Haga rrëzon lirimin e përkohshëm për Haradinajn
Hagë Gjykata ndërkombëtare e Hagës ka refuzuar kërkesën e avokatëve të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për lirim të përkohshëm. Në kërkesën e mbrojtjes thuhej se Haradinaj kërkon pushim të përkohshëm nga 16 dhjetori deri më 8 janar 2012, sipas kushteve të propozuara, ose siç urdhëron Dhoma e Gjykatës. Avokatët kanë siguruar gjykatën se gjatë lirimit të përkohshëm, Haradinaj do të qëndrojë vetëm në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike, e as nuk do të përfshihet në ndonjë aktivitetet politik. Tribunali i Hagës në vendim e saj vlerëson se një kërkesë e tillë mund të cenojë procesin e rigjykimit të pjesshëm.
Gjykimi ndaj Ramush Haradinajt, njëherësh lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është shtyrë më 13 shkurt të vitit 2012. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në muajin gusht në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.