndjekë atë si dëshmi dhe akt akuzë në tërë jetën e tij. Hetimi i 21 janarit në të tëra aspektet e tij është detyrë e dorës së parë e institucioneve të shtetit ligjor duan apo s’duan Rama apo ‘topi’ që i ka mbetur në portën e tij”, u shpreh Mëhilli.