“Edi Rama, politikan i dështuar dhe i rënë në llumin e shpifjeve”

Vajza e kryeministrit Argita Malltezi, u kundërpërgjigjet akuzave të PS
Akuzat e përditshme të Partisë Socialiste ndaj familjarëve të kryeministrit, janë kthyer tashmë në praktikë “pune” - në mungesë të ofrimit të alternativave konkrete zhvillimore dhe dobiprurëse. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe për sa kohë Edi Rama ka ringritur kultin e individit në PS, duke bërë që gjithçka të nisë nga ai dhe të shpërndahet si fletërrufe ndaj kundërshtarëve politik. Të tilla konceptohen dhe vlerësohen edhe akuzat e përditshme kundër Argita Malltezit, duke stisur dhe sajuar personazhe me argumente qesharakë, në përpjekje për të marrë si feedback të dhunës së saj mediatike dhe politike, kredibilitet elektoral tek opinioni publik.
Edhe akuzave të djeshme të PS, lidhur me biznesmenin pakistanez, Ansar, znj. Malltezi iu përgjigj se gjithçka e deklaruar prej saj, është transparente dhe publike, ndryshe nga aferat dhe shkeljet flagrante të ligjit nga Edi Rama në ndërtimin e pallatit 5 katësh të bashkëshortes së tij, gjobvënia ndaj ndërtuesve, uzurpimi i hapësirave publike, etj.
“Në përpjekjet e tij për të mbuluar shkeljet flagrante të ligjit, me vendimet e marra në konflikt interesi për lëshimin e lejes së ndërtimit të pallatit 5 katesh të bashkëshortes së tij, Lindita Basha - leje të lëshuara në kundërshtim me nenin 62 të ligjit ‘Për urbanistikën’, për një ndërtim në një shesh midis pallateve, me qellim për të zhurmuar deklaratat e ndërtuesve të Tiranës të cilët haptas e kanë akuzuar se u ka kërkuar miliona euro në shkëmbim të vendim-marrjes së tij publike për lëshimin e lejeve të ndërtimit, z. Rama ka lëshuar arsenalin e tij me shpifje dhe spekulime ndaj aktivitetit tim privat avokator të 6 viteve më parë. Z. Rama, bëhesh qesharak kur kërkon t’i shpëtosh transparencës publike duke krahasuar veprimtarinë time legjitime avokatore private me vendim-marrjen tënde publike. Çdo shqiptar e di se midis tarifave të mia avokatore të vendosura sipas ligjit mbi avokatinë dhe denoncimeve për gjobvënie në pozicionin e kryetarit të bashkisë nuk ka asgjë të përbashkët. Biznesmeni në fjalë, si dhe çdo aktivitet tjetër në të cilin jam angazhuar, ka qenë mbi investime me fonde private dhe jo me fonde shtetërore; toka e ofruar ka qenë private dhe pronari sigurisht që e vendos vetë çmimin sipas tregut. Të gjitha të ardhurat e mia janë të deklaruara, transparente dhe të tatuara konform ligjeve në fuqi”, thuhet në reagimin e Argita Malltezit.
Gjithashtu, ajo i drejtohet Edi Ramës duke e cilësuar politikan të dështuar dhe të rënë në llumin e shpifjeve.
“Qartazi Z. Rama, mungesa juaj e vizionit politik ju rrëzon çdo ditë në llumin e shpifjeve dhe sulmeve të rëndomta. Riciklimi i përsëritur i tyre pas katër vitesh do t’ju çojë në të njëjtin përfundim - humbjen, të cilën nuk keni ditur kurrë ta përballoni me dinjitet”, përfundon deklarata për shtyp e vajzës së kryeministrit, Argita Berisha Malltezi.