Habemus Basha - një fitues i shpresës
Formula më e njohur latine dhe më pak e shprehur në Vatikan – dhe në të gjithë botën – është “Habemus Papam”, kemi një Papë të ri: domethënë akt-shpalljen e një Bariu të ri të grigjës katolike pas vdekjes së një Pape. Mirëpo formula e sipërpërmendur latine i shkon shumë përshtat pasjes së një Kryebashkiaku të ri për Tiranën në katër vitet e ardhshme. Kështu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas një pune maratonë, plot tensione politike dhe kurthe juridike, ia doli t’i jepte fund një “shpirt-nxjerrje” për kandidatit fitues të Bashkisë.
Kësisoj me 78 vota plus, Lulzim Basha është shpallur fitues i garës për Tiranën. Një fitore që erdhi për shkak se qytetarët e kryeqytetit votuan për ndryshimin e freskisë përkundër gjallimit parazitës të Edi Ramës në krye të punëve. Refuzimi spektakolar dhe i papritur (nga socialistët) që qytetarët i rezervuan Edi Ramës në kryeqytet ishte e pabesueshme. Gjithsesi në momente te caktuara ky qytet interesant ka ditur të japë mesazhe shprese dhe orientimi në gjithë këtë padituri politike. Sigurisht humbja është dhe mbetet e papranueshme për kreun e Partisë Socialiste, i cili paraprakisht e ka shpallur fitoren, pa pritur miratimin e 11 tabelave shumatore të KZAZ-ve të Tiranës nga ana e KQZ-zë.
Edhe sot e kësaj dite Edi Rama ngul këmbë si mushka për një fitore me 10 xhufka, sepse “e ka parë në televizor numërimin e votave”. Pak rëndësi kanë për të procedurat ligjore, që lexojnë vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve. Ai kundërshton haptazi leximin dhe peshimin e të gjitha votave të kontestuara, vetëm pse janë gjetur në kutitë jo të duhura. Synimi për t’i shpallur të gjitha të pavlefshme, pa një arsyetim logjik dhe një interpretim të saktë ligjor, sipas precedentëve të mëparshëm (viti 2007: rasti i komunës Temal), ngase ligji e përcakton se cilat janë votat e pavlefshme, dhe këto vota për kandidatin për bashki të gjetura në kutitë e Këshillit Bashkiak kurrsesi s’mund të anulohen. Sepse Kodi Zgjedhor e përcakton qartë në nenin 117 çfarë është e vlefshme dhe e pavlefshme: aty përmendet 18 herë fjala “Votim”, 14 herë fjala “Fletë”, 8 herë fjala “votë” dhe “0”, zero, asnjëherë të vetme fjala “Kuti”, çka do të thotë se fleta dhe jo kutia është i vetmi kriter i vlefshmërisë së votës, sepse fleta dhe jo kutia mban vullnetin e votuesit.
Kuptohet vetiu se katër kutitë në Tiranë janë një procedurë për të lehtësuar numërimin e votës dhe jo një mekanizëm për të zhvlerësuar vullnetin e votës. Është e papranueshme fryma diktuese e “kutisë”, sepse “kutia” është vetëm një kontenitor (mbajtës) i përmbajtjes së vlerës dhe jo gropë e zezë ku kullufitet vullneti i sovranit. Gjithçka tjetër është një interpretim tinëzar i Kodit.
Partia Socialiste ka gjetur dy rrugë, një për të “fituar” ligjërisht dhe tjetra për të “kundërshtuar” me dhunë gjithçka që nuk është favor të saj. Së pari ka paditur KQZ-në për dy çështje në Kolegjin Zgjedhor: tejkalimin e afatit të shpalljes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës dhe mosmiratimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ Nr. 49 që i përket njësisë nr. 5. Së dyti: përkrah zhurmës së protestave jashtë KQZ-së dhe gjithë Shqipërinë, socialistët po ndjekin edhe rrugën ligjore për të kundërshtuar vendimin e numërimit të votave të kontestuara.
Megjithatë rikthimi i politikës së rrugës nga ana e opozitës është një përjetim i vazhdueshëm i një simptome antidemokratike. Bllokimi i qëllimshëm i akseve kryesore të vendit për pak orë, për të dhënë idenë se ka “revolta popullore” është një sinjal dëshpërues për qytetarët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Sakaq përditë e më shumë po përvijohet ideja se Edi Rama ishte gati të sakrifikonte çdo Bashki dhe Komunë përveç bashkisë së Tiranës. Kjo bashki është burimi i energjisë së Ramës për të mbajtur partinë, për të mbajtur peng median, për të mbajtur afër klientelën dhe biznesin e ndërtimit, për të pasur protesta, demonstrata dhe revolta popullore. Sikurse po kuptohet që socialistët e kanë të vështirë të kenë një zgjidhje tjetër përveçse ta mbështesin një votë politikë për Edi Ramën. Kurse pjesa më e madhe e qytetarëve zgjodhi të votonte Lulzim Bashën, ose të heshte kur hendeku i programeve ishte shumë i madh. Lulzim Basha duhet të përveshë mëngët dhe të punojë fort për rehabilitimin dhe rikualifikimin e një qyteti të sakatuar shkencërisht.