“Kryeprokurorja ra viktimë e interesave politike të Edi Ramës”

Ylli Manjani, flet për Letrën e Priftit drejtuar Ina Ramës
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani deklaroi dje se kryeprokurorja Ina Rama është e përfshirë në aferat politike që kryesohen nga Edi Rama.
Sipas tij, aksioni kundër Ilir Metësa dhe mazhorancës, nuk është vetëm montazhi i videos, por edhe bashkëpunimi i Kryeprokurores Ina Rama, deputetit Dritan Prifti dhe kreut të PS, Edi Rama. Ai tha se Dritan Prifti u përdor si limon për të shantazhuar Ilir Metën dhe më pas të kalohej në aksione si ai i 21 janarit të kaluar.
“Dritan Prifti bëri gjithçka që të shantazhonte Metën, për interes të tij. Dhe publikimi i asaj videoje të manipuluar, u bë pikërisht për të shantazhuar jo vetëm Meta por dhe të cenojë koalicionin qeveritar dhe mazhorancën”, u shpreh Manjani.
Duke iu referuar videos ku Dritan Prifti ka regjistruar veten e tij duke marrë 70 mijë euro në rrugë të dyshimta, Manjani tha se prokuroria duhet të thotë se cili është burimi i kësaj shume dhe pse nuk janë bërë transparente sipas ligjeve të shtetit.
“Thonë që është çështje private! Shpresoj të jetë ashtu. Por, mua nuk më duket si çështje private, pasi ato para qe ndahen mes dy zotërinjve janë jashtë sistemit tatimor dhe bankar. Pra, në logjikën konkrete, mund të mendohet për para trafiku. Ajo video është pronë e prokurorisë, e ka të zbardhur dhe të sqaruar, madje e ka pasur të gatshme shumë kohë më përpara, kur merrej me Metën. Këtu lind dhe diskutimi. Pse prokuroria sulmon dikë që provën e ka të dyshimtë dhe mbron dikë që provën e ka konkrete? Kjo video nuk ka çuar nën akuzë persona. Nuk është e plotësuar në hetimet shtesë. A thotë se janë ndarë në mënyrë private, por prokuroria nuk e thotë një gjë të tillë”, tha ai.
Sa i takon letrës së Dritan Priftit drejtuar Kryeprokurores Ina Rama, të cilën e vë në dijeni se përmes të dashurës së tij i ka dërguar një shumë të hollash, për mbylljen e çështjeve korruptive, Ylli Manjani e cilësoi titullarin e organit të akuzës si viktimë të interesave politike të Edi Ramës.
“Prokuroria ka hyrë në një betejë me opinionin publik. Letra e Priftit për Ina Ramën mund të jetë pjesa e një tjetër hetimi. Porsa kohë ka një letër, atëherë kemi të bëjmë me një abuzim si në letër, ashtu dhe në komentet e Dritan Prifit. Sipas letrës, e dashura e Dritan Priftit ka qene seksere mes Priftit dhe Ina Ramës. Unë e quaj prokuroren një viktimë të politikës, një keqpërdorim diskriminues i personave në rrethana të caktuara. Kjo është një situatë e pakëndshme. Interesi i publikut është që të marrë vesh se çfarë personazhi është Dritan Prifti dhe kjo u mësua tashmë”, tha më tej, Manjani.