E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentativat e opozitës për politikë piromane nuk do ndihmohen nga klima e nxehtë

02-07-2012 / Nga Eden Babani

Vala e të nxehtit që ka pushtuar vendin këtë verë të parakohshme, ka plogështuar ndjeshëm edhe jetën politike, pas zgjedhjes së presidentit të ri. Duket se opozita jonë, zjarrvënëse e përhershme e debatit politik, u përcëllua keq me bllokimin e zgjedhjes së një presidenti konsensual, sado që u hoq e dashuruar me idenë e konsensusit, të cilën e shpërdoroi deri në tejskaj, aq sa, më në fund, e nxori të pavlefshme. Tentativat më të fundit piromano-politike të liderit të saj, Rama, në twiter-at e vet telegrafikë, ndonëse të mbingarkuara me detektorë zjarrvënës, nuk e kanë dhënë atë çka ka pritur ai dhe ithtarët e vet. Ndoshta sepse, duke rrëmuar nëpër plehra për t’i gjetur, i dolën të lagur. Edhe kampionati Europian i futbollit, duhet të ketë pasur ndikim në këtë gjendje plogështie të shumëfishtë. Le të kujtoj “driblimet” e zotit Meta në emisionin Debat, i cili, natën e gjysmëfinales mes Italisë dhe Gjermanisë, kishte parapëlqyer të ndiqte “Super-Marion”, në krahasim me “Super-Majkon”.
Gjendjes së plogështisë, nuk i ka shpëtuar dot as zoti Nano, i cili, pasi e përfundoi pa sukses turrin e vet për t’u zgjedhur president, i mllefosur dhe po aq “i rinuar”, ndërmori një nismë interesante për ta larguar Ramën nga udhëheqja e PS-së, për t’u rikthyer vetë në krye të saj si lider historik dhe për t’iu ringjallur socialistëve shpresat e akulluara se një ditë do ta “mundin Berishën” në procesin e një rrotacioni qeverisës. Nuk dimë saktësisht si do të përfundojë nisma e zotit Nano, do të arrijë dot performancën e pritur apo jo, deri në “finishin Rama”, sado që ia njohim këmbënguljen, siç ia njohim aftësitë veta si politikan dhe lider. Ndërkohë, na lind mendimi se zhegu trullosës do t’i ketë zgërlaqur artizanët e vegjël të politikëbërjes në rrethe, komuna e fshatra, ndërsa finalet e kampionatit dhe debatet e stërzgjatura për to, do t’i kenë gozhduar keqas përpara ekraneve të televizorëve.
Ndërkohë, koalicioni qeverisës po punon me kohë të plotë. Jemi në korrik, kur edhe dita është shumë e gjatë. Aq e gjatë, sa një politikan i motivuar për t’iu përkushtuar pikësynimeve të veta politike, ka kohë të mjaftueshme të hidhet, ta zëmë, nga Tirana, në Strasburg e Bruksel dhe, sërish, të kthehet në Tiranë, për të promovuar një nismë të re.
Provimi i vjeshtës po afron, ndërsa reformat e mbetura pezull  presin të marrin jetë sa më parë. Ato nuk mund të shtyhen për në ngricat e dimrit të ardhshëm. S’na lënë sinjalet e ardhura prej botës perëndimore, si këtej, ashtu edhe andej Atlantikut. Ato janë aq të qarta, sa duhet të jesh i papërgjegjshëm të mos i kuptosh, aq më tepër kur edhe papërgjegjshmëria vjen e merr përmasa të përbindshme bllokuese dhe atdhemohuese.
I kemi ende të freskëta në kujtesë përpjekjet e Ramës për të bllokuar zgjedhjen e Presidentit dhe për ta hedhur vendin në një aventurë zgjedhore të panevojshme, në një kohë fare të papërshtatshme. Pjesëmarrja e grupit parlamentar të PS-së në raundin e katërt, kur zoti Hoxha ishte tërhequr nga gara dhe në garë kishte hyrë zoti Nishani, ishte një nga veprimet më të papërgjegjshme të liderit socialist. Ai e vuri grupin vet parlamentar në rolin e kopesë. E detyroi atë të jetë në sallë, por të mos votojë.  Fare e qartë: zoti Rama shpresonte ende në një rrjedhje të mundshme të votave të shumicës, ndërsa i trembej çdonjërit deputet të grupit të vet parlamentar. Nuk dimë si i lindi kjo ide antidemokratike për t’ua hequr deputetëve që ka nën urdhër të drejtën e votës. Jo se nuk ka rreth vetes njerëz që e njohin zakonin e kopesë, e cila hidhet e gjitha në greminë, me t’u hedhur delja e parë. Ai ka plot të tillë që i bëjnë fresk edhe në këtë zheg korriku. Ndaj nuk na çuditin sugjerime të tilla. Na çudit, nga ana tjetër, guximi i marrë për të hedhur tej edhe atë cergë demokratike me të cilën mbulon vetveten.
Ja pse nuk presin reformat, veçanërisht ajo zgjedhore, mbetur fare pezull. Ja pse edhe vendi mezi pret që Presidenti Nishani të fillojë detyrën zyrtarisht. Janë nyje të të njëjtit kordon, i cili, sa vjen, po tendoset dita-ditës më shumë. Ndërkohë, nëse nyjat nuk do t’i vlerësojmë si stacione të ndërmjetme drejt Brukselit, duke humbur provimin e vjeshtës, do t’i shkaktojmë së ardhmes sonë demokratike dhe europiane dëme të pandreqshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›