Rama, i tmerruar nga e nesërmja

Në panik nga nisma për referendumin mbi imunitetet dhe me tmerrin se Shqipëria mund ta marrë statusin e kandidatit në tetorin e këtij viti, Edi Rama është shfaqur dje në panik, duke kërcënuar mbarë e prapë, se s’do të japë kurrë konsensus parlamentar. E nesërmja e tij politike s’rezervon asgjë të mirë, me humbjen elektorale tek porta dhe me rrezikun që ai të thirret para drejtësisë si përgjegjësi për viktimat e 21 janarit, prandaj edhe i ka mbetur të ngjitet pas parakushteve për ndryshime kushtetuese, si e vetmja mundësi për të marrë pushtet në tavolinë
Në panik nga mbështetja e gjerë publike dhe ndërkombëtare që po merr nisma e mazhorancës për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë me anë të referendumit, Edi Rama është kthyer dje nga pushimet dhe nga mbledhja e kupolës klandestine në Korçë, për të klithur se s’ia hapte rrugën as statusit e as referendumit (aq më pak akoma heqjes së imunitetit). Dukshëm në një situatë emocionale të destabilizuar, kreu i PS-së qesëndisi dje aspiratën e shqiptarëve për të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat për në BE, duke theksuar se s’kishte asnjë shpresë që imuniteti të kalonte me referendum deri në tetor (kur do të jepet edhe rekomandimi i Brukselit), prandaj edhe statusi nuk do të jepej. Pas mbajtjes ngritur të këtij trau antikombëtar, ai ka përsëritur parakushtet, të cilat as më pak e as më shumë, i japin atij pushtetin që s’e mori dot me votat e shqiptarëve në zgjedhjet e 2009-s apo edhe në testimin e 8 majit të 2011-s. “Diskutimi për ndryshimet Kushtetuese duhet të bëhen ditën për diell. Të gjitha ndryshimet Kushtetuese që ne kemi propozuar dhe kështu i hapet rruga heqjes së imunitetit brenda muajit shtator. Jemi pro kufizimit të imunitetit, jemi gati ta votojmë sapo të mbyllet diskutimi për ndryshimet Kushtetuese që ne kemi bërë”, - deklaroi Rama në një dalje për mediat, nga selia rozë mesditën e sotme. Ai bile ka guxuar edhe të përqeshë përpjekjen e qeverisë për reforma, duke deklaruar se s’mund të mbahet asnjë referendum deri në tetor, kështu që s’mund të merret statusi i kandidatit. Në tollovinë e kërcënimeve për aspiratat e shqiptarëve, ai s’ka munguar dje të përmendë simbiozën e qëndrimeve me qarqet më ekstremiste të Greqisë (siç kujtonte në një qëndrim editorial “55”-a, një ditë më parë), duke mbajtur gjallë një veto kundër statusit, e cila s’shqiptohet dot nga Athina zyrtare, por nga lakeu i saj në politikën e Tiranës.
Megjithatë, tirada e kërcënimeve të djeshme s’fshihte dot tmerrin e Edvinit nga e nesërmja e tij politike. Atij s’po i dalin llogaritë për koalicionin paraelektoral, s’po sheh asgjëkundi ndonjë shpresë që t’i dhurohet ndonjë copë pushteti dhe ka nisur të shohë gjithnjë e më të afërt ditën kur organet e drejtësisë do ta ekzaminojnë për rolin e vet intelektual në grushtin e shtetit të 21 janarit (me pasojë 4 të vrarë). Në axhendën si kryetar opozite ai po koleksionin veç izolimin nga faktori ndërkombëtar dhe dështimet e njëpasnjëshme në betejat parlamentare. Duke llogaritur edhe rritjen e temperaturës politike në radhët e kupolës së PS, prej elementëve të rrezikuar nga heqja e imunitetit, nga të rinjtë që po kërkojnë t’u zënë vendin senatorëve me karrierë parlamentare si dhe nga rreziku prej shkëputjes së fraksioneve për ta kërkuar fatin e tyre gjetkë, Edi Rama po përpiqet të mbajë një gjendje të ngrirë destabiliteti, si e vetmja mënyrë që e mban atë letrën kryesore të politikës së majtë.
Por axhenda politike i ka stacionet e përcaktuara dhe Edi Rama s’shpëton dot as nga referendumi, as nga hetimi për 21 janarin e as nga prova elektorale përballë shqiptarëve në qershor të 2013-s. Koha po shtrëngon edhe për rehatimin e Bamir Topit, i cili nga një privilegj, tani është shndërruar në hall. Mbijetesa përmes taktikës së bllokimit dhe të shndërrimit në levë të interesave të qarqeve ekstremiste greke është një alternativë që e prodhon dëshpërimi. As plazhi me Koço Kokëdhimën e as ngritja e zërit në deklaratat për shtyp ku s’pranohet asnjë pyetje nga gazetarët, s’kanë sjellë ndonjë të re në perspektivën e zymtë politike të Edi Ramës. Me panikun që përcolli, ai u tha dje shqiptarëve se është i tmerruar nga e nesërmja e tij, e cila përveçse dështimin e radhës në politikë, mund t’i rezervojë edhe ndonjë itinerar të shpeshtë para organeve të drejtësisë (pasi jo gjithmonë institucioni i akuzës do të flejë mbi dosjet e denoncimeve për korrupsionin e tij mitik).