Shtëpia në Pezë, Skuqi: Do ta shpallim muze, s’na intereson se ku jeton Rama
Një tjetër debat i hapur ditët e fundit, për shtëpinë e famshme të Pezës, ka hyrë në rogozët e politikës dhe është bërë objekt spekulimesh nga ana e opozitës. Vendimi i Ministrisë së Kulturës për ta administruar nga shtëpi dhe kryer në shtëpi muze, banesën ku në 1942-in u mbajt Konferenca e Pezës, është konsideruar nga deputeti socialist dhe njëherazi dhe banues në atë shtëpi, Dash Peza, si akt i paligjshëm i qeverisë ndaj strehës së tij. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike, përmes deputetit të zonës, Luan Skuqi, i cili deklaroi se po bëhen përpjekje për të mashtruar opinionin publik. Ai tha se ishte një nga premtimet e tij elektorale shndërrimi i kësaj banese në shtëpi-muze, duke ia kthyer atë, banorëve të Pezës dhe mbarë Shqipërisë. “Jam sot para jush për të përcjellë shqetësimin e banorëve të Pezës për zënien e shtëpisë-muze të Konferencës së Pezës dhe për të denoncuar qëndrimin e deputetit Dash Peza ndaj moszbatimit të ligjit. Ka qenë premtimi im elektoral që këtë shtëpi ta shndërroja në shtëpi-muze, duke ia kthyer atë banorëve të Pezës dhe mbarë Shqipërisë. Ajo që ndodhi para disa ditësh, ku Dash Peza pengoi zbatimin e vendimit të qeverisë për marrjen në mbrojtje të kësaj shtëpie, përbën një akt të rëndë dhe ofendim për vet ngjarjen historike si dhe për banorët e Pezës dhe të gjithë Shqipërisë. I garantoj qytetarët e Pezës se asgjë nuk do të pengojë përpjekjet e mia në shndërrimin e këtij objekti në muze, në nderim të përpjekjeve të popullit të Pezës dhe të gjithë Shqipërisë për liri dhe bashkim. Gjithashtu, denoncoj publikisht përpjekjet e disa mediave për ta paraqitur këtë akt si një atak të qeverisë ndaj shtëpisë së banimit të deputetit të PS dhe banorëve të tjerë”- u shpreh deputeti demokrat. Ai sqaroi se vendimi i qeverisë për marrjen në mbrojtje të shtëpisë muze nuk ka asnjë lidhje me strehimin dhe banesën e zotit Rama. është bërë e ditur se në kohën kur te shtëpia në Pezë janë paraqitur ekspertë të Ministrisë së Kulturës, Edi Rama është fshehur në bodrum. “çdo përpjekje për ta lidhur me këtë çështje është vetëm një mashtrim i paskrupullt dhe i pabazë sepse mua as më ka interesuar dhe intereson ndonjëherë strehimi apo banesa e zotit Rama. Ajo që dua të theksoj dhe ta paraqes para jush si shqetësim ishte reagimi i nxituar i Dash Pezës ndaj pyetjes së gazetarit nëse ishte brenda në shtëpi zoti Rama apo jo. Zoti Peza u përgjigj në mënyrë të papërgjegjshme dhe antishqiptare se nuk pyetet tjetri se kë ka në shtëpi. Një përgjigje e tillë shkon ndesh me traditat e shqiptarit i cili nuk e fsheh mikun sepse miku është drita e shtëpisë dhe me të cilin ai nderohet”- deklaroi më tej deputeti demokrat, Luan Skuqi.
...