Brukseli: Stop përgjithmonë trafikimit të lëndëve narkotike nga Ballkani
Integrimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimi Evropian, varet nga përpjekjet e përbashkëta që vendet e rajonit, do të konkretizojnë në plotësimin e kushteve. Një nga kriteret e vendosua nga Brukseli, është thellimi i luftës kundër krimit të organizuar. Bashkimi Evropian synon të paralizojë tregtinë ndërkombëtare të drogës, veçanërisht rrugët kryesore të futjes së drogës në Evropë. Gjermania do të kujdeset kryesisht për të ashtuquajturën “Rruga e Ballkanit” dhe do të luftojë trafikun e heroinës nga Afganistani. Franca ka marrë përsipër të angazhohet për kapjen e kokainës në jug, sidomos në Afrikën Perëndimore. “Pakti kundër tregtisë ndërkombëtare të drogës, parashikon krijimin e grupeve të përziera të hetimit me punonjës nga dhjetë shtete” bëri të ditur, ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere pas konferencës së ministrave të Brendshëm të BE-së të zhvilluar në Luksemburg. Politika e BE-së do të fokusohet tashmë tek konfiskimi i aseteve të mafies së drogës, pasi kapja e bosëve të drogës është shpesh shumë e vështirë.
Shqipëria ka vendosur një standard të ri në rrugën e integrimit. Miratimi i ligjit antimafia dhe fillimi i zbatimit të tij, ka sjellë reagimet e para të ndërkombëtarëve, të cilët e kanë vlerësuar këtë hap jo vetëm si të guximshëm nga ana e autoriteteve shqiptare, por njëherazi edhe si një standard jetik, për liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit kandidat.