SHBA-Rusi, marrëveshje të re për armët bërthamore
Presidentët Obama dhe Medvedev nënshkruan në Pragë një marrëveshje historike për armët bërthamore, por analistët dhe mediat ndërkombëtare ende s’e kanë kryer analizën e impaktit që dokumenti do të ketë mbi sigurinë globale
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, e nënshkruan në Pragë Traktatin mbi armët bërthamore. Sipas Marrëveshjes së nënshkruar, të dyja vendet, brenda shtatë vjetësh, do t’i reduktojnë rezervat e kokave bërthamore në 1550. Ujdia gjithashtu redukton numrin e bombarduesve dhe raketave në nga 700 për secilën palë. Marrëveshja zëvendëson Traktatin për Reduktimin e Armëve Strategjike - START, që ka skaduar në dhjetorin e kaluar. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, presidenti amerikan, Barak Obama, deklaroi: “Sot është një ditë themeltare për sigurinë bërthamore dhe marrëdhëniet amerikano-ruse. Përmbushet objektivi ynë i përbashkët për të negociuar Marrëveshjen e Re të Reduktimit të Armëve Strategjike dhe përfshin reduktim të rëndësishëm të armëve bërthamore”. Marrëveshja është nënshkruar një vit pas zotimit të presidentit amerikan në Pragë, kur kishte ftuar për një botë të liruar nga armët bërthamore. Obama përkujtoi atë zotim dhe në këtë kontekst tha: “Një vit më parë erdha në Pragë dhe u zotova për ndaljen e zgjerimit të armatimit bërthamor. E kam thënë atëherë dhe e përsëris edhe tash, se ky është një synim afatgjatë”.
Ndërkaq, presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, tha: “Kemi jetësuar dokumentin që në tërësi ruan balancën e interesave të Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara. Esenca e kësaj marrëveshjeje konsiston në faktin se nuk ka fitues dhe të humbur”.
Presidenti rus, megjithatë, vuri në pah se Moska mund të tërhiqet nga kjo marrëveshje, nëse Shtetet e Bashkuara ndërtojnë një sistem të mbrojtjes kundër-raketore, që do ta rrezikonte potencialin strategjik bërthamor të Rusisë. “Miqtë tanë amerikanë e dinë se Marrëveshja do të jetë valide dhe efektive vetëm nëse nuk do të ketë elemente të reja cilësore dhe kuantitative të sistemit të mbrojtjes kundër-raketore, që do t’i rrezikonte forcat strategjike ruse”, tha Medvedev.
Pavarësisht nga këto deklarime, analizat e para të Marrëveshjes, që do të bëhet publike në versionin e plotë deri në fund të muajit prill dhe pastaj do t’u propozohet parlamenteve të të dyja vendeve për ratifikim, thonë se “nuk kemi të bëjmë me revolucion në sferën e çarmatimit”. Analistët pohojnë se Marrëveshja ka më shumë rëndësi për politikën sesa për sigurinë. Eksperti ushtarak, Aleksandër Golc, thotë se ujdia kërkon reduktim minimal të arsenaleve bërthamore te të dyja palët. “Ajo hap mundësinë për bashkëpunim në shumë çështje reale të sigurisë, siç është: Afganistani, Irani dhe çështje të tjera që mund të tregohen shumë të frytshme për të dyja palët”, thotë Golc. Analisti tjetër ushtarak, Xhorxh Mirski, pohon se kjo marrëveshje do të ndihmojë për të ndalur propagandën antiamerikane në Moskë. “Tash do të jetë shumë më vështirë për të gjithë antiamerikanët dhe ata që e urrejnë Amerikën që t’u thonë njerëzve se Shtetet e Bashkuara janë fajtore për çdo gjë”, thotë analisti Mirski. Ai shton se nënshkrimi i Marrëveshjes do t’i avancojë marrëdhëniet dypalëshe, por nuk prek balancën e forcës ndërmjet dy palëve dhe as natyrën e raporteve të ndërsjella.
