Edi Rama në rrjetën e merimangës së vet

Kreu i opozitës e endi rrjetën e heqjes së imunitetit si një kalë beteje që do të vinte në vështirësi mazhorancën dhe do të bllokonte marrjen e statusit, por tani ka ngecur në rrjetën e opozicionit bllokues, prej të cilit s’po di si të dalë. Kasnecët e Edi Ramës po dalin në deklarata kontradiktore, prej të cilave, ndërkombëtarët po lexojnë pamundësinë e opozitës për të luajtur rolin e saj kushtetues si bashkëaksionere në procesin e kryerjes së reformave për integrimin në BE.
Konferenca e djeshme e deputetit socialist, Ditmir Bushati kundër referendumit popullor për heqjen e imunitetit dëfteu për vijë-sjelljen e mirëstudiuar për të penguar marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Sepse PS-ja me qëndrimin zyrtar kundër referendumit popullor për heqjen e imunitetit doli zbuluar në kundërthënie të plotë me qëndrimet politike të ditës 7, 8, 9 dhe 10 gusht, ku dora vetë Edi Rama bashkë me deputetët e tjerë socialistë u deklaruan direkt “pro” referendumit popullor, ndonëse më pas filluan ta kushtëzojnë atë me 4 anketa të tjera (Imuniteti, reforma në drejtësi, çështja e importit të plehrave dhe ndalimi i marrëveshjes me Greqinë që cenon kufirin shqiptar), pastaj me tre anketa sepse kuptuan gafën me propozimin për referendum për marrëveshjen e ujërave detare, derisa dolën në qëndrimin përfundimtar kundër në bllok çdo lloj referendumi të propozuar nga mazhoranca.
Me këtë mënyrë sjellje, kreu i opozitës e endi rrjetën e heqjes së imunitetit si një kalë beteje që do të vinte në vështirësi mazhorancën dhe do të bllokonte marrjen e statusit, por tani ka ngecur në rrjetën e opozicionit bllokues, prej të cilit s’po di si të dalë.
Kuptohet vetiu strategjia e deklaratave “pro” në fillim të çdo reforme integruese apo rekomandimi të BE-së që kërkon 3/5 e votave dhe që vijon me “kushtëzim” të reformës, teksa përfundon me “bllokim” e saj, është një produkt i një politike opozitare pa ide e platformë europiane. Partia Socialiste me tjerrjen bizantine të deklaratave treshe (pro, kusht, kundër) dhe arsyeve si akse të një rrjeti kurthesh prej merimange për mos votimin e heqjes së imunitetit apo/dhe reformave të tjera kanë sjellë një zvarritje të procesit të integrimit të Shqipërisë, duke ngadalësuar marrjen e statusit të vendit kandidat të vendit. Sigurisht çështja e kufizimit të imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë ka hyrë jo në “një çështje pa kundërshtar”, siç thotë PS-ja, por në një lojë në dukje pa zgjidhje parlamentare.
Afërmendsh zgjidhja e vetme, në kushtet e barrikadës me votë, mbetet alternativa e referendumit popullor si një dëshmi demokratike e vullnetit të mazhorancës për të ecur me ritëm në rrugën e integrimit europian duke propozuar dhe votuar reforma të domosdoshme në arritjen e standardeve dhe rekomandimeve të komisionit Europian.
E ndërsa kasnecët e Edi Ramës po dalin në deklarata kontradiktore, ndërkombëtarët po lexojnë pamundësinë e opozitës për të luajtur rolin e saj kushtetues si bashkëaksionere në procesin e kryerjes së reformave për integrimin në BE.
Ndërkohë arsyet se përse partia Socialiste refuzoi të votojë në kuvend me 6 gusht draftin e përbashkët (më saktë të saj, në 90 për qind) për kufizimin e Imunitetit për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë janë të dobëta, paradoksale.
Arsyet janë të dobëta sepse kushtëzimi i votimit të draft-ligjit për kufizimin e imunitetit me një sërë ndryshimesh të tjera në Kushtetutë është kundër vetë deklaratave të eksponentëve të PS-së.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka deklaruar më zë dhe figurë, më shumë se një herë, se nuk do të nxitohemi për ndryshime të reja në ligjin themeltar të Shtetit, Kushtetutën, siç u bë me shpejtësi në natën e prillit të 2008. Ndërsa sot po Edi Rama kërkon ndryshime të reja Kushtetuese me shpejtësi marramendëse brenda muajit shtator për të votuar një paketë ndryshimesh në nene e paragrafë delikatë për ekuilibrat e sistemit të drejtësisë, që në rastin më të mirë do të duhej të kishte pasur konsultime të shumta publike me profesionistë të ligjit dhe kushtetutës, tryeza ndërkombëtare me komisionit e Venecias, debate parlamentare të përfaqësuesve të sovranit, etj.
Sidoqoftë ajo që bie në sy është rënia në deklarata kontradiktore të eksponentëve të partisë Socialiste në lidhje me referendumin. Deputeti Bushati theksoi në konferencën e djeshme për shtyp se: “Referendumi s’ka kundërshtar pasi Partia Socialiste e ka deklaruar prerë me fjalë e vepra dhe në mënyrë të përsëritur se është ‘pro’ kufizimit të imunitetit”. Mirëpo e kundërta është e vërteta.
Me fjalë PS-ja ka thënë se është “pro” kufizimit të imunitetit, por me vepra jo.
Opozita nuk ka votuar me 6 gusht zhveshjen e deputetëve, ministrave, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. Ndaj referendumi popullor i propozuar nga PD-ja për të vënë në vend barazimin e parlamentarëve me qytetarët ka si kundërshtar kryesor partinë që refuzon të kufizojë imunitetin e deputetëve të saj.
Padyshim referendumi popullor ka kundërshtar partinë që për qytetarët kujtohet veç një herë në lypjen e votës dhe jo t’i pyesë sesi ta bëjmë këtë ligj. Partia Socialiste është kthyer në një parti elektorale që mbron interesat e një klubi të kufizuar njerëzish që kanë nevojë për imunitetin parlamentar si mburojë paprekshmërie, në mënyrë që forca e transparencës dhe e ligji t’u qëndrojë sa më larg.
Deputetët e Partisë Socialiste kanë rrjetin e tyre si merimanga dhe po të preket njëri prej tyre, mund të dridhet krejt rrjeti dhe alarmohen kolektivisht, prandaj këta janë të paprekshëm, sepse edhe ai që duhet të vendosë për drejtësi, të zbatojë ligjin, edhe ai dridhet nga një arrestim dhe tronditje periferike.