E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myslym Pasha: Duhet një front i gjerë opozitar antiregjim

Fatjona Mejdini

Debati

Sekretari i përgjithshëm i AK-së bën thirrje për një koalicion parazgjedhor

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kuqezi, Myslym Pasha, deklaroi dje, se partitë politike pa dallim mund të jenë bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në kuadër të krijimit të një fronti të përbashkët kundër mazhorancës aktuale. Ky qëndrim i drejtuesit të lartë të AK-së vjen në një moment kur zgjedhjet e ardhshme parlamentare po afrohen dhe kur koalicionet pritet të formohen. Dallimet ideologjike që nuk përkojnë me identitetet e tyre, mund të vijnë në një moment politik të caktuar, ku kauza e përbashkët për rrëzimin e regjimit antikombëtar të Sali Berishës mund të jetësojë një front të gjerë edhe me parti të tjera, por ama secila në transhenë dhe identitetin e saj, deklaroi Pasha, duke i mëshuar idesë se nevoja e krijimit të një fronti të tillë vinte si domosdoshmëri për tu bashkuar në emër të rotacionit politik. Përditë e më shumë po bëhet e qartë se dy partitë e reja në vend, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuqezi do të jenë pjesë e krijimit të një koalicioni të përbashkët kundër pushtetit aktual, por ende nuk dihet nëse ky vagon do ti bashkëngjitet Partisë Socialiste. Tashmë pritet që negociatat në lidhje me këtë qëllim të fillojnë dhe të formësohen në muajt në vijim. Nga ana tjetër, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi të tillë, duke theksuar faktin se socialistët janë në kërkim të aleancave të reja kundër regjimit aktual të vendosur në vend. Situata do të nisë të bëhet më e qartë në mesin e muajit shtator, kjo gjë konsiderohet e përshtatshme për nisjen e bisedimeve mes palëve për çështjen e aleancave. Nga ana e saj, Partia Demokratike duket jo shumë e interesuar për të rritur numrin e partive aleate në këtë moment dhe duket se ka një aleancë të qëndrueshme me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kështu, Kryeministri Berisha ka deklaruar se PD-ja nuk është e interesuar për të lidhur aleancë me FRD-në, që pritet të drejtohet nga Bamir Topi, duke e quajtur këtë një ëndërr të socialisteve dhe që kërkonte të mos e prishte. Nga ana tjetër, duket e largët mundësia e krijimit të një aleance të PD-së, me AK-në e Kreshnik Spahiut, kjo edhe për shkakun se AK është treguar tepër e ashpër ndaj qeverisë dhe mazhorancës parlamentare. Muajt në vijim pritet të tregojnë nëse një koalicion me PS-në dhe partitë e tjera antiqeveritare në vend do të bëjnë një koalicion parazgjedhor, apo do të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit paszgjedhor. Në këtë koalicion pritet të përfshihen edhe parti të tjera në vend, të cilat për një arsye ose tjetër nuk e gjejnë veten të përfaqësuar nga mazhoranca aktuale. Taktikat zgjedhore që do të ndiqen pritet të jenë shumë të rëndësishme, në një kohë kur vendi mund të shkojë në zgjedhje pa ndryshimin e sistemit aktual, i cili krijon vështirësi për partitë e vogla.

F.M.

Myslym Pasha: Duhet një front i gjerë opozitar antiregjim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›