Wall Street Journal: "Zhvillimi i Traktatit bërthamor SHBA-Rusi"/Presidenti Obama të enjten nënshkroi një strategji të re të reduktimit të armëve bërthamore me Rusinë. Zyrtarët e Uashingtonit po festojnë Traktatin START me besimin, që do të reduktojë arsenalin bërthamor dhe do të organizojë marrëdhëniet SHBA-Rusi, në drejtim të një bashkëpunimi më të madh. Por, marrëveshja e re, ku teksti aktual dhe dokumentet shoqëruese ligjore nuk janë lëshuar para ceremonisë së nënshkrimit në Pragë, mund të mos e arrijnë këtë qëllim. Faktet e administratës për shembull, thonë se marrëveshja do të reduktojë një numër strategjik të armëve në 1550 - pra 30 për qind më pak se marrëveshja e 2002-shit. Por, marrëveshja e re START ka rregulla të veçanta numërimi. Për shembull, janë raportuar 76 bomba strategjike ruse dhe secila prej tyre dukshëm mund të mbajë nga 6-16 predha bërthamore.
Megjithatë, ndryshe nga Traktati i Moskës, këto qindra armë bërthamore mund të llogariten vetëm me 76, krahasuar me limitin prej 1550. Si pasojë, marrëveshja e re, START, përfshin mundësinë për një rritje të madhe në zhvillimin e numrit të armëve bërthamore. Nënsekretarja e shtetit, Ellen Tausher, ka theksuar më 29 mars se, “nuk ka kufizim ose kontroll strikt në atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të bëjnë për sistemin e saj të mbrojtjes”.
Tashmë partnerët negociatorë rusë e përshkruajnë kufizimin e marrëveshjes së re START të mbrojtjes me raketa, krejt ndryshe. Më 30 mars, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha në Kanada, se ka edhe obligime për mbrojtje nga raketat në tekstin e traktatit dhe në tekstet shoqëruese, të cilat përbëjnë një paketë ligjërisht detyruese. Më herët ai pati theksuar se, “marrëveshja është nënshkruar pavarësisht kushteve të niveleve të veçanta strategjike të sistemit të mbrojtjes”. Një ndryshim në këto nivele do t’i japë secilës palë të drejtën të konsiderojë pjesëmarrje të mëtejshme në reduktimin e armatimeve strategjike sulmuese. Sekretari i Këshillit Nacional të Sigurisë, Sergei Prikodko, tha më 2 prill se SHBA-të nuk do të rimodelojë hedhjen e raketave balistike dhe të nëndetëseve të bazuara në këto raketa, për të shkuar drejt raketave interceptore dhe anasjelltas. Kufizimet në marrëveshjen e re START për raketat mbrojtëse përshkruhen nga zyrtarët rusë si dëmtim i sigurisë së SHBA-ve, në të ardhmen. Një tjetër deklarim për marrëveshjen e re START janë shqetësimet e mundshme rreth kufizimit të forcave të SHBA-ve, të cilat duhet të jenë të balancuara përballë kufizimeve te forcave ruse. Tashmë ky argument shkon në atë që Shtet e Bashkuara të Amerikës do të reduktojnë një numër të mjeteve të saj, në ujdi se do të përfitojë nga reduktimet ruse.
Kjo duket e arsyeshme. Megjithatë, përfitimi i SHBA-ve nga reduktimi i armëve strategjike bërthamore, nuk është fitim reciprok nga reduktimet ruse. Një reciprocitet i tillë nuk është i përfshirë. Disa shpresojnë që marrëveshja e re miqësore START, që do t’i riorganizojë marrëdhëniet SHBA-Rusi, do të frymëzojë Rusinë për të ndihmuar në çështje të tjera, të tilla si programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut. është një shpresë e vakët që strategjitë novatore të marrëveshjeve dhe reduktimet e mëpastajme do të përmirësojnë në përgjithësi marrëdhëniet politike. Por, ato nuk të çojnë aty. Së fundmi, shqetësimi më i madh rreth armatimit bërthamor rus, janë gënjeshtrat sa i përket madhësisë së arsenalit të saj - armëve taktike. Më 2002, senatorët Xho Bajden, Xhon Kerri dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Holdren, shprehën shqetësim të madh që marrëveshja e Moskës në administratën e Bushit nuk i kufizoi forcat taktike ruse. Mund të pritet që marrëveshja e re START do të bëjë kështu, por rusët duket se ishin të vendosur për përjashtimin e armëve taktike bërthamore nga marrëveshja e re, START. Ky pranim është domethënës. Rusët tashmë janë më të ekspozuar dhe më të kërcënuar rreth armëve nukleare në zonat e konfliktit. Tashmë ne nuk kemi një kufizim në arsenalin rus bërthamor. Ky shqyrtim i shpejtë bazohet në shumë përshkrime të zyrtarëve rusë dhe amerikanë për çështjen e Traktatit. Duke pasur parasysh mospërputhje të dukshme për çështje të tilla themelore, nëse traktati kërkon reduktim të armëve apo rritje, Senati do të tregojë një kujdes të veçantë në shqyrtimin e gjuhës aktuale të dokumentit të marrëveshjes, përpara se të japë konkluzione rreth përmbajtjes.
