E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur arbitri nuk jep penallti

Nëse ka një parashikim të sigurt se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme, ai është fakti se Edi Rama dhe opozita nuk do të pranojnë një rezultat humbës për Bashkinë e Tiranës. Për njëmijë e një arsye politike dhe personale, kryesocialisti që ka udhëhequr përmbi dy vite protestën opozitare ndaj vjedhjes së votës së 28 qershorit 2009, nuk mund të pranojë në heshtje një rezultat të dyshimtë të KQZ-së. Edhe vetë kryeministri Berisha, besoj se e ka të qartë këtë realitet të vështirë për t’u ndryshuar me gjithë procedurat juridike që mund të gjenden. Nëse ai priste një ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar në emër të stabilitetit të rajonit, ashtu siç ndodhi me protestat opozitare të post-28 qershorit, ky shans duket i humbur. Arbitri i huaj që kemi përcaktuar për të drejtuar garën, nuk ka dashur të akordojë një tjetër “penallti” në minutat shtesë për ekipin e Berishës. Kjo u pa qartë në deklaratat e Brukselit dhe raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it. Ndërkombëtarët po e bëjnë çdo ditë e më shumë publik mendimin se procedurat e KQZ-së ngjallin më tepër dyshim për favorizimin e njërit kandidat sesa justifikimi për plotësimin e një mungese ligjore në Kodin Zgjedhor. Duke lexuar mes rreshtave të këtyre deklaratave, mund të kuptohet se është e largët një ndërhyrje nga jashtë për të mbështetur votat e fundit që po numërohen në KQZ.
Kryeministri Berisha duhet të jetë koshient gjithashtu se zgjatja e mëtejshme e tensionimit të situatës është në favor të objektivave afatgjata të Edi Ramës. Një lider opozitar që u ka premtuar deri më sot militantëve se do të luftojë për zgjedhje të parakohshme në rast të fitores së zgjedhjeve vendore, është e sigurt se do të kërkojë me më tepër insistim rrëzimin e qeverisë në rast se i “rrëmbehet” mandati i tij. Në një situatë kur edhe fitorja e Tiranës nga Rama, edhe humbja e saj, do të thotë një rrezik për qeverisjen deri në vitin 2013, z. Berisha duhet të zgjedhë opsionin që i zvogëlon sa më tepër mbështetjen popullore protestave të opozitës. Dhe, sigurisht që ky opsion nuk është vazhdimi i mëtejshëm i mbajtjes hapur të procesit të numërimit dhe tensionimit të retorikës politike.
Për të gjitha këto arsye, opozita nuk ka ndonjë motiv të bindshëm për t’u tërhequr nga rruga e saj, ndërsa maxhoranca duhet të shqetësohet për stabilitetin e saj. Socialistët, me të gjitha gjasat, do të kundërshtojnë me të njëjtat pretendime edhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor në favor të kandidatit Basha. Vendimmarrja e gjykatësve do të paragjykohet si e influencuar nga maxhoranca dhe si rrjedhojë do të jemi sërish në pikën e nisjes së tensionimit.
Në një analizë realiste të situatës, maxhoranca është e detyruar që të kryejë lëvizjen e parë për gjetjen e një zgjidhjeje. Kryeministri Berisha duhet të mbajë një rrugëdalje rezervë përpara se të jetë vonë për t’u tërhequr nga spiralja e klimës së tensionit të dyanshëm.
Ambasadorët e huaj po përpiqen prej dy javësh për të siguruar një kompromis, që duhet thënë se nuk është i lehtë. Një shaka që qarkullonte vite më parë ndërmjet diplomatëve të huaj, e theksonte detyrën e tyre të vështirë: “Ka vetëm dy mënyra për të negociuar me presidentin Berisha. E para, kur ai ndodhet në dhomë dhe e dyta, kur ai ndodhet jashtë saj”. Sigurisht që ishte një tjetër epokë, shumë më e hershme sesa z. Arvizu dhe Sequi të nisnin ecejaket për të ftohur mendjet e nxehta të politikës shqiptare. Një periudhë, që kryeministri i sotëm është kujdesur të na e dëshmojë në shumë raste se i përket së kaluarës. Por, tashmë ndodhemi përpara “provës së zjarrit”, kur ai duhet të tregojë se lideri i vitit 2011 mund të pranojë edhe lëshimet apo dialogun. Eksperienca e deritanishme na ka treguar se tensionimi jo gjithnjë është rruga e duhur drejt fitores politike dhe përkrahjes popullore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›