E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama rikthen “internimet” për deputetët socialistë

23-01-2012 / Redaksionale

Praktikat komuniste në Partinë Socialiste nuk janë zhdukur asnjëherë. Përkundrazi një provë e re e kësaj logjike është vendimi i djeshëm i Asamblesë Socialiste të drejtuar nga kryetari i përhershëm Edi Rama. Në selinë e PS është mbledhur kryesia e cila ka bërë edhe ndryshime në ndarjen e anëtarëve të kryesisë në 12 qarqe të vendit, për turin e prezantimit të programit politik.  Sipas ndarjes, Ben Blushi lë qarkun e Korçës ku ka qenë i deleguar për shumë vite dhe kalon në Elbasan. Po kështu, Erion Braçe lë bastionin e tij historik Beratin për të shkuar në Korçë. Pandeli Majko nga Korça është dërguar në Dibër, kurse Namik Dokle nga Kuksi në Berat. Arben Malaj  nga Vlora në Kukës, kurse Ndre Legisi nga Puka në Tiranë.
Mirëpo kjo logjikë është tipike e doktrinës politike të  Enver Hoxhës, që sekretarët e parë të komitetit qendror të rretheve zgjidheshin në mënyrë të atillë të mos jepnin i idenë e ndarjes krahinore. Prandaj si rregull Komiteti Qendror i Partisë, d.m.th Enver Hoxha, sugjeronte sekretarin e para të rrethit për të mbajtur drejt frymës e partisë në rreth. Dhe shpesh zbatohej një rregull i pashkruar që një sekretar i parë i një rrethi në veri të ishte nga jugu, dhe anasjelltas. Në kohën e diktaturës komuniste jo vetëm sekretari i parë, por dhe mjeku kuksian caktohej me detyrë në Gjirokastër, oficeri shkodran emërohej në Berat dhe mësuesi beratas degdisej në fshatrat e Korçës e kështu me radhë.
Po përse? Sepse E. Hoxha mendonte se ndarja krahinore e posteve partiake në rreth do të forconte shumë pozitat e këtyre sekretarëve të parë, që kishin lidhje fisnore dhe kurorash dhe kështu kishte krijuar mekanizmin e përzgjedhjes nëpërmjet sugjerimit të Komiteti Qendror të Partisë, që më pas miratohej nga komiteti i partisë në rrethe. 
Sakaq kjo logjikë është ndjekur fije për pe edhe nga Edi Rama, i cili ka vendosur nëpërmjet pilotimit të votës në asamble, që deputetët socialistë të shkojnë të deleguar në qarqe të panjohura, pa shumë lidhje me bazën. Është një mënyrë organizimi në funksion të prerjes së rrënjëve të përzgjedhurve me bazën, duke i hequr kështu mbështetjen popullore. Këtë gjë e ka kuptuar mirë Erjon Braçe, i cili ka reaguar direkt kundër këtij vendimi “qe nuk ka marre ne asnjë germe edhe miratimin tim”, dhe “unë nuk kam nevojë për ofiqe në parti dhe kudo gjetkë”. Në vend të Braçes në Berat kanë dërguar Namik Doklen, pa lidhje fare me qytetin e bukur të 1 mijë dritareve. Dhe deputeti i Vlorës, Eltar Deda ka reaguar i zhgënjyer nga kjo logjikë riorganizimi “Të deleguarit e AK të caktuar në rrethin e Vlorës, 5 prej tyre janë jo banues në rrethin tonë. Por akoma më keq është sepse qëllimi që mendohet se ata janë dërguar nuk i shërben punës. Nuk mund të zgjidhen problemet me individë të cilët vota e popullit nuk u ka dhënë besimin ashtu si edhe anëtarësia e rrethit i njeh si mbartës të konflikteve”.
Megjithatë i menjëhershëm mësohet të ketë qenë dhe reagimi i kryetarit të PS Edi Rama për të narkotizituar të gjitha debatet e sapolindura. Sipas tij, partia nuk është një ndërmarrje, dhe duan të bëjnë punët që duan. Kush nuk e pranon detyrën që i ngarkon partia, e ka derën e hapur, ka qenë haptazi “kërcënimi” i Edi Ramës për anëtarët e asamblesë.
Sidoqoftë kjo logjikë në riorganizim s’ka asgjë moderne, përkundrazi rikthen logjikën e “internimeve” poshtëruese për njerëzit që kanë kontribute të njohura në një qytet. Me shumë gjasa kjo lojë e ndarjes në rrethe shpërbën për një korrje të rrënjëve që ushqejnë pushtetin dhe forcën e secilit deputet me bazën e partisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›