Edi Rama po e fut PS-në në temperaturën e shkrirjes
Nga politika e bllokimit të statusit të kandidatit e deri tek mashtrimi ndaj aleatëve dhe çelja e tenderit për listën e ardhshme të deputetëve, Edi Rama e ka futur Partinë Socialiste në temperaturën e shkrirjes. Debatet lokale, beteja mes të rinjve dhe të vjetërve, identifikimi i strukturave me ideologjinë bolshevike antievropiane dhe riciklimi i pinjollëve të Bllokut po prodhojnë këtë verë aliazhin e shkërmoqjes, një situatë që mund të shfrytëzohet nga Fatos Nano, ose nga aleanca të tjera të politikës konjukturale
Ditët e nxehta të stinës së verës i kanë rezervuar PS-së një dhuratë prej Edi Ramës, futjen e saj në temperaturat e shkrirjes.
Kalimi nga gjendja e ngurtë dhe futja e PS-së në temperaturat e shkrirjes gjithsesi nuk është aq për meritë të stinës së nxehtë, se sa për meritë të kryetarit të saj.
Gjendja e ngurtë e PS-së, prej kohësh që nuk mbahen mend, e tipit “foli murit”, duket se po përjeton transformimin e saj, drejt shkrirjes.
Ndryshimi i gjendjes nga e ngurtë drejt shkrirjes, dukshëm bie në sy nga orientimi i sjelljes së PS-së prej Edi Ramës, në raport të kësaj force politike me konsensusin për reformat integruese. E rreshtuar “si një trup i vetëm”, muri i ngurtë i PS-së, ia ka dalë që të mbaj peng procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Ndërkohë, që këto argumente u konsumuan dhe koha nuk i premton shumë PS-së, për tu mbajtur ende pas tyre, Edi Rama ka zgjedhur copëzimin e argumenteve deri në nivelin e lëngëzimit, shkrirjes së tyre, duke u kapur këtë herë sa te KQZ-ja, aq te vendimi i saj për referendumin e plehrave, apo sa te (mos)numërimi elektronik i votave, te (mos)hapja e kutive të votimit...
Shkërmoqja në nivelin e lëngëzimit i argumenteve reformë-bllokuese nga ana e Edi Ramës i ka lënë fushë veprimi shkërmoqjes, në nivelin e lëngëzimit edhe të strukturave të PS-së. Jo aq nga rikthimi në skenën politike të PS-së të Fatos Nanos, jo aq edhe nga “divorci” i Erion Veliajt me Elisa Spiropalin për më shumë kontroll të re:fressh-it, “lëvizje” të pasuara këto me shkërmoqje të strukturave të PS-së, injorimi i vendimeve të Asamblesë së PS-së prej Erion Barçes, i cili kurrsesi nuk pranon rolin e “të deleguarit” në Korçë, pse nuk do t’ia falë Beratin Erion Veliajt, është një tregues i rritjes së temperaturës së shkrirjes brenda PS-së. Për më tepër, kur Erion Braçe guxon dhe shpërndan edhe receta për “përzgjedhjen” e kandidatëve për deputetë socialistë, gjendja duket edhe më e rëndë... Kur guxon edhe Erion Braçe “të ngrejë zërin”, temperaturat e shkrirjes që po përjeton PS-ja, duhet të konsiderohen vërtetë si shqetësuese...
Por ndërsa Erion Braçe, si ai “qeni që leh por nuk të ha”, përveç se mund ti shtijë ndër mend ndonjë zhurmuesi tjetër brenda PS-së, që të zhurmojë vetëm dhe për ti demonstruar forcën ndonjë Erion Veliaj rrespektivë, njëherazi duhet pranuar e pohuar se si kontribuues në futjen e PS-së në temperaturat e shkrirjes e plotëson më mirë këtë gjendje të re të kësaj partie, e cila edhe për kaq gjë, e ka mjaft edhe përjetimin e kësaj gjendje, në raport me marrëdhëniet mashtrues që Edi Rama ka ndërtuar dhe po konsolidon me aleatët e tij.
Ajo që deri tani konsiderohej si marrëdhënie “e nderë”, në nivelin e ngurtësimit, bie fjala e Edi Ramës me partitë e Skënder Gjinushit dhe Paskal Milos, po zëvendësohet me një tjetër marrëdhënie të mundshme, pse jo edhe më të shkrirë (po aq edhe mashtruese), e Edi Ramës me partitë e reja që “po shfaqen në horizont”, të Bamir Topit e kreshnik Spahiut... Ndërsa Skënder Gjinushin e Paskal Milon, “askush nuk i zë më prej bishti”... dhe aq më tepër partitë e tyre...