E Diel, 1 Nëntor 2026

“KLD, rigoroze me ligjin, pretendimet e deputetit Fatmir Xhafaj dezinformim i qëllimshëm”

18-01-2013 / Gazeta 55

Reagon nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa pas akuzave të PS
 
Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa i kundërpërgjigjet deputetit socialist Fatmir Xhafaj, i cili e akuzoi KLD-në se po tejkalon kompetencat për procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve për gjykatën administrative.
Me një shkresë publike, nënkryetari Cefa theksoi se, “Organizimi i testimit nga Shkolla e Magjistraturës është pjesë e përgjegjësisë që ka KLD-ja për realizimin e të gjithë procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet si përgjegjësi ekskluzive e Shkollës së Magjistraturës. E drejta që ka Këshilli për të rregulluar me akte nënligjore këtë proces (neni 71, pika 1 i ligjit) nuk e ndalon atë që të organizojë këtë procedurë, të orientojë Shkollën e Magjistraturës apo të përcaktojë në akte të tij përbërjen e komisionit të fondit të pyetjeve”.
Më tej, Elvis Cefa duke i quajtur dezinformim të qëllimshëm pretendimet e deputetit socialist Xhafa,tha se çdo procedura e ndjekur nga KLD është në përputhje të plotë me ligjin.
“Ky vendim i cili nuk bën asgjë tjetër përveç miratimit të rregullave më të detajuara të organizimit të testimit, u bazua në nevojën për të identifikuar çdo hap të procesit dhe për përgatitjen serioze të fondit të pyetjeve, të cilat nuk mund të përdoren nga arkiva e gatshme e Shkollës së Magjistraturës.  Asnjë ligj nuk e ndalon dhe nuk mund ta ndalojë Këshillin të marrë çdo masë që e konsideron të arsyeshme për organizimin sa më të mirë në funksion të rritjes së garancisë dhe integritetit të këtij testimi. Fakulteti i Drejtësisë dhe stafi i tij akademik janë ata që çdo ditë përgatisin studentët që më vonë bëhen prurja kryesore e Shkollës së Magjistraturës”, theksoi Cefa. 
Ndër të tjera, Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa vuri në dukje se  është i pavërtetë dhe dezinformues pretendimi i deputetit Xhafa , se vendimi në fjalë i Këshillit nuk është publikuar.
“Ju sqaroj se ky vendim gjendet i publikuar në faqen zyrtare të ueb-it të KLD që prej ditës që është miratuar nga Këshilli në adresën Rregullat e provimit për Gjykatat Administrative”, theksoi Cefa.
Nënkryetar i KLD Cefa garantoi të interesuarit se nuk ka asnjë përpjekje nga Këshilli apo nga ndonjë institucion tjetër i këtij vendi për ndërtimin e praktikave dhe mekanizmave abuzivë, por rigorozitet ne zbatimin e detyrave që burojnë nga ligji. Sipas Cefas, Kushtetuta njeh si organin qeverisës të pushtetit gjyqësor, pikërisht KLD-në, të cilit i jep atributet e emërimit të gjyqtarëve me formulën e propozimit të kandidaturave tek Presidenti i Republikës.
 
 
Nënkryetari i KLD, Elvis Çefa viziton gjyqtaren në Vlorë
 
“Ngjarja e rëndë nuk e gjunjëzon dot drejtësinë në vend”
 
Nënkryetari i KLD, Elvis Cefa ka vizituar gjyqtaren e Vlorës Mirela Mishgjoni, e cila ra pre e një sulmi me acid një ditë më parë. Në një dalje për mediat pas vizitës në shtëpinë e Mishgjonit, e cila doli dje nga spitali dhe po merr mjekim në shtëpi, Cefa garantoi mbështetjen ndaj gjykatës, ndërsa theksoi se kjo ngjarje e rëndë nuk e gjunjëzon dot drejtësinë në vend. “Shpresojmë që ngjarja të zbardhet sa më shpejt, policia më dha garanci për kapjen e autorëve” theksoi Çefa.
Një ditë më parë rreth orës 09:00 të mëngjesit në lagjen “28 Nëntori” të qytetit bregdetar, gjyqtarja Mirela Mishgjoni, e cila sapo kishte dalë nga shtëpia është sulmuar me acid sanitar nga një person i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Sipas mjekut, Aldo Vangjeli, gjyqtarja është jashtë rrezikut dhe po merr mjekim për djegiet me acid. Policia po heton për këtë ngjarje ku pista e parë mbetet ajo e detyrës së saj si gjyqtare në Vlore. Por mësohet se gjyqtarja Mirela Mishgjoni është shkarkuar nga detyra në 2008 për shpërdorim detyre, ndërkohë që ajo ka ndjekur rrugën gjyqësore për t’u rikthyer në detyrë.
Ndërkohë të mërkurën ajo është vizituar nga zëvendësministri i drejtësisë Ermal Dobi, i cili ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes, pasi një takimi që pati edhe me drejtues të policisë së Vlorës.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›