Në Berat për Krishtlindje
Që në të dalë të Lushnjës ia kishim shquar "kaptinën" e bërë krejt të bardhë nga dëbora. Tomori, "shtëpia e perëndive" sikurse e quajnë shumë vetë, duket sikur na sheh nga larg teksa i afrohemi Beratit në orët e para të paradites. Eshtë 25 dhjetor, dita e Krishtlindjeve dhe sikur të dojë ta bëjë edhe më të veçantë këtë festë, moti ka vendosur t‘i kthehet thëllimit. "Tamam ditë për festë", thotë njëri prej nesh, duke u mbërthyer edhe më me një shall goxha të trashë.
Në Fier-Shegan makina jonë detyrohet të ecë fare ngadalë. Në të dyja anët e rrugës kryesore njerëzit shtyjnë njëri-tjetrin duke bërë pazaret e fundit. Eshtë ditë e enjte dhe në këtë ditë bëhet pazari më i madh i këtyre anëve. Ullinj, shishe me vaj, thasë me miell, togje me portokaj, karro me kuaj, vajza e djem të rinj, që kanë dalë thjesht për "të parë ndonjë gjë", të gjithë përzihen bashkë teksa shoferët e mërzitur mezi i bëjnë të lëvizin makinat e tyre. Disa gjela deti janë strukur edhe më nga i ftohti që vjen nga thëllimi i fushës. Neve na duket sikur tashmë e kanë kuptuar se çfarë i pret vetëm pas pak orësh dhe, të pafuqishëm, i janë dorëzuar fatit të tyre prej kurbani.
Në Berat na duket sikur tërë njerëzia kanë dalë jashtë. Gra e burra me trasta të stërmbushura me gjërat e festës, djem të vegjël me fishekzjarrët e pashmangshme, të rinj e të reja që kanë lënë takim në lokalet e qytetit, të gjithë na duken si aktorë të një show të madh që quhet Krishtlindje.
Në ish-hotelin qendror të qytetit mezi gjejmë vend të ulemi. Dy sallat e tij të mëdha nuk e përballojnë dot fluksin e njerëzve që shkon e vjen. Të shkretët kamerierë, nuk dinë se ç‘të bëjnë më parë: ta kenë mendjen te porositë, apo të kthejnë përgjigjen e urimeve. Të ngucur në një cep të njërës prej sallave, më në fund kemi takuar do miq të vjetër: Fitim Mimanin, një nga pasuesit e Qyprilllinjve të famshëm të Roshnikut dhe Sulo Gozhitën, koleg, gazetar i vjetër. Me ta kemi se ç‘të flasim në këtë ditë të ftohtë dhjetori. Ja ku shohim edhe një tjetër mik të vjetër. Eshtë Fadil Nasufi, kryetari i Bashkisë së Beratit. Edhe ky bën mund të na arrijë teksa i duhet të takojë gjithë ata njerëz që i shtrëngojnë duart për njërën prej festave më të shënuara të Beratit. "Sapo kemi mbaruar një studim mbi zonat muzeore të Beratit - na thotë kryetari me shqetësim - problem i madh është braktisja e shtëpive të vjetra. Sipas asaj që llogaritën njerëzit tanë janë 74 shtëpi që tani nuk banohen më në këto zona. Kjo do krijojë probleme të mëdha. Ju e dini vetë, kur një shtëpi nuk banohet atëherë…". Si pa e kuptuar biseda mes miqve shkon te një tjetër histori e vjetër. Edhe kjo në një farë kuptimi, lidhet me historitë e vjetra biblike. Që prej shumë kohësh, Berati, Ulqini, Fterra mbi Borsh debatojnë se ku mund të jetë varri i Shabetai Zevit. Në shekullin XVII, ky ka qenë një figurë shumë interesante, përfaqësues i hebrenjve të Perandorisë Osmane, që herë kalonte në islamizëm e herë të tjera predikonte një hebraizëm të ndryshëm nga ai i rabinëve klasikë. Për disa kohë ia pat mbushur mendjen hebrenjve - të cilët në Berat në këtë kohë nuk ishin edhe aq të paktë - se ai ishte Mesia që do të arrinte një ditë t‘i dërgonte në "Tokën e Premtuar" nga Moisiu, në Jerusalem. Shenjtori hebre vdiq gjatë një predikimi në Ulqin dhe nga kjo nisën diskutimet mbi varrin e tij. Miqtë tanë beratas janë krejt të bindur: ai është varrosur në Berat.
Me xha Dhimitrin në Shën Thoma
Ajo kafeja me miqtë dhe ato diskutimet historike na kushtojnë ca kohë. Me të mbërritur në Goricë, në lagjen matanë Osumit, mesha ka mbaruar. Vetëm disa besimtarë më të vendosur vazhdojnë të ndezin qirinj e të përshpirten përballë ikonave të kishës së madhe të Shën Spiridhonit, më e vjetra në Goricë dhe një nga më të vjetrat në Berat. Ca më afër urës së këmbësorëve është një tjetër kishë, ajo e Shën Thomait. Përballë madhështisë dhe vjetërsisë së "koleges" së saj më të vjetër kjo kishë ka qëndruar gjithnjë si në hije. Ndër manualet turistike vetëm sa e përmendin me pak radhë, besimtarët më të shumtë në ditë festash vërshojnë më shumë te Shën Spiridhoni. Vendosim të kthejmë më mirë nga kisha e vogël. "Nuk thonë kot, të vegjlit kanë më shumë nevojë në ditë festash", pohon me kokë Fitimi, miku ynë. Shën Thomai është ndërtuar andej nga mesi i viteve ‘30 të shekullit XX. Një gruaje, nga fisi i njohur i Seminëve, iu fanit në ëndërr shenjtori. Kjo gjë u quajt si një mrekulli nga goricarët, që për hir të kësaj gjëje vendosën ta ngrenë këtë kishë, e cila për fat u rezistoi kohërave.
Nuk shohim shumë njerëz në Shën Thoma dhe këtë e prisnim. Një lypës - me sa duket më i mençur nga kolegët e tij - ka zgjedhur portën e saj që të bëjë punën e tij të përditshme. Me siguri ka menduar: Në Shën Spiridhon ka njerëz shumë vërtet, por ka edhe lypsa shumë, përse të mos shkoj në Shën Thoma? Dhe kështu e takojmë lypësin e mardhur nga të ftohtit që fryn nga gryka e Osumit me dorën e shtrirë si përherë përpara dhe me qëndrimin e përvuajtur me sytë përdhe. Mbi të lartësohet kambanarja e Shën Thomait me dy kambanat e saj tashmë të heshtura.
Një plak i imët, me një kokore të madhe në kokë, na pret në derë të kishës. Eshtë xha Dhimitri, kishtari. "Gëzuar e për shumë vjet, mirë se ju pruri Zoti", na flet ai me zë të ulët, sikurse është zakoni në kishë. Xha Dhimitri ka do punë për të bërë. Pa janë qirinjtë që duhen mbajtur të ndezur, po edhe jashtë në një si shpellëz të vogël ka qirinj që era i fik shpesh, pastaj brenda duhen pritur besimtarët. Xhaxhai me kokore lëviz sa nga njëri kënd i kishës në tjetrin, njësoj sikur e tërë barra e kupolës së saj të jetë mbështetur befas në një kolonë të vetme: mbi atë vetë. Pyetjes se si do ta kalojë festën, i përgjigjet duke ngritur thjesht supet: Po ju e dini vetë. Dreka kalohet në shtëpi. Kështu e do zakoni. Ju po na urdhëruat, nder do na bëni. Unë kam edhe ca punë e pastaj shkojmë bashkë". Ndahemi me plakun e mirë me kokore të madhe në pragun e Shën Thomait. Në një rrugicë ngjitur na bëjnë përshtypje hapat e një zonje që trokasin fort mbi kalldrëmin e gurtë. Me sa duket koha për t‘u mbledhur në shtëpi është afruar. Bëjmë mirë të lëvizim edhe ne vetë.
Në mitropoli, te Hirësia
Mitropolia e Beratit është një godinë e bukur, krejt e gurtë. Me atë shijen e mbarë që na ka dhënë festa në këtë qytet të veçantë, ngjitemi ca më larg qendrës, drejt lagjeve të vjetra. Në hyrje të mitropolisë sundon heshtja. Njerëz ka plot, por të gjithë ngjiten me radhë, duke folur me zë të ulët. Për besimtarët ortodoksë kjo ditë është më shumë një ditë përshpirtjeje se sa ditë zhurme. Sallën e pritjes e gjejmë të mbushur plot. Kuptohet menjëherë se kush është i pari i vendit. Një plak impozant, me një mjekër dëborë të bardhë dhe me sytë e qeshur, i pret me dashamirësi të gjithë njerëzit që i puthin dorën. Në krah të tij janë dy ndihmësit, shumë më të rinj. Hirësia është Imzot Igumeni, që prej 1998-ës një prej njerëzve më të fuqishëm të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia ka mësuar shumë mirë shqip. Nuk resht së shpjeguari mysafirëve të shumtë se ç‘kuptim ka kjo festë. "Nuk ka pasuri më të madhe se sa vetë njeriu - përsërit vazhdimisht, pastaj shton - po për Ujët e Bekuar do të na vini. Këtu bëhet shumë mirë, atje tek Ura e Goricës".
Imzoti, me mjekër të bardhë e me sytë e qeshur, na jep leje të largohemi. Teksa ndahemi me të hasim edhe një herë mikun tonë, kryetarin Nasufi. Autoritetet lokale, prefekti, kryetari e të tjerët po ngjiten lart të kryejnë protokollin e rastit.
Noçja dhe kaposhi
Kemi edhe do kohë sa të bëjmë një shëtitje nëpër lagjet e vjetra. Diku në anë të një rruge kryesore na tregojnë se këtu punon kasapi më i vjetër i Beratit. Kostë Bumçi vazhdon të presë me kujdes ca brinjë qengji që ia kanë porositur të krishterët e lagjes. Xha Kosta vetë është tashmë 88 vjeç. Të gjithë janë të bindur se ai është kasapi më i vjetër në qytet. "Sa bagëti mund të kesh therur gjatë gjithë jetës tënde?" - e pyet gjysmë me shaka njëri prej nesh. Xha Kosta e ngre kokën nga brinjët që ka përballë dhe përgjigjet thjesht: "Di gjë unë! Shumë, sa të duash". Miqtë tanë na thonë se profesioni i xha Kostës ka qenë njëherazi edhe burimi i tij i jetesës, por edhe fatkeqësia e tij. Në kohën e diktaturës Xha Kostën e paskan futur ca kohë në burg vetëm se "theri një viç pa leje". Gjëra të çuditshme ndodhin në diktaturë, deri atje sa t‘ia heqësh një kasapi kënaqësinë e të therurit. Xha Kosta na thotë se këto ditë ka pasur shumë punë. "Shenjë e mirë për një fundvit", buzëqesh që nga fundi i dyqanit të tij të vogël.
Ca më tej një djalosh i ri shtyn me shkop tre gjela deti. Gjelat kapardisen në kalldrëmin shekullor të Beratit, ndërsa djali i ri tund purtekën për t‘i çuar të kullosin. Ka shumë mundësi që për gjelat e ngrefosur të jetë shëtitja e tyre e fundit në jetë. Ca më tej, disa gjela deti të tjerë, më të lodhur, dhe, me sa duket, më realistë, janë topitur nga udhëtimi që kanë bërë kush e di se prej cilit fshat. Ndryshe nga gjelat shëtitës këta i kanë këmbët e lidhura dhe shikimin e tulatur.
Kalojmë disa shtëpi me portën e kyçur me dry dhe na kujtohet edhe një herë shqetësimi i kryetarit për shtëpitë e vjetra që kanë nisur të braktisen. Trokasim në një portë, shtëpi e vjetër kristiane. Një plakë e moçme del të na presë e mbështetur mbi shkopin e saj. Eshtë Noçja, kështu e thërrasin 90-vjeçaren Afroviti Tavanxhiu të gjithë ata që e njohin. Noçja, nënë e shtatë fëmijëve, ka pasur një jetë të mundimshme. Ka punuar si qepëse thasësh në Kombinatin e Tekstileve të Beratit, ai i njohuri që për shumë vjet pat mbajtur emrin "Mao Ce Dun". Noçja ka marrë edhe shpërblim për Vitin e Ri. "Na dhanë 5 mijë lekë shpërblim mbi pensionin - na thotë - me ato para e blemë kaposhin". Me Noçen rrimë e bisedojmë gjatë se si e bënin festën ndër kohëra të vjetra, atëherë kur ajo ishte ende një çupë e re që nuk e dinte se ku do ta hidhte fati. "E mbaj mend mirë more djem. Nuk i thoshim vetes as të pasur, e as të varfër, por që të rrinim e të mendonim se ku do të gjenim një kaposh, kjo nuk bënte vaki. Jo te ne, por as te më të varfrit, po nejse, kështu erdhën kohët". Noçja e ka mirë, nejse, janë ditë festash dhe një kaposh shpërblim nuk është edhe aq keq. Tamam kështu erdhën kohët.