Kundërtendenca - Rusia dhe Venezuela forcojnë lidhje ekonomike dhe politike/Rusia dhe Venezuela po i forcojnë lidhjet mes tyre. Kryeministri rus Vladimir Putin bëri të njohur gjatë një vizite në Karakas se vendi i tij mund t’i shesë Venezuelës armë me vlerën e deri në 5 miliardë dollarëve. Këto i shtohen 4 miliardë dollarëve armë që Venezuela ka blerë më parë nga Rusia. Disa analistë paralajmërojnë për pasojat e këtyre marrëdhënieve të afërta: Kryeministri rus Vladimir Putin u prit me nderime të larta në një ceremoni zyrtare nga presidenti venezuelian Hugo Chavez në vizitën e tij të parë në vendin e Amerikës Jugore. Ata biseduan për bashkëpunimin mes të dy vendeve për një qendër për hedhjen e satelitëve, për fillimin e programit të hapësirës nga Venezuela, një ndëmarrje të përbashkët për eksplorimin e naftës në lindje të Venezuelës dhe për një uzinë bërthamore. Biseduam për energjinë bërthmaore, dhe jemi gati të fillojmë projektimin e një uzine bërthamore, me synime paqësore.
Përse uzinë bërthamore? Ky është një investim afatgjatë, tepër i kushtueshëm. Analisti Peter Deshazo ve në pikëpyetje hollësitë e marrëveshjes. Për këtë marrëveshje nuk ka patur transparencë sa duhet dhe është e vështirë të përcaktohet se sa para do të kushtojë ky projekt, sa janë shpenzuar dhe sa do të shpenzohen, cilat do të jenë hollësitë e tij. Asgjë nuk është e qartë. Gjatë 5 vjetëve të fundit Venezuela ka blerë nga Rusia armë me vlerën e 4 miliardë dollarëve, përfshi avionë luftarakë, helikopterë të tipit MI-17 dhe 100 mijë Kallashnikovë. Kryeministri rus tha pas këtij udhëtimi se Venezuela do të blejë armatime të tjera, me vlerën e 5 miliard dollarëve nga Rusia. Shtetet e Bashkuara duan të dinë arsyen. Ne po përpiqemi të kuptojnë se çfarë nevoje legjitime ka Venezuela për gjithë këto pajisje ushtarake. Michael Shifter është president i grupit Inter-American dialogue për politikat e jashtme me seli në Washington. Ai thotë se bota duhet të shqetësohet për motivet që e shtyjnë Venzuelën të përpiqet të ketë një sasi të madhe armatimesh. Synimet duken për arsye lufte dhe kjo mund të çojë në një sjellje të papërgjegjshme, që mund të sjellë pasoja serioze, pra mendoj se ka një problem. Presidenti venezuelian thotë se arsyeja është për t’iu kundërvënë ndikimit amerikan në Amerikën Latine, sidomos, në Kolombi. Por motivi i rusëve është paksa i ndryshëm. Ekspertët, përfshi vetë zotin Putin, thonë se rusët e bëjnë këtë thjesht për arsye komerciale. Dhe ata thjesht po plotësojnë një kërkesë të tyren. Nëse SHBA nuk duan t’u shesin pajisje ushtarake vendeve të tjera dhe në veçanti Venezuelës, siç themi ne në Rusi, do të gjindet gjithmonë dikush për të plotësuar boshllëkun. Disa besojnë se Rusia po përpiqet të provojë fuqinë e saj, në vendet pranë Shteteve të Bashkuara, në Amerikën Latine. Por premtimet për më tepër armë dhe marrëveshjet për programet e hapësirës, të naftës dhe energjisë bërthamore bëhen në një kohë kur si Rusia, edhe Venezuela ndeshen me probleme të brendshme tepër të mëdha. Populli i varfër venezuelian ka mungesa për ujë, për energji elektrike. Mendoj se Chavez do ta ketë tepër e vështirë të merret me këto projekte të reja dhe besoj se ai do të përpiqet ta bëjë këtë. Ndërkohë, të dy udhëheqësit po i forcojnë së tepërmi marrëdhëniet mes tyre. Zoti Chavez, në fund të takimit në Karakas, i dhuroi zotit Putin shpatën e Simon Bolivarit-simbolit të pavarësisë së Venezuelës.