“Edi Rama shtrembëron realitetin e Shqipërisë përmes gjyzlykëve të dajës së tij Spiro Koleka”

Kryeministri Sali Berisha akuzon nga Kurbini kryesocialistin në detyrë
Kreu i ekzekutivit Sali Berisha u shpreh dje nga rrethi i Kurbinit ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike në Patok dhe Fushë Kuqe, se opozita dhe kreu i saj, Edi Rama, kanë kurdisur një valë të egër sulmesh, për të deformuar imazhin e Shqipërisë. Kryeministri tha se qytetarët e Tiranës kanë fatin e keq që kanë në krye të Bashkisë, një person që s’merakoset për problemet e njësisë vendore dhe keqpërdor fondet e akorduara nga qeveria. Për analogji Berisha tha se vetëm në komunën e Patokut, janë ndërtuar plot 26 km rrugë, ndërsa Edi Rama ka asfaltuar vetëm 12 km rrugë.
“Ne po shndërrojmë në realitet një premtim solemn për të kthyer kombin me sytë nga deti. Sepse në këtë komunë kemi ndërtuar 26 km rrugë, apo 2,2 herë më shumë se c´ka ndërtuar kryetari i bashkisë së Tiranës në kryeqytetin e vendit. Kjo sepse kryetari juaj e ka mendjen tek ju, kryetari juaj mendon se si të lehtësojë jetën tuaj, kurse zoti Rama mendjen e ka tek një kupolë e ngushtë, ndonëse e ka katërfishuar taksat e qytetarëve të Tiranës. Ka asfaltuar gjithsej 12 km rrugë, dua t’i them zotit Rama, hiqi gjyzlykët e Spiro Kolekës se edhe Fan Nolin kur e lexon, përdor gjyzlykët e dajës tënd. Shiko të ardhmen dhe përdor fondet që të ka akorduar qeveria”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se, “Rama nuk do arrijë të ndalë zhvillimin e vendit me çadrat që ngre, ndërsa ftoi qytetarët të vazhdojnë të mbështesin qeverinë e djathtë të integrimit”.
Sipas kryeministrit, vendi gëzon një situatë të shëndoshë ekonomike dhe si rezultat do të ndërtohet në të gjithë vendin, me synim përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
“Situata ekonomike në vend është pozitive. Vëllezër dhe motra, ju dëgjoni çdo ditë kreun e opozitës, i cili nga mëngjesi deri në darkë flet vetëm për krizë. Le ta pyesim pak bashkë, zoti Rama korridori i kombit që u inaugurua në vitin 2009, në mesin e krizës botërore, u ndërtua nga kriza apo nga paratë e shqiptarëve në një ekonomi e cila është më solidet në rajon. Zoti Rama, në krizë po ndërtohen këto qindra e mijëra kilometra në mbarë Shqipërinë, apo me të ardhurat e një ekonomie solide dhe entuziaste që zhvillohet çdo ditë e më shumë”, tha Berisha.
Në këtë kontekst, shefi i qeverise premtoi serish rritje të rrogave dhe pensioneve për buxhetoret shqiptarë, duke filluar nga 1 korriku. Sipas Berishës, e gjithë kjo është falë politikave ekonomike fryt dhënëse të ndjekura nga qeveria.
Më tej, kryeministri deklaroi se, “jemi në një prag historik, atë të liberalizimit të vizave, si dhe premtoi ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, shkollave e qendrave shëndetësore”.
Kryeministri konfirmoi se, “me djersën tonë do të ndërtojmë Shqipërinë europiane”.