E Diel, 1 Nëntor 2026

Europarlamentarja Doris Pack përgëzon shkrimtarin Fahri Balliu për kontributin e tij në reformimin e shoqërisë shqiptare

Në mjediset e Parlamentin Evropian, europarlamentarja Doris Pack ka pritur në një takim të veçantë shkrimtarin dhe publicistin Fahri Balliu. Duke e përgëzuar për monografinë e tij “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, ajo vlerësoi kontributin intelektual që po jep në këtë fazë të rëndësishme të reformimit të shoqërisë shqiptare, për t’u shkëputur përfundimisht nga trashëgimia e diktaturës dhe për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian

Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu, themelues dhe botues i të përditshmes “55”, është pritur dje në Bruksel, në një takim të veçantë, nga eurodeputetja Doris Pack, mjaft e njohur në Shqipëri, për shkak të kontributit të saj shumëvjeçar, në afrimin e vendit tonë me familjen evropiane. Zoti Balliu, duke i dhuruar me autograf, librin e tij, “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” (publikimi në frëngjisht), e falënderoi eurodeputeten Pack për kontributin e dhënë për forcimin e demokracisë në Shqipëri, dhe nxitjen e reformave që do ta afronin vendin me Perëndimin, si dhe shprehu shpresën se ky kontribut do të vijonte edhe në të ardhmen.
Gjatë ekspozesë së tij, zoti Balliu u ndal në përmbajtjen e monografisë së tij për gruan e diktatorit, të cilin botuesi francez e ka përcjellë tek lexuesit me nofkën “Gruaja e Djallit”. Ai shprehu besimin e tij se libri do ta ndihmonte zonjën Pack të kuptonte në të gjithë përmasën e plotë, diktaturën komuniste në Shqipëri dhe mekanizmin me të cilin vepronte ajo. Libri ndalet gjerësisht, tha zoti Balliu, edhe tek ndikimet që ka ky mekanizëm në stadin aktual të shoqërisë, veçanërisht në pengesat që gjeneron kohë pas kohe, në rrugën e shqiptarëve për rikthim në familjen e qytetërimit perëndimor, bashkëthemelues të të cilit, janë prej më se 2 mijë vjetësh.
Europarlamentarja Doris Pack e falënderoi publicistin Balliu për ekspozenë dhe i tha se ishte mjaft e njohur me librin dhe përmbajtjen e tij, pasi kishte pasur rastin ta lexonte më herët, kur ai ishte botuar për lexuesin evropian nga shtëpia botuese franko-zvicerane “Favre” dhe e përgëzoi për kontributin që ai si intelektual po jepte në këtë fazë të rëndësishme reformash në të cilat është përfshirë shoqëria shqiptare. Ajo përsëriti edhe njëherë bindjen e saj se nuk do të reshtte së ndihmuari shqiptarët, ashtu siç kishte bërë edhe në të shkuarën, në mënyrë që ata sa më shpejt të përmbyllin edhe këtë fazë të fundit reformash, në mënyrë që të fitojnë vendin që u takon në gjirin e Bashkimit Evropian.
Takimi i zotit Balliu me europarlamentaren Doris Pack u mbajt në zyrën e saj në Parlamentin Evropian në Bruksel, dhe kaloi në një atmosferë shumë të përzemërt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›