Nisi dje ndërtimi i Tiranës Evropiane
Gara për projektin e Bulevardit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës ka njohur dje 7 konkurrentët e saj. Kryebashkiaku Lulzim Basha kujtoi se “zgjatimi i bulevardit do e vërë qytetin në trajektoren e një qyteti modern”
Kryeministri Sali Berisha: “T’i kthejmë Tiranës vizionin e munguar, të cilin s’e pat piktori i dështuar që ishte kryebashkiak”
7 studio arkitekturore botërore prezantojnë projektet dhe masterplanet e tyre për zgjatimin e bulevardit nga stacioni i trenit në drejtim të Paskuqanit. Gjithashtu masterplani i tyre do të përfshijë edhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha morën pjesë në konkursin për zgjatimin e Bulevardit. Zgjatimi i Bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës do të sjellë ndërtimin e një poli të ri ekonomik, hapjen e mijëra vendeve të reja pune, përmirësimin e cilësisë së jetës etj
Shtatë studio të njohura arkitekturore kanë nisur dje garën në Tiranë, për projektin e Bulevardit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës. Studiot Arkitekturore: DAR Group Turkey & United Kingdom, West 8 - The Netherlands, Albert Speer & Partners - Germany, Cino Zucchi Architetti - Italy, Gerkan, Marg & Partners - Germany, Kees Christianse & Partners - The Netherlands, Grimshaw Architects - United Kingdom po prezantojnë masterplanet për zgjatimin e Bulevardit, deri tek lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha. Po kështu, këto studio sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth.
Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin dhe propozime për zhvillimin e zonës, nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e Bulevardit si dhe për zhvillimin e Kodrave të Paskuqanit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se ky projekt do ta vendosë përfundimisht Tiranën në trajektoren e një qyteti modern europian, të denjë për sfidat e shekullit të XXI.
“Gjurmët e këtyre studiove arkitekturore nuk janë thjesht gjurmë, ato mund të shikohen edhe nga jashtë planetit, janë qytete të tëra të ndërtuara e rindërtuar rishtas, nga Australia, Kina, SHBA, Gjiri Persik si dhe rikualifikime urbane nga më të guximshmet të cilat kanë transformuar tërësisht fizionominë e qyteteve 1000 dhe 2000 vjeçare, në territorin e kontinentit tonë. Shquhen për guximin, inovacionin, konsistencën, përvojën dhe besueshmërinë në ekzekutimin e këtyre projekteve, që me të vërtetë kanë shndërruar planetin tonë në 50 vitet e fundit dhe mund të them se sot të gjithë ndiejmë një krenari legjitime, që kemi këtë potencial të jashtëzakonshëm, të pranishëm në këtë konkurs kaq domethënës për qytetin tonë. Ndryshimi që ky konkurs parathotë për një pjesë të mirë të qytetit nuk është një ndryshim që mund të vijë brenda natës, veçanërisht në një projekt kaq domethënës dhe të madh sa ky, por unë jam shumë i lumtur për besimin e jashtëzakonshëm që demonstron prania e këtyre potencialeve të jashtëzakonshëm, të fushës së arkitekturës urbane, në qytetin tonë, tek potenciali i Tiranës, tek shpresa, mundësia për një Tiranë Europiane, për një Tiranë, ku të punohet, jetohet, shijohet jeta më mirë”, u shpreh kryetari i bashkisë, Lulzim Basha.
Sipas tij, zgjatimi i Bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës do të sjellë ndërtimin e një poli të ri ekonomik, hapjen e mijëra vendeve të reja pune, përmirësimin e cilësisë së jetës etj. Gjithashtu, ndërhyrjet në infrastrukturë pritet t’i japin zgjidhje një sërë problemesh në kryeqytet të cilat lidhen me reduktimin e trafikut dhe me uljen e ndotjes sidomos në zonën ku kalon lumi Tirana.
“Ky projekt do të rivitalizojë tërësisht 1/5 e qytetit të Tiranës, do të ndërtojë një pol të ri ekonomik, i cili do të hapë me mijëra vende pune, do të ndihmojë në përmirësimin e trafikut, do të hapë aksese të paimagjinuara më parë për qytetarët, të moshuarit, fëmijët e kryeqytetit, aksese në hapësira të gjelbra, parqe argëtuese, në hapësira ujore, pra do të përmirësojë tërësisht cilësinë e jetës në Tiranë, por mbi të gjitha do ta vendosë përfundimisht Tiranën në trajektoren e një qyteti modern europian, të denjë për sfidat e shekullit të XXI”, tha më tej Basha.