Heqje dhe dorëheqje
Në mes të katrahurës së numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, që po shoqërohen me protesta përreth Komisionit. Qendror Zgjedhor, me bllokime rrugësh dhe thirrje për revoltë nga opozita, erdhi edhe debati Kadare Basha, ku letrës së Kadaresë, i cili në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, i kërkon Bashës, në emër të përparimit të vendit, dorëheqjen nga kandidat për kryetar bashkie, Basha iu përgjigj duke i thënë se me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri, se kështu vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por [...] sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira, sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje. Cili ka të drejtë përsa i përket rrugës së përparimit të vendit dhe çfarë alternativash mund të ketë?
Në letrën e Kadaresë ka një togfjalësh që e komprometon shkrimtarin kur shfaqet si analist i zhvillimeve politike shqiptare, pasi duket sikur ai sapo ka zbritur në realitet nga ndonjë libër fiksioni me një Shqipëri virtuale. Kjo është fraza: Kolapsi i papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar. Në fakt, vetëm të papritur nuk ka në këtë që po ndodh. Ose më saktë, i papritur ishte vetëm rezultati kaq i ngushtë i Tiranës. Kurse përsa i përket thelbit të asaj që po ndodh, e papritura për ne do të ishte sikur të mos kishte ndodhur kjo që po ndodh. Pra, sikur edhe Tirana të kishte shkuar, si gjithë qytetet e tjera, me rezultate të pakontestuara dhe ne të mburreshim se kemi arritur standarde europiane në zgjedhje. Personalisht, kur jam shprehur për atë se si do të shkonin këto zgjedhje, kam qenë mjaft skeptik duke ripërsëritur idenë se, nëse i mendojmë zgjedhjet si test i demokracisë, është e vështirë të presësh që këto të tanishmet të japin një rezultat pa probleme, pasi është njëlloj sikur të thuash se një i sëmurë shkon të bëjë analizat e gjakut dhe pret që ato ti dalin mirë, ndërkohë që ai e di se sa i sëmurë është. E kam thënë këtë edhe duke parë se opozita ka ecur mbi dy shina lidhur me këto zgjedhje: duke pranuar të merrte pjesë në to, por edhe duke përgatitur kontestimin e tyre në rast humbjeje. Thënë ndryshe, ne ishim të përgatitur që në rast fitoreje të opozitës këto do të mund të quheshin zgjedhje të pranueshme, përndryshe ato do të quheshin të papranueshme. E, në këtë kontekst, mund të them se sipërfaqësisht u gjenda në prag të përgënjeshtrimit të parashikimit tim. Sikur të mos ishte rasti Tirana, zgjedhjet nuk do ta jepnin sëmundjen nga e cila kemi vuajtur e vuajmë ne. Do të konsideroheshim gati të shëruar. Kurse Tirana provoi se sëmundja jonë e vjetër vazhdon.
E, kur flitet për sëmundje të vjetër, nëse do tu hedhim një vështrim të shpejtë zhvillimeve politike të këtij vendi, do të vëmë re se shumë nga ata që quhen ndërrime pushteti në Shqipëri dhe jo vetëm, por edhe shumë vendime të tjera, janë marrë kryesisht si rezultat i luftërave jashtinstitucionale të dy partive kryesore politike me në krye liderët e tyre: presioneve politike, demonstratave, grevave të urisë, destabilizimeve, që pastaj kanë shkaktuar edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Do të vërejmë po ashtu se në këtë sëmundje të vjetër hyjnë edhe dorëheqjet apo kërkesat për dorëheqje.
Kur flitet për dorëheqjen nga një post, zakonisht kjo vjen për dy arsye. E para, ajo më e përhapura, kur funksionari i lartë ndodhet i shtrënguar ta japë atë për një mijë arsye që ia bëjnë të pamundur qëndrimin në një post. E dyta, kur ai ikën vetë pasi sheh se qëndrimi në atë post cenon rëndë integritetin e tij moral apo intelektual, apo projektin e tij mbështetur mbi vizionin e tij për botën. Me fjalë të tjera, e para mund të quhet më shumë heqje, kurse e dyta dorëheqje. Nuk jam marrë me historinë e heqjeve dhe dorëheqjeve në Shqipëri. Do të ishte një temë interesante për historianët, por di të them se ajo që ndodh rrallë në vendin tonë është ky rasti i dytë, kurse, përsa i përket rastit të parë, nuk jemi pa precedentë, përkundrazi. Edhe dorëheqja e Ismail Qemalit, që përmend Kadareja, hyn në ato që i quajta heqje, pasi kryeministri i asaj kohe i Qeverisë së Vlorës u akuzua për pjesëmarrje në komplotin e Beqir Grebenesë dhe në fakt nuk hoqi dorë nga lufta për pushtet derisa vdiq. Do të ishte interesant trajtimi i kohës së komunizmit përsa i përket kësaj teme, ku del se ajo që quhet dorëheqja e funksionarëve të lartë thuajse nuk njihej, pasi gjithsesi, një akt i tillë nënkuptonte një lloj pavarësie mendimi dhe veprimi, kurse në atë regjim ishte vetëm partia – shtet ajo që kishte fuqinë e mendimit dhe veprimit të kuadrove të saj.
Por, le ta lëmë historinë e komunizmit dhe le ti kthehemi periudhës kur dorëheqjet filluan të aplikohen. Nëse do të shohim dorëheqjet në këta njëzet vjet pas-komunizëm, do të thosha se modeli i tyre bazë është dorëheqja e Fatos Nanos nga posti i Kryeministrit në vitin 1991, kur PD-ja kishte marrë yryshin për drejt pushtetit. Mund të përmendja gjithashtu edhe dorëheqjen e Ramis Alisë, thuajse një vit më vonë, nga posti i Presidentit, pasi PD-ja fitoi zgjedhjet. Ajo që i ka karakterizuar këto dorëheqje ka qenë atmosfera revolucionare e krijuar, destabilizimi apo kërcënimi me destabilizim i vendit nga opozita. Sikurse dihet, në atë kohë opozita kishte edhe mbështetjen ndërkombëtare, kështu që për udhëheqësit komunistë bëhej edhe më i pamundur qëndrimi në poste. Nuk më duket se ka nevojë të zgjatem shumë për të shpjeguar se ky model dorëheqjeje apo kërkese për dorëheqje ka vepruar vazhdimisht gjatë këtyre njëzet vjetëve i përdorur nga të dyja palët. Edhe viti 97 pati këtë model në thelbin e vet; edhe dorëheqja e Nanos më 98-n pati këtë model. A ka pasur mirë apo keq Shqipëria nga këto (dorë)heqje apo mos(dorë)heqje? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë e ndryshme nga këndvështrime të ndryshme. Nuk po i hyj këtij diskutimi shumë kompleks, por ama, një gjë është e sigurt: se këto metoda ishin formë foshnjore e luftës politike. Tregues se institucionet tona demokratike, si ai i votës së lirë, ose nuk ishin krijuar, ose nuk funksionon si duhet e se ato kontrolloheshin krejtësisht nga partitë në luftë me njëra-tjetrën. Pyetja që shtrohet sot, duke parë zhvillimet, është: a e kemi kaluar këtë fazë? Sigurisht që jo. Gjykoj se dorëheqja që i kërkohet Lulzim Bashës nga Kadareja, si interpretim i situatës së krijuar përpara Komisionit Qendror Zgjedhor nga opozita, e provon këtë, paçka se Kadareja përpiqet ta paraqesë atë si një akt që do ti bënte nder Bashës, pra ta fuste në kategorinë e dorëheqjeve jo (dorë)heqjeve. Aq më tepër nëse kemi parasysh se opozita ka dy vjet që në thelbin e vet kërkon të njëjtën gjë: të arrijë në pushtet pas një destabilizimi të vazhdueshëm.
E, megjithatë, këtu vlen të shtrohet edhe një herë pyetja: a kemi bërë ndonjë hap përpara? E kam të vështirë ta pohoj këtë, por një gjë më duket shumë e rëndësishme. Me siguri, dorëheqja e Bashës nën trysni do të ishte një kthim prapa, një shpërblim për kohën kur marrëveshjet politike të të fortëve nëpërkëmbnin ligjin. Nuk ka dyshim se Komisioni Qendror Zgjedhor është një institucion që anon nga maxhoranca. Personalisht jam i prirë të besoj se sikur ato dhjetë vota më tepër ti kishte Basha dhe jo Rama, Komisioni Qendror Zgjedhor do ta interpretonte ndryshe boshllëkun ligjor lidhur me votat e hedhura në kutitë e gabuara. Ka gjasa që edhe Kolegji Zgjedhor, ku do të përplaset çështja, të anojë nga maxhoranca. Por, edhe sikur tia japë opozitës të drejtën, jam i sigurt se kjo nuk do të interpretohet si pavarësi, po sikur ky është nën sundimin e opozitës. Por ajo që po vëmë re, megjithatë, është një përpjekje për të justifikuar me ligj ose me boshllëkun ligjor vendimet që po merren. Shumë kanë përmendur këto ditë rastin e rishikimit të votave të pa
