E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Udhëtimi juaj do zbulojë bukuritë përrallore të Shqipërisë”

Kryeministri Berisha përshëndet garuesit e “Rally Albania 2010”

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje ceremoninë e nisjes së garës së makinave, “Rally Albania 2010”, e dyta në Ballkan për nga madhësia dhe nga pjesëmarrja.
Kreu i qeverisë e konsideroi këtë një ngjarje të madhe për Tiranën dhe Shqipërinë. “Erdha për t’ju përshëndetur në këtë ngjarje të madhe për Tiranën dhe Shqipërinë. Një grup njerëzish që vijnë nga e gjithë bota do të garojnë, në fakt më mirë të themi, do të luftojnë në territoret e këtij vendi, ku vetëm pak njerëz ngasin në këtë mënyrë, pasi nuk kanë aftësitë, guximin dhe angazhimin tuaj të fortë për të zbuluar zonat më të largëta, por mbi të gjitha për të zbuluar bukuritë e këtij vendi. Prandaj erdha për t’ju përshëndetur më përzemërsisht dhe për t’ju uruar një turne madhështor në udhëtimin tuaj ekzaltues”, u shpreh kryeministri.
“Atëherë zonja dhe zotërinj: Ndizni motorët!”, përfundoi përshëndetjen e tij kryeministri Berisha.
Gara e makinave, “Rally Albania 2010” startoi dje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, për të përshkuar më pas rrugët e Shqipërisë. Këtë vit marrin pjesë 260 garues nga 12 shtete: Itali, Greqi, Spanjë, Gjermani, çeki, Sllovaki, Slloveni, Austri, Bullgari, Poloni, Zvicër dhe Shqipëri.
“Rally Albania” do të përshkojë rrugët në 60 për qind të territorit të Shqipërisë dhe ndër garuesit do të ketë edhe pjesëmarrës me eksperiencë, që kanë konkurruar edhe në gara të tjera të këtij lloji nëpër botë.
Në këtë edicion do të marrë pjesë një garues që ka dalë 5 herë kampion në garën Rally “Paris - Dakar” në motocross.
Do të ketë një ekip që ka marrë pjesë me makinë 4x4 në garën “Rally Paris – Dakar”. Gjithashtu, në këtë garë do të jetë edhe kampioni i Europës për motocross në vitin 2009.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›