E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Në themelet e Pavarësisë ka vënë gurë e gjithë shqiptaria

19-10-2012 / Gazeta 55

100 vjetori i Pavarësisë, Kuvendi boton 3 aktet e themelimit të shtetit – u jepen në shenjë simbolike Komunave të Çairit në Shkup, Ulqinit, Prizrenit dhe bashkisë së Vlorës

Në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje një ceremoni nderimi të komunave të Prizrenit, Çairit në Shkup, Ulqinit dhe Bashkisë së Vlorës, gjatë së cilës krerëve të këtyre komunave iu dorëzuan në shenjë simbolike Aktet e Themelimit të shtetit shqiptar. Në emër të komunës së Çairit në Shkup, Aktet e Themelimit iu dorëzuan nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kryetarit të kësaj komune, z. Izet Mexhiti. Komunës Çair të Shkupit iu dha riprodhimi simbolik i akteve themelore të shtetit shqiptar në shenjë mirënjohjeje të thellë për Kryengritjen e Shkupit të viteve 1843-1844, ku 10,000 kryengritës nën udhëheqjen e Dervish Carës çliruan Shkupin dhe shtruan kërkesën për pavarësi, si dhe për kryengritjet e viteve 1910-1912, që përbëjnë fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe paradhomën e Pavarësisë së Shqipërisë. “Kryengritjet e Shkupit ishin Kryengritje Lavdie”, tha në fjalën e tij kryetari i komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, ndërsa theksoi rëndësinë historike që kanë shqiptarët e Maqedonisë në përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. “Me kënaqësi mund të konstatoj se jo vetëm nuk ndihemi të anashkaluar në këtë përvjetor të madh të Pavarësisë, por madje ndihemi të privilegjuar dhe të nderuar. Për këtë dëshmon edhe kjo ditë në Tiranë. Me këtë rast, më lejoni të falënderoj Qytetaren e Nderit të komunës së Çairit, kryeparlamentaren zonjën Jozefina Topalli, që na ka bërë edhe ne pjesë të kësaj ceremonie, si dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë dhe përgëzimet e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë për shtetin shqiptar në festimet e këtij 100-vjetori”- tha ai.
Mirënjohje dhe nderim për 100 vjetorin e Pavarësisë iu dha dhe komunës së Prizrenit, për kontributin e madh historik që lidhja e Prizrenit ka dhënë për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja vlerësoi se Lidhja e Prizrenit u ngrit në një moment kritik për kombin, atëherë kur Rusia cariste dhe mbështetësit e saj, morën vendimin për krijimin e Bullgarisë së Madhe në territoret e banuara nga shqiptarët. “Me presionin e Rusisë cariste u mor vendimi të krijohej Bullgaria e madhe, e cila me kufijtë perëndimorë përfshinte të gjitha territoret 100% të banuara me shqiptarë të Luginës së Pollogut. Inteligjencia e kombit tonë, inteligjenci patrotike, pasi për fat të keq ndodh që të ketë njerëz intelektualë por nuk janë patriotë, e kam fjalën për elitën e inteligjencisë shqiptare e cila nga rendi shpejt e shpejti u informua se edhe pesë fuqitë e mëdha evropiane janë të pakënaqura me vendimet e paqes së Shën Stefanit dhe rendën nëpër metrolopolet e Evropës për mbajtjen e një aeropagu evropian në të cilin do të korrigjoheshin vendimet e paqes së Shën Stefanit. U ngrit në piedestal vetdija kombëtare shqiptare dhe në fillim të shekullit XX, u manifestua kërkesa e kombit tonë për shtet të pavarur me kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911 dhe asaj të përgjithshmes prej majit të vitit 1912 që përfundoi me çlirimin e Shkupit, kryengritjen nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, figurës tonë të ndritur patriotike, të cilit në krah të djathtë dhe të majtë i qëndronin krenar me gjithë atë stoicësinë e tyre luftarake me bagazhin e patriotëve shqiptarë, Bajram Curri me Isa Boletinin bashkë me luftarakë të tjerë. Duke qenë se në tetor të vitit 1912 filloi edhe lufta e parë ballkanike u rrezikuan edhe më shumë trojet etnike shqiptare. Prandaj, i madhi Ismail Qemali rendi për të marrë pëlqimin nga diplomatë të fuqishëm të shteteve ndikuese evropiane se duhet të shpejtonin të shpallnin pavarësinë e Shqipërisë. Nga goja e Ismail Qemalit patriotit tonë kombëtarë u shkoi porosia të gjithë delegatëve nga të gjitha trojet etnike që të marshonin drejt Vlorës dhe u kurorëzua më 28 nëntor ku u ngrit flamuri i pavarësisë”- tha kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja. Në 100 vjetorin e Pavarëisë kontribut të çmuar ka dhe komuna e Ulqinit në kryengritjet e Malësisë së Veriut përmes qëndresës së armatosur, qëndresë që synonte t’i bënte botës të kuptonte se Trojet Shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu. Në sajë të kësaj qëndrese, fuqitë e mëdha u detyruan të rishikonin  tri herë  me radhë  vendimet e tyre të padrejta ndaj Kombit Shqiptar.
Në fjalën e tij në ceremoni, kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu deklaroi se, “Shqiptarët e Malit të Zi kanë zënë një pozicion shumë të veçantë dhe domethënës në kalvarin e gjatë dhe të mundimshëm drejt pavarësisë së kaluar nga shqiptarët. Vendlindja jonë kombëtare fushëbetejat e para i pati pikërisht për përpjekjet e Lidhjes së Prizrenit për të ruajtur flamurin i cili u ngrit në Ulqin”.
Ndërkaq, në përvjetorin e 100-të, të Pavarësisë së Shqipërisë”, Kuvendi i Shqipërisë i dha “Vlorës”, riprodhimin simbolik të Akteve themelore të Shtetit Shqiptar në shenjë  mirënjohjeje të thelle, si qendra ku u bë mbledhja e përfaqësuesve të Kombit Shqiptar, më 28 Nëntor 1912. Ku delegatet nënshkruan dokumentin historik për pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhet: “.... Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë, e mosvarme...”. Ku Ismail Bej Vlora ngriti madhërishëm flamurin Kombëtar Shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse, Prefekti i Vlorës, Eduard Veçani tha se “është një nder i veçantë për mua të përshëndes sot në 100 vjetorin e Pavarësisë në emër të qytetit, për të cilin u thanë shumë fjalë të mira dhe për të cilat qyteti i meriton plotësisht”. Sipas tij, fati dhe merita solli që Pavarësia të shpallej në Vlorë, por ky akt i madh i përket gjithë trevave shqiptar Shkodër, Ulqin, Shkup, Elbasan, Tiranë, e Çamëri. “Ndoshta meriton dhe më shumë, por ajo që doja të thosha në mënyre specifike që ky akt nuk është vetëm akti i qytetit tonë. Pavarësia siç u shpall në Vlorë mund të shpallej në Shkodër, në Ulqin, në Shkup, në Elbasan, në Tiranë, në Çamëri. Fati por dhe merita deshi që kjo pavarësi të shpallej në qytetin tonë. Dhe sot ne jemi krenarë për faktin që jemi qyteti që u shpall Pavarësia. Sot mbas 100 vjetësh ne jemi më të lirë se 100 vjet më parë, jemi më të fortë se 100 vjet më parë, jemi më të bashkuar se 100 vjet më parë. Mbas 100 vjetësh do të jemi akoma dhe më shumë më të fortë, më të bashkuar. Jemi në vendin tonë, në vendin ku rilindësit tanë projektuan pavarësinë, e deshën Shqipërinë. Pra jemi në gjirin e perëndimit, në aleancën më të fuqishme të njerëzimit, në aleancën e atlantikut verior. Jemi në NATO, së shpejti do të jemi dhe në Bashkimin Evropian”- theksoi Prefekti i Vlorës, Eduard Veçani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›