“Edi Rama piktor i dështuar dhe kohë e humbur për Tiranën”
Sali Berisha: Ish-kryetari i bashkisë e humbi vizionin
Duke e konsideruar organizimin e këtij konkursi “ngjarje të madhe për qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët”, Kryeministri tha se projekti i ri do t’i japë Tiranës një dimension të ri urbanistik që nuk ka mundur ta ketë deri tani, si pasojë e mungesës së vizionit, një “dimension që qyteti mezi e pret”. Kryeministri garantoi se qeveria do të punojë ngushtë me bashkinë, për t’i shndërruar në realitet projektet për zhvillimin e kryeqytetit. “Shqiptarët presin me padurim Tiranën e këtij shekulli, Tiranën në funksion të qytetarit, Tiranën si një metropol i ri europian, Tiranën që të harmonizojë në mënyrën më të shkëlqyer të gjithë potencialet e saj e të vazhdojë të luajë rolin kryesor në zhvillimin e vendit. Ata, të cilët ndalen dhe studiojnë pozicionin e këtij qyteti do të gjejnë se është një nga pozicionet më unike që mund t’u kapë syri, jo vetëm në rajon, por edhe në kontinent e më gjerë. I vendosur rrëzë malesh të veshura gjer në majën e tyre me drurë, i rrethuar nga një gjerdan kodrash, që tërhoqën aq shumë Edëard Lear në veprat e tij kushtuar kodrave ondulante të Tiranës, në një rrafsh që i krijon individit hapësirën e pamasë dhe vetëm 35 kilometra nga deti, ky kryeqytet meriton derdhjen e gjenive më të shquara krijuese dhe nxjerr në pah të gjithë madhështinë e veprave të ndërtuara në të. Besimi im i madh është se kemi të bëjmë me një fillim të ri, historik. Qyteti ka shprehur dhe shpreh më shumë se çdo gjë tjetër kohën dhe sistemet. Këto që trashëgojmë sot, me të cilat edhe mburremi se qëndrojnë, i përkasin kohërave të themelimit të Tiranës, të projekteve urbanistike dhe ndërtimeve nga urbanistë e arkitektë nga më të shquarit e asaj kohe. Më vonë ra në një fatkeqësi, sa do të ishte e vështirë të dalloje atë që ndodhte në rrugët e sheshet e saj, me atë që ndodhte në rrugët e sheshet e Ulan Bator-it. Tani, Tirana pret këtë fillim. everia shqiptare do të punojë ngushtë me bashkinë, për t’i shndërruar ato në realitet dhe për t’i inauguruar ato, së bashku, sa më shpejt. Dhe ky është vetëm hapi i parë i madh i një Tirane metropol europian”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi ish kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama se duke qenë një piktor i dështuar, kishte humbur vizionin për Tiranën. Sipas tij, Tirana ka humbur shumë vite, ndërsa sot është koha që të fitohet çdo “kohë e humbur”, për kthimin e Tiranës në metropol evropian. “Tirana, duhet të jemi realistë, ka humbur disa vite dhe kjo jo për faj te qytetarëve e saj, por, para së gjithash, për mungesën e vizionit të paraardhësit tuaj, zoti kryetar. E theksova këtë moment për t’ju thënë qeveria do t’ju mbështesë fuqishëm në projektet ambicioze për ndërtimin e Tiranës së këtij shekulli, sikundër qeveria do të mbështeste pavarësisht nga ngjyrat partiake, çdo të votuar të qytetarëve të Tiranës, në ambiciet e tij për t’i dhënë Tiranës dimensionin e munguar, për t’i dhënë Tiranës mundësitë për të zhvilluar të gjitha potencialet e saj, për t’i dhënë tregut të kryeqytetit energjinë, dinamizmin që meriton. Paraardhësi yt ishte një piktor dhe duhet të them i dështuar jo për faktin se nuk i shiteshin veprat në treg, por se nuk kuptonte se njerëzit kanë nevojë jo vetëm të shohin, por kanë nevojë edhe të ecin dhe kjo është urbanistika. Ky është dimensioni që ju i jepni Tiranës, me projektin që do përzgjidhni, dimension, të cilin qyteti mezi pret. Le ta konsiderojmë këtë një fillim të madh e premtues për Tiranën metropol europian. Sa herë që lexoj shkrime të turistëve që thonë se në këtë qytet nuk ka shumë gjëra për të parë, për të mos thënë më keq se kaq, vjen si lëndim tek unë. Atëherë, ne duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të kenë sa më shumë gjëra që të duan në kryeqytetin e tyre dhe të huajt të kenë sa më shumë gjëra për të vlerësuar në këtë kryeqytet dhe kjo do të ndodhë kur Tirana të ndjekë rrymën e zhvillimit të kryeqyteteve europiane, duke pasur epërsinë e jashtëzakonshëm mjedisor e të pozicionit të saj gjeografik, të pakrahasuar me asnjë qytet tjetër”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
...