E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama ne rrjeten e pushtetit

Kryeministri Sali Berisha po e shfrytëzon fare bukur për interesat e tij faktin që lideri i socialistëve, Edi Rama, është i gatshëm të sakrifikojë parimet e drejtësisë dhe lirisë për hatër të ngjitjes në një pushtet që duket e ëndërron sa më absolut. Po duke shantazhuar ambicien e Ramës, ujku plak i politikës së vjetër, po e bën liderin e "politikës së re" bashkëpunëtor në projektin e tij autoritarist të varrosjes së drejtësisë. Po të shqyrtosh me kujdes vetëm dinamikën politike të këtyre javëve të fundit, do kuptosh se konsensusi PD-PS lidhur me ligjin për prokurorinë, nuk është gjë tjetër veçse një rezultante që ka për vektorë në njërën anë, ambicien e Ramës dhe dredhinë e Berishës dhe, në anën tjetër, sakrifikimin e pavarësisë së prokurorisë nga të dy ata.

***

E gjithë ajo që u duk se do të ishte një furtunë politike po që përfundoi si një fllad i ëmbël konsensusi mes PS dhe PD, nisi me kthimin nga Presidenti Topi i Kodit Zgjedhor. Ishte ky akt që ndërsa zgjoi me të drejtë shpresat e LSI dhe të gjithë të diskriminuarve të tjerë, bëri që të lindë njëherazi edhe paniku në gjirin e lidershipit socialist. Përse? Sepse te diskriminimi i sotëm i partive të së majtës si LSI apo PS ‘91, lidershipi socialist dhe Rama, sheh shansin e një pushteti absolut dhe të pashqetësuar nesër. E drejta dhe barazia nuk kanë më asnjë vlerë për këta kalkulues të pushtetit të ardhshëm. Ndërkaq, Berisha e shfrytëzoi me dinakëri këtë panik në funksion të objektivit të vet për të obstruktuar sa më shumë hetimet e prokurorisë për skandalet e Gërdecit, Rrëshen-Kalimashit apo "Fazliçit".

Ai inicioi miratimin e ligjit për lustrimin e dosjeve të komunizmit që, siç e kanë pohuar vetë edhe socialistët dhe siç është thuajse evidente, është një thikë në shpinë të prokurorisë. Berisha e miratoi me arrogancë dhe pa konsensus ligjin e dosjeve, duke shpërfillur jo vetëm bojkotin e PS, por (gjë që skandalizoi jo pak vetë), edhe sugjerimet dhe kritikat e ndërkombëtarëve. Por vini re! Ndërsa bojkotonte Kuvendin për "Dosjet" PS megjithatë, kërcënoi se nuk do të votonte asnjë ligj tjetër pa u rivotuar Kodi Zgjedhor i korrigjuar vetëm për afatet e kritikuara nga Presidenti Topi, por jo lidhur me diskriminimin që i bëhet partive të vogla. Mendja e lidershipit të PS është e fiksuar te Kodi, sepse me Kodin lidhet diskriminimi i LSI. Dhe pa këtë diskriminim nuk mund të ketë nesër pushtet absolut për Ramën.

***

Berisha e nuhati këtë etje përvëluese për pushtet dhe si përherë, e shfrytëzoi mjeshtërisht në dobi të etjes së tij po aq të pashueshme për pushtet. Ai e shantazhoi me sukses Ramën, duke kërkuar publikisht korrigjimin në Kodin Zgjedhor të padrejtësisë që i bëhej LSI-së si partia e tretë në vend. Berisha tha se nuk e mohonte konsensusin me PS për Kodin, por shtoi se nuk do të qe keq sikur ky konsensus të zgjerohej pak. Sot Berisha i ka "harruar" deklaratat e tij mbi gabimet e Kodit Zgjedhor dhe nevojën e korrigjimit të tij. Si në jo pak raste të tjera, ai bllofoi me një të vërtetë për hir të mashtrimit që kishte për objektiv.

Dhe ja arriti. Por ama paniku në lidershpin e PS qe i dukshëm. Mos vallë PD mund të bashkëvotonte me LSI dhe të tjerë një Kod të korrigjuar kundër dëshirës së PS? Por kjo do të thoshte që të fshiheshin padrejtësitë e bëra ndaj LSI do të thoshte, më pak shanse për një pushtet absolut të Ramës nesër. Ambicies për pushtet të liderit të "politikës së re" i hyri tmerri. Dhe është ky tmerr që solli arritjen e konsensusit tjetër PS-PD lidhur me ligjin për prokurorinë. Pa u shpërndarë ende jehona e akuzave të forta të Edi Ramës se "Berisha kërkon të shkatërrojë drejtësinë" se ka instaluar "diktaturën e korrupsionit", lideri i politikës "së re" akaparoi një tjetër konsensus me këtë diktator në kurriz të prokurorisë. Kush e thotë që është kështu? Vetë kryeprokurorja Ina Rama që kundërshtoi me forcë ato nene të ligjit që i bëjnë prokurorët më të pambrojtur ndaj presioneve të qeverisë, si edhe të krimit të rrugës.

Por Edi Rama, nuk e vret shumë për pavarësinë dhe sigurinë e prokurorëve. Ai ka hallin e pushtetit absolut dhe kjo nuk mund të arrihet duke pasur nëpër këmbë "ngatërrestarët" e LSI-së. Dhe përveç kësaj, a nuk është një kontroll më i madh i prokurorëve nga pushteti i sotëm autoritarist, një e mirë edhe për pushtetin e Edi Ramës nesër? Befas lideri i politikës së re ka kuptuar se me një gur ka qëlluar dy zogj: edhe LSI, partitë e vogla pra, edhe pluralizmin por, edhe prokurorët si dhe drejtësinë. I ka qëlluar, por është herët të thuash që i ka vrarë. Ndërkohë, duket se Berisha po e vret Ramën pa e qëlluar fare. Po e vret me konsensus. Po e vret politikisht Ramën, duke e tërhequr nga konsensusi në konsensus në strategjinë e tij të fiksuar autoritariste kundër drejtësisë. Tashmë është fakt se jo vetëm ligji i prokurorisë, por edhe amendamentet e Kushtetutës në 21 prill, ishin kundër pavarësisë së prokurorisë. Pak ditë më parë ishte Komisioni i Venecias që i cilësoi amendimet në Kushtetutë lidhur me prokurorinë "një hap prapa". Eshtë fakt se Berisha po e tërheq Edi Ramën në kënetën e autoritarizmit. Dhe po e bën duke shfrytëzuar dhelpërisht epshin e Ramës për pushtet absolut, si dhe tmerrin e tij nga humbja e një shansi për pushtet absolut